TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Qershor 2026, 20:45

Paqe apo armëpushim i zgjatur: Tre çështjet e hapura që rrezikojnë paktin SHBA-Iran

Shkruar nga Max Ferrario
Paqe apo armëpushim i zgjatur: Tre çështjet e hapura që
Mojtaba Khamenei

Gjenerali italian Maurizio Boni, hedh dritë mbi prapaskenat e negociatave të nxehta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ndërsa Trump nxiton ta shesë marrëveshjen si fitore, Irani po dikton kushtet duke shfrytëzuar faktorin kohë.

Donald Trump po e shpall si një fitore marrëveshjen me Iranin. Sipas burimeve pakistaneze, palët kanë arritur një tekst të përbashkët dhe nënshkrimi mund të ndodhë nesër në Gjenevë të Zvicrës.

Por, për Maurizio Boni-n, gjeneral i korparmatës, ish-shef i shtabit të NATO Rapid Reaction Corps Italy dhe analist për Analisi Difesa, realiteti i negociatave është shumë më pak triumfues. “Ky do të jetë njoftimi i 30-të i Trumpit që nga fillimi i luftës”- vëren Boni, duke e zbehur idenë e një paqeje tashmë të arritur.

Sipas Bonit, më shumë sesa një marrëveshje përfundimtare, jemi përpara një dakordësie për të fituar kohë dhe për të zgjatur armëpushimin. Ndryshe nga sa mund të duket në një vështrim sipërfaqësor, Irani nuk është aspak në qoshe në këto negociata.

Ai ka gjithë kohën që dëshiron, ndërsa Trumpi jo. Në qendër mbeten programi bërthamor civil, sanksionet, fondet e ngrira, Ngushtica e Hormuzit dhe Libani. Që të gjitha këto çështje ende të hapura, e vënë shumë në pikëpyetje fundin e konfliktit.

Trump e ka paraqitur marrëveshjen me Iranin si një fitore. A është vërtet kështu?

Unë besoj se ky është pak a shumë njoftimi i 30-të i Trumpit i këtij lloji që nga fillimi i luftës. Në fakt, orët e fundit, agjencia iraniane IRNA ka shpërndarë komunikata që e zbehin entuziazmin e presidentit amerikan. Ata nuk flasin për një marrëveshje të përfunduar, por për çështje ende të pazgjidhura. Dhe këto nuk janë çështje dytësore.

Cilat janë ato?

Janë tre, dhe që të gjitha me peshë. E para është vazhdimi i programit bërthamor joushtarak, pra e drejta e Iranit për të vijuar zhvillimin e tij bërthamor civil. E dytë, heqja e sanksioneve. Dhe e treta, mekanizmat e dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara nga lufta. Kësaj i shtohet edhe një kusht paraprak: Teherani thotë se negociatat përfundimtare nuk do të fillojnë përpara zhbllokimit të fondeve të ngrira jashtë vendit dhe heqjes së sanksioneve mbi eksportin e naftës.

Pra sipas jush nuk jemi përpara paqes, por përpara një shtyrjeje të organizuar të konfliktit?

Po. Duke lexuar mes rreshtave, e kupton se kjo nuk është absolutisht marrëveshja përfundimtare. Është më shumë një ujdi për të zgjatur armëpushimin, me të gjitha dritëhijet e veta, me synim zgjatjen e kohës së negociatave.

Por nuk duket si diçka që mund të mbyllet nesër apo pasnesër. Irani ka gjithë kohën që dëshiron. Nga ana tjetër jo Trump, sepse ai ka nevojë të sjellë në shtëpi një rezultat të prezantueshëm për opinionin publik dhe për ata që e shtynë drejt kësaj lufte.

A do të thotë kjo që Irani ka më shumë hapësirë manovrimi sesa Trumpi?

Deri më tani kështu duket. Rezultati i negociatave duket qartazi i favorshëm për Teheranin, edhe pse do të jetë e vështirë të pranohet. Trump ka ndërtuar një narrativë fitoreje, por nëse më pas Irani mban programin bërthamor civil, arrin zhbllokimin e fondeve, rihap çështjen e sanksioneve dhe diskuton për Hormuzin në një kornizë rajonale, atëherë duhet të pyesim veten se ku qëndron fitorja e amerikanëve.

Ndalemi te Hormuzi, pse kjo ngushticë është aq thelbësore?

Sepse është një nga ndryshoret e vërteta të gjithë ekuacionit të madh. Sipas Teheranit, administrimi i ardhshëm i Ngushticës së Hormuzit duhet të trajtohet si një çështje rajonale, përmes dialogut midis Iranit dhe Omanit.

Të dy vendet lagen nga ato ujëra. Trump ishte kundër kësaj vije dhe ka përdorur tone shumë të ashpra edhe ndaj Omanit. Këtu nuk flitet vetëm për lundrimin por për kontrollin strategjik të një nyjeje thelbësore.

Po Evropa? Trump la të kuptohet se G7 dhe evropianët nuk shërbyen për asgjë në këtë luftë...

Ky është një pretendim i rrezikshëm. Kur sulmuan Iranin së bashku me Izraelin, Shtetet e Bashkuara nuk u thanë asgjë aleatëve europianë. Nuk i informuan as sa për të thëën. Më pas, pasi shkaktuan kaosin, të pretendosh që Evropa të ndërhynte në mënyrë të organizuar është minimalisht absurde.

Për më tepër, duhet të biem dakrd se çfarë është sto “Evropa”. Të flasësh për Evropën sot është gjithçka dhe asgjë. Ekzistojnë vende anëtare, interesa të ndryshme, koalicione të brendshme dhe gjeometri të ndryshueshme. Si për Lindjen e Mesme, ashtu edhe për luftën ruso-ukrainase.

Pra, Evropa nuk mund të ndiqte e bashkuar Uashingtonin?

S’mund të ndodhte ndryshe. Të pretendosh që Evropa të ndiqte në mënyrë unanime urdhrin e Shteteve të Bashkuara për t’u rreshtuar në luftën e Gjirit Persik, duke rrezikuar ndoshta asetet europiane në vend të atyre amerikane, ishte jorealiste.

Ndoshta amerikanët do të kishin nxjerrë përpara europianët më me dëshirë sesa veten e tyre. Por nuk pati dhe nuk mund të kishte një përgjigje të bashkuar europiane.

Disa media iraniane kanë folur edhe për një armëpushim edhe në Liban. A është kjo çështja me delikate?

Sipas gjithë gjasave, po. Në rindërtimin e ngjarjeve nga pala iraniane përfshihen sanksionet, fondet e ngrira, Ngushtica e Hormuzit dhe tërheqja e forcave amerikane nga vendet fqinje me Iranin. Por Libani është çështja vërtet vendimtare.

Sepse Netanyahu nuk ka ndërmend të lëshojë pe. Përkundrazi, ai ka vazhduar me vijën e presionit ushtarak kundër Hezbollahut. Problemi është se neutralizimi i Hezbollahut vetëm përmes fuqisë ushtarake është në parim një objektiv i paarritshëm.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Që as duke bombarduar në masë Libanin, apo duke e pushtuar atë, Izraeli nuk do të arrinte rezultatin politiko-ushtarak që deklaron se dëshiron. Të pushtosh do të thotë të kontrollosh territorin, dhe për ta bërë këtë duhen shumë forca.

Nuk mjafton rrafshimi me tokën i ndërtesave. Përkundrazi, Hezbollahu rrezikon që të dalë edhe më i fortë nga kjo situatë. Kjo është kontradikta: përdorimi vetëm i fuqisë ushtarake mund të prodhojë shkatërrim, por jo domosdoshmërisht një zgjidhje strategjike.

A mund ta sabotojë marrëveshjen Garda Revolucionare?

Nuk e besoj. Sepse nuk shoh se çfarë interesi do të kishin ata të përgënjeshtronin qeverinë e tyre apo ta vinin atë në vështirësi pikërisht tani. Pikat e negociatave janë të njohura, ato janë pjesë e memorandumit mbi të cilin po punohet. Në këtë moment, Iran është i avantazhuar. Do të ishte kundërproduktive dhe jologjike që Pasdaranët të mbanin një qëndrim ndryshe.

Përsa i përket çështjes bërthamore, Trump e ka ndërtuar gjithmonë mbi të pjesën më të madhe të pozicionit të tij politik. Tani ai duket i gatshëm të pranojë një formulë për uraniumin e pasuruar. A nuk është ky një paradoks?

Po, një paradoks i jashtëzakonshëm. Shtetet e Bashkuara, së bashku me Rusinë, Kinën, Francën dhe Gjermaninë, kishin nënshkruar që në vitin 2015 një marrëveshje me Iranin. Në atë pakt ishin dakordësuar shumë nga gjërat që sot kërkohen të rinegociohen.

Pastaj, gjatë administratës së parë Trump, Uashingtoni doli në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja. Ai braktisi një traktat që i jepte Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike kompetenca të gjera inspektimi në Iran.

Atëherë, sipas jush, po kthehemi në pikën e nisjes?

Ky është qarku i mbyllur (paradoksi). Më parë ekzistonte një marrëveshje, por Shtetet e Bashkuara dolën prej saj. Pastaj çështja bërthamore u kthye në një casus belli mediatik: iranianët janë të këqij, po përgatisin bombën, ndaj ne duhet të ndërhyjmë.

Tani po kthehemi të diskutojmë pak a shumë për të njëjtat gjëra. E njëjta gjë vlen edhe për Hormuzin. Përpara luftës ngushtica ishte e hapur. Pastaj lufta krijoi problemin e hapjes së Ngushticës. Unë e sfidoj cilindo që të gjejë një logjikë në të gjithë këtë kaos, përveç dëshirës për t’u rikthyer gjithmonë te çështjet që ishin, të paktën pjesërisht, të zgjidhura./ Përshtati "Pamfleti", nga “Il Sussidiario”

 

mojtaba khamenei irani shba

Lini një Përgjigje