Një ditë pas protestës së zhvilluar në bulevardin Dëshmorët e Kombit, atje ku pati edhe përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe policisë, kreu demokrat Sali Berisha i drejtoi një falënderim çdo protestuesi për qëndresën e treguar. Berisha tha se shqiptarët u janë mirënjohës për sakrificën që bashkarisht do ta vazhdojmë gjer në largimin përfundimtar të Edi Ramës.
“Përulem me nderimin më të madh para atyre dhjetëra mijëra që u bashkuan dje në rrugët dhe sheshet e Tiranës në një kryengritje madhështore për të mbrojtur nderin, dinjitetin e çdo shqiptari. Për të mbrojtur ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, integrimin në Europë. Për të mbrojtur të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ishte protesta, kryengritja paqësore e tetë, me një jehonë të jashtëzakonshme botërore. I ndiqni lajmet se si guximi, kurajo, sakrifica juaj u shndërrua në lajm botëror. U përcoll me dashamirësi absolute.
Betejë si në legjendë kundër dyshes tashmë famëzezë në mbarë botën, Rama-Balluku. Kundër vjedhjes dhe plaçkitjes së qytetrëve shqiptarë. Me këtë protestë, me këtë kryengritje, me këto sakrifica, ju u provoni shqiptarëve se qëndroni të pamposhtur para një të keqe që po e gërryen këtë komb sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij, para një regjimi që përfaqëson narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë”, tha Berisha.
Në vijim kreu demokrat u shpreh protestuesit dje në bulevard ishin prozhektori i madh i shpresës për të gjithë shqiptarët që ende nuk guxojnë të dalin nga emocionet e frikës.
“Ju keni qenë dje në bulevardin e madh të Tiranës amaasadorët më të shkëlqyer, përfaqësuesit më dinjitozë, elita e vërtetë e kombit, e ndërgjegjes së tij para çdo shqiptari dhe para partnerëve, miqve të Shqipërisë në mbarë botën. Edhe njëherë lexoni, shihni mediat e tyre se çfarë jehone pozitive i kanë bërë. Dhe për një moment do u lutesha të imagjinonit sikur ne të heshtnim, sikur ne të mos ishim në përballje dhëmb për dhëmb me regjimin se çfarë gjëme e vërtetë do të ishte për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Se si do ta shfrytëzonin këtë racistët antishqiptarë siç u shprehën tre javë më parë se shqiptarët janë të ambientuar me vjedhjen dhe korrupsionin. Imagjinoni ju, në rast se opozita nuk do ishte në përballje të egër, por do dëgjonte vuvuzelat mjerane të Edi Ramës.
Këta kritizerë amoralë të cilët në vend se të bashkohen me popullin opozitar, në mburojë të Edi Ramës, bëjnë gjithçka për të dekurajuar protestën e tij.
Shqipëria u është përjetë mirënjohëse. Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës për këtë sakrificë që ne do ta vazhdojmë gjer në largimin përfundimtar të kësaj të keqe të madhe. Të këtij njeriu që ka vendosur moral të regjimit të tij, moralin e etërve të tij xhelatë. Të këtij njeriu që bllokoi bulevardin e protestës paqësore për të treguar frikën dhe tmerrin që ka nga protestuesit. Të këtij njeriu që shërbehet nga horra, kriminelë, plaçkitës në të gjitha funksionet e narkoshtetit të tij. Por ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë të pamposhtur”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje