Ritmi i reformave është shumë intensive, por nuk duhet të dëmtojë cilësinë e reformave. Është ky mesazhi që ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato ka dhënë në Ditën e Europës, në një konferencë për shtyp, bashkë me Kryeministrin Edi Rama. Ai e cilësoi zgjerimin e BE si një mjet për ruajtjen e stabilitetit, ndërsa theksoi vlerësimin pozitiv për Shqipërinë.
Ai theksoi se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në BE, është pjesë e rëndësishme e arkitekturës së sigurisë europiane. “Zgjerimi është një proces i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e kritereve. Nuk ka rrugë të shkurtra dhe nuk ka shmangie nga standardet europiane”, u shpreh ai.
Gonzato nënvizoi se kapitujt themelorë të negociatave, shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, hapen të parët dhe mbyllen të fundit, duke i konsideruar si themel për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
“Forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri është investimi më i sigurt për të ardhmen e vendit dhe të rajonit”, deklaroi ai, duke shtuar se procesi i reformave duhet të jetë i qëndrueshëm, cilësor dhe gjithëpërfshirës.
Sipas tij, integrimi europian është një projekt i të gjithë shoqërisë, ku rol kanë qeveria, opozita, shoqëria civile, biznesi dhe qytetarët. Ai theksoi rëndësinë e komunikimit me publikun për të rritur ndërgjegjësimin mbi reformat dhe përfitimet e integrimit në BE.
Lini një Përgjigje