Gonzato deklaroi Shqipëria, si një vend kandidate për t’u anëtarësuar në BE, po investon në një të ardhme më të sigurt dhe të bashkuar, por theksoi se s’ka rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, paralajmëroi se Evropa po përballet me sfida serioze që prekin paqen, stabilitetin dhe ekonominë, ndërsa theksoi rëndësinë e Shqipërisë në procesin e zgjerimit të BE-së.
Në aktivitetin për çeljen e Javës së Evropës, Gonzato u ndal te vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian, duke theksuar se ato duhet të mbrohen në një kohë me tensione dhe konflikte në rritje.
“Evropa u ndërtua mbi një premtim lirie, barazie dhe demokracie. Sot, në një botë me konflikte në rritje dhe presione ekonomike, duhet t’i mbrojmë këto vlera si brenda kufijve ashtu edhe jashtë tyre. Sot kremtojmë jo vetëm atë që jemi, por edhe atë që bëjmë dhe angazhimin për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës. Tani është koha të qëndrojmë fort për ato vlera që besojmë, për të drejtën ndërkombëtare dhe për të ndërtuar stabilitet”, u shpreh ambasadori i BE-së.
Ai theksoi se paqja në kontinent nuk duhet konsideruar e garantuar, ndërsa shtoi se Bashkimi Evropian po rrit bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për t’u përballur me kërcënimet aktuale.
Paqja në Evropë është në rrezik. Në një botë lufte dhe kërcënimesh, BE duhet të veprojë për të mbrojtur qytetarët e saj, demokracinë dhe vlerat. Tensionet në botë po rriten. BE po vepron për t’iu përgjigjur kësaj situate duke forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe duke rritur kapacitetin për t’iu përgjigjur këtyre rreziqeve. Shqipëria, si një shtet që aspiron të bëhet anëtar, është pjesë e rëndësishme e BE-së. Paqja nuk është falas, ajo duhet të mbrohet çdo ditë. Forca e BE-së qëndron në aftësinë e saj për të tërhequr dhe frymëzuar vende të tjera", deklaroi Gonzato.
Sipas tij, Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në projektin evropian dhe mbështetja ndaj vendeve kandidate përbën një investim strategjik për të ardhmen e Evropës.
"Zgjerimi është një mjet i fuqishëm i Evropës për të promovuar demokracinë; duke mbështetur Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate, Evropa po investon në një të ardhme më të sigurt dhe më të bashkuar. Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit.
Një pjesë e rëndësishme e punës sime këtu është që vendi të mbetet i përkushtuar në përmbushjen e standardeve të BE-së. Sfida është gjithashtu të garantohet cilësia, zbatimi dhe qëndrueshmëria", u shpreh ai.
Ambasadori i BE-së theksoi gjithashtu se integrimi evropian kërkon përmbushje të standardeve dhe reforma të qëndrueshme, duke përjashtuar mundësinë e rrugëve të shkurtra drejt anëtarësimit. Ambasadori i BE në Shqipëri u shpreh krenar për përfaqësimin e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe për vlerat që, sipas tij, BE-ja vazhdon të promovojë.
“Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit. Kjo vjen si rezultat i një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. BE në Shqipëri po kremton Ditën e Evropës përmes përpjekjeve dhe arritjeve. Jam krenar që përfaqësoj BE-në dhe gjithçka që përfaqëson BE-ja”, tha ndër të tjera Gonzato.
Lini një Përgjigje