
Mëngjesin e sotëm ish-Kryeministri Sali Berisha u paraqit në SPAK, duke respektuar vendimin e Apelit të GJKKO-së, që i ka caktuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dy herë në muaj.
Vajtja e Berishës në SPAK u shoqërua me një protestë të militantëve të PD-së para godinës së Prokurorisë Speciale.
Gazetari Adriatik Doçi duke komentuar emisionin ‘Studio Live’ atë se çfarë ndodhi në orët e paradites, tha se kjo protestë është një përpjekje e dëshpëruar për të mbuluar hallin familjar të Berishës.
Sipas Doçit, është presion që po i bëhet SPAK për shkak të dy dosjeve që ka në dorë për familjen Berisha, 21 janarin dhe Gërdecin.
“Protestë diskredituese për opozitën që reflekton dy gjëra: së pari një hall familjar të Berishës për shkak të dosjeve që ka në SPAK dhe dosjet e tjera që janë nën hetim, por edhe për të justifikuar, për të krijuar një lloj atmosfere negative para zgjedhjeve për të justifikuar atë që do ndodhë më 11 maj.
Protestohet për një vendim gjykate e cila ka rikthyer një masë sigurie, detyrim paraqitjeje për Berishën, i cili nuk zbatonte se mendonte se është në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje dhe i ka thënë nuk është në kundërshtim me kushtetutën. Gjyqtari Pëllumbi që ka dënuar zyrtarë të PS, Tahirin, Felajn dhe është vlerësuar nga kjo opozitë për ato vendime, ka reflektuar thjesht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Unë besoj se është një presion që i bëhet SPAK-ut për shkak të dosjeve që ka SPAK në dorë për familjen Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij në PD, duke përfshirë disa deputetë dhe ish-deputetë. Hetimet janë thelluar edhe për Nokën dhe Këlliçin, i cili ishte kandidati për Tiranën dhe humbi me 60 mijë vota. Kjo protestë është bërë për hallin e tij familjar, sepse në SPAK janë dy dosje shumë të nxehta që janë gur prove për SPAK: 21 Janari dhe Gërdeci.
Presion që po i bëhet SPAK për të mos finalizuar këto dosje të tjera të rënda. Protagonistët kryesorë të kësaj skeme janë Shkëlzen Berisha dhe Sali Berisha. Janë dy vendimmarrje të forta nëse do të kemi persona që do të merren në akuzë për Gërdecin dhe 21 Janarin", tha Doçi.
Lini një Përgjigje