TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shkurt 2025, 20:59

"Ols Dado duhet të përjashtohej nga çështja", ish-prokurori Karanxha kritika SPAK-ut: Veliaj mund të hetohej në liri

Shkruar nga Pamfleti

"Ols Dado duhet të përjashtohej nga çështja",

Ish-prokurori Ervin Karanxha ka komentuar hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilat çuan në arrestimin e tij me urdhër të SPAK.

Karanxha theksoi se avokatët e Veliajt duhej t’i kishin paraqitur të gjitha pretendimet e tyre dhe të kishin kërkuar nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, largimin e prokurorit të çështjes, Olsi Dado.

“Në seancë ka pasur pretendime nga Veliaj, gjykata ka caktuar masën e arrestit, ndërsa avokatët duhet t’i kishin paraqitur pretendimet e tyre me një memo me shkrim. Në këtë rast, Kodi i Procedurës Penale përcakton se çdo shqetësim duhet ngritur në kohën e duhur. Nëse kishte shkaqe për përjashtimin e prokurorit, duhej të kërkohej përjashtimi i tij. Beteja zhvillohet në gjykatë, ku mbrohen pretendimet”, tha ish-prokurori për “Euronews Albania”.

Ai shprehu gjithashtu rezerva ndaj standardeve të SPAK në çështjen e Veliajt, duke argumentuar se kryebashkiaku nuk duhej të ishte mbajtur me masën e sigurimit “arrest me burg”.

“Kemi të bëjmë me raste të tjera kur SPAK ka futur në burg edhe persona të tjerë në të njëjtat kushte, por unë personalisht nuk jam dakord. Veliaj mund të hetohej në gjendje të lirë, pasi është një person publik dhe nuk përbën rrezik arratisjeje. Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, standardi është ndryshe. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut është hetuar me masën ‘detyrim paraqitjeje’ për çështje korrupsioni, dhe madje ish-presidenti amerikan ka pasur 98 akuza pa u arrestuar”, u shpreh Karanxha.

Sipas tij, ky standard i krijuar nga SPAK është i rrezikshëm dhe mund të ketë pasoja të gjera.

“Ndërkombëtarët që kanë mbështetur këtë proces tashmë janë larguar, ndërsa standardi i vendosur mbetet dhe për mendimin tim është i rrezikshëm”, përfundoi ai.

Lini një Përgjigje