
Presidenti i PL-së, Ilir Meta, duket se është mërzitur duke qëndruar në kafaz gjatë seancave në GJKKO.
Përmes avokatit të tij, Kujtim Cakrani, i ka paraqitur një kërkesë GJKKO-së për ndërprerjen e vendosjes së tij në kafaz hekuri apo kabinë xhami gjatë seancave gjyqësore.
Në kërkesë thuhet se ky trajtim i Metës e stigmatizon atë para trupit gjykues, publikut dhe mediave, krijon perceptimin e rrezikshmërisë dhe “fajësisë së paracaktuar” dhe ia pamundëson komunikimin e lirë, konfidencial dhe të menjëhershëm me avokatin; e trajton si objekt sigurie, jo si subjekt të së drejtës.
Kjo është kërkesa e dytë që bën Meta. E para ju rrëzua, por tani ka nisur gjykimi në themel i dosjes së tij dhe Meta kërkon të jetë krah avokatit në seancë.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.




Lini një Përgjigje