
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta e ardhshme kombëtare e opozitës do të jetë edhe më e madhe, megjithëse nuk dha një datë konkrete se kur do të zhvillohet.
Në një konferencë për mediat, ai përsëriti akuzat ndaj policisë, duke pretenduar se gjatë protestës së së premtes së kaluar është përdorur spraj kundër arinjve ndaj protestuesve. Sipas tij, reagimi i opozitës do të vijojë të jetë i fortë.
“Opozita do t’u përgjigjet në mënyrë të fuqishme, protesta tjetër do të njoftohet shumë shpejt dhe kryengritja tjetër paqësore do të jetë më madhështore që ka njohur vendi.”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, ai e cilësoi kryeministrin si armikun më të madh të shqiptarëve pas Enver Hoxhës dhe u bëri thirrje forcave opozitare të bashkohen në një front të përbashkët për ta larguar nga pushteti.
“Kemi bërë lëshimin maksimal dhe të drejtë se ky bashkim duhet të jetë mbi bazën e kontributeve reale të secilës parti. Ky propozim i tyre është shqyrtuar nga koalicioni ynë, pranuar nga koalicioni ynë dhe urojmë që çdo forcë politike opozitare, e cila gjen aty të ndershmen dhe të drejtën bashkimin mbi bazën e kontributit real. Të bashkohemi, e të krijojmë një front të gjerë e të përbashkët kundër kësaj qeverie për të kthyer votën e lirë dhe larguar nga pushteti Edi Ramën.”, shtoi Berisha.
Lini një Përgjigje