TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Qershor 2026, 09:23

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet protestat: Institucionet të dëgjojnë zërin e qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti
"Rama në burg, Berisha në burg"/ Këshilli i
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet protestat

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka reaguar për protestat qytetare që prej 12 ditësh po zhvillohen në Tiranë, duke shprehur mbështetjen për të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht në mbrojtje të interesave kombëtare, pasurive publike dhe mjedisit.

Sipas KASH, protestat përcjellin "mesazhe të qarta dhe legjitime", të cilat meritojnë "vëmendje, dialog dhe transparencë" nga institucionet shtetërore.

Këshilli vlerëson se këto protesta shkojnë përtej çështjes konkrete që i ka nxitur ato dhe pasqyrojnë shqetësime më të gjera të qytetarëve për korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e besimit tek institucionet.

"Perceptimet mbi korrupsionin e përhapur dhe mbrojtjen politike të individëve të përfshirë në afera me interes publik kanë dëmtuar besimin e qytetarëve", thuhet në reagim.

KASH shpreh gjithashtu shqetësim për mënyrën se si janë trajtuar disa prej kërkesave të protestuesve, duke dënuar çdo qasje "arrogante apo shpërfillëse" ndaj shqetësimeve qytetare.

Ndërsa mbështet investimet e huaja strategjike, Këshilli thekson se ato duhet të bazohen në transparencë të plotë, respektim të ligjit dhe mbrojtje të interesit kombëtar.

"Veçanërisht në zonat me rëndësi strategjike, proceset vendimmarrëse duhet të jenë transparente dhe të konsultuara me publikun", nënvizon deklarata.

Në përfundim, KASH u bën thirrje institucioneve, investitorëve, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile të angazhohen në një dialog të hapur për zhvillimin e qëndrueshëm dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Reagimi i plotë:

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) shpreh mbështetjen e tij për të drejtën themelore dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë për të protestuar paqësisht në mbrojtje të interesave kombëtare, pasurive publike, mjedisit dhe trashëgimisë natyrore të vendit. Protestat e fundit përcjellin mesazhe të qarta dhe legjitime, të cilat meritojnë vëmendje, dialog dhe transparencë nga institucionet shtetërore.

Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke garantuar respektimin e pronës private dhe të drejtave të ligjshme të qytetarëve, duke promovuar një model zhvillimi në bashkëpunim dhe në shërbim të komunitetit, si dhe duke kundërshtuar e parandaluar çdo përpjekje korruptive që cenon integritetin e këtyre proceseve dhe besimin e publikut tek institucionet.

KASH vlerëson se këto protesta nuk lidhen vetëm me çështjen konkrete që i ka nxitur ato. Ato pasqyrojnë gjithashtu shqetësime më të thella, të akumuluara ndër vite në opinionin publik, të lidhura me perceptimin mbi korrupsionin e përhapur, pandëshkueshmërinë dhe, në disa raste, mbrojtjen politike që u ofrohet individëve të përfshirë në afera të ndryshme me interes publik. Këto perceptime kanë dëmtuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe kërkojnë reflektim serioz nga të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë.

Këshilli shpreh shqetësimin për mënyrën se si janë trajtuar disa nga kërkesat e protestuesve dhe dënon çdo qasje arrogante apo shpërfillëse ndaj shqetësimeve qytetare. Në një shoqëri demokratike, dëgjimi i zërit të qytetarëve, konsultimi publik dhe llogaridhënia janë pjesë e pandashme e vendimmarrjes së përgjegjshme.

KASH mbështet investimet e huaja strategjike që sjellin zhvillim ekonomik, vende pune dhe modernizim për Shqipërinë. Megjithatë, çdo investim i tillë duhet të bazohet në transparencë të plotë, respektim rigoroz të ligjit, mbrojtje të mjedisit dhe garantim të interesit kombëtar.

Veçanërisht kur bëhet fjalë për zona me rëndësi strategjike, bregdetare apo ekologjike, është e domosdoshme që proceset vendimmarrëse të jenë transparente, të konsultuara me publikun dhe komunitetet e prekura, si dhe të shoqërohen me garanci të qarta për mbrojtjen e sovranitetit, pronës publike dhe pasurive kombëtare.

KASH u bën thirrje institucioneve shtetërore, investitorëve, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile të angazhohen në një dialog të hapur dhe konstruktiv, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, forcimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesit afatgjatë të Shqipërisë.

 

këshilli i ambasadorëve shqiptarë mbështet protestat \"rama në burg berisha në burg\"

Lini një Përgjigje