
Sipas një denoncimi, Ardian Tufa ka përvetësuar 300 hektarë tokë me vlerë 35 milionë euro në Lundër, në bashkëpunim me drejtorin e kadastrës Martin Kala dhe topografet e tij, ndërsa tani po përgatit 35 hektarë të tjerë në Kodrën e Diellit, duke angazhuar policinë për të detyruar banorët të heqin dorë nga pronat...
Ardian Tufa, i njohur edhe si "Nardi Lunder", ka rihapur laboratorin e plaçkitjes në Farkë, duke i dhënë sërish të njëjtave persona AMTP të reja mbi të njëjtat pasuri të shpallura më parë të falsifikuara. Kjo praktikë e jashtëligjshme, në vend që të ndëshkohej, është mbuluar nga heshtja institucionale.
Në këtë mënyrë, prona të kontestuara dhe të falsifikuara kanë përfunduar sërish në qarkullim, duke hapur rrugën për një tjetër hap: legalizimin përmes lejeve të ndërtimit. Burime pranë Bashkisë Tiranë tregojnë se mbi këto prona janë dhënë leje ndërtimi. Përfituesi kryesor i këtij zinxhiri vendimesh është oligarku Behar Çukaj, i cili ka përfituar hapësira të mëdha ndërtimore falë një skeme të cilën qytetarët e Farkës e përshkruajnë si "plaçkitje të ligjshme".
Sipas një denoncimi të ardhur në Pamfleti, Ardian Tufa ka përfituar rreth 300 hektarë tokë me vlerë tregu rreth 35 milionë euro, nëpërmjet tjetërsimit të pronës në bashkëpunim me shefat e kadastrës.
Në fakt, Ardian Tufa e ka nisur "zanatin" e menaxhimit të pazareve me pronat në bashkëpunim të ngushtë me Martin Kalën, drejtor i ASHK Rurale 1. Së bashku, ata kanë krijuar një "zyrë" paralele kadastre, ku pronat e kontestuara dhe të falsifikuara qarkullojnë lirisht, sikur të ishin mall në treg. Me vulën e Kalës, çdo gjë bëhet e ligjshme, edhe kur është haptazi krim. Për "meritat" si tjetërsues i pasurive publike, Ardian Tufa në gjithë këtë proces është ndihmuar nga disa topografë, të cilët punojnë vetëm e vetëm për pronat e Narit Lunder.
Më herët, një denoncues ka depozituar në redaksinë e Pamfletit dokumente dhe një audiopërgjim që flet qartë për një realitet shokues. Në të, Ardian Tufa shfaqet me akses të pakufizuar në transferimet e pronave, duke folur për to sikur të ishin sende personale. Në biseda, ai diskuton hapur për "transferime pronash" dhe "pastrime të titujve", pa asnjë drojë, sikur të ishte vetë pronari i kadastrës.
Këto përgjime zbulojnë se "Nardi Lunder" e konsideron veten mbi ligjin, duke lëvizur pronat si në një lojë shahu ku ai është lojtari i vetëm
Nardi Lunder tashmë duket se po eklipson edhe mafien e pronave të Artur Shehut, e cila krahas tij duket thjesht një amatore. Ndërsa Shehu operonte në hije, Tufa vepron në dritën e diellit, me Martin Kalën në kadastër, me topografët në xhep dhe me lejet e ndërtimit në dorë.
Por skema më e turpshme po shpaloset tani në Kodrën e Diellit. Nga informacionet e ardhura thuhet se Ardian Tufa po përgatitet për bingon e radhës: një sipërfaqe rreth 35 hektarësh sipër Kodrës së Diellit po bëhet gati të futet në "laboratorin" e Ardian Tufës. Por në këtë rast, sipas burimeve, Nardi Lunder po përdor policinë e shtetit për të zgjidhur konfliktet me banorët, duke i detyruar ata të deklarojnë se nuk u takon asnjë pronë në atë zonë, një fakt ky që, nëse provohet nga hetuesit, përbën një rast flagrant shkeljeje të ligjit.
Sipas burimeve, Ardian Tufa ka angazhuar Postën Policore për të kryer të gjitha veprimet dhe për t'u marrë banorëve deklaratat se toka e tyre nuk u takon. Një sipërfaqe e madhe që po kopsitet për t'ia dhënë më pas një oligarku, në një operacion që të kujton metodat më të errëta të mafies së pronave.
Me dosje penale për tjetërsim pronash, falsifikim dokumentesh dhe bashkëpunim kriminal me kadastrën:
– Dosje penale ende në proces ndaj Ardian Tufës dhe Martin Kalës është ajo për tjetërsimin e 300 hektarëve tokë në Lundër, me vlerë tregu 35 milionë euro, ku së bashku kanë kaluar pronat e kontestuara në emër të tij.
– Dosje penale ende në proces ndaj Ardian Tufës është ajo për falsifikim dokumentesh dhe transferime pronash, ku topografet e tij kanë vënë në letër çdo gjë pa asnjë verifikim.
– Dosje penale ende në proces ndaj Ardian Tufës është ajo për shkelje të rënda të ligjit të pronësisë, ku mijëra metra katrorë tokë i janë zhdukur banorëve dhe i janë shtuar pasurisë së "Narit Lunder".
Për këto dosje nuk dihet në çfarë faze hetimi ndodhen, apo nëse disa prej tyre janë pushuar fshehurazi. Por ajo që dihet me siguri, është se Ardian Tufa po ndiqet hap pas hapi nga hetuesit.
Në vitet e fundit, pavarësisht se kishte katër dosje penale, Ardian Tufa vazhdonte të operonte i paprekur në Farkë, duke shtuar çdo ditë e më shumë pasuri në emër të tij, derisa tani ka hedhur sytë nga Kodra e Diellit.
Ndërsa tani, hetuesit e Prokurorisë së Posaçme janë vënë në lëvizje dhe po hetojnë të gjithë batërdinë me pronat në zonën e 'Narit Lundër', ku shumë shpejt pritet të zbardhet e gjithë skema. Por pyetja mbetet: a do të guxojnë banorët e frikësuar të flasin? Apo do të vazhdojë "Nardi Lunder" të operojë i paprekur, ndërsa kadastra dhe policia i shërbejnë si gardë personale?
Nuk është e vështirë të kuptohet se për çfarë shërbimesh të tilla ky xhambaz i pronave, falsifikimit të dokumenteve dhe presionit ndaj qytetarëve transferohet nga një zonë në tjetrën, ndërsa nuk preket nga drejtësia për skemën e tij në Farkë dhe Kodrën e Diellit.. /Pamfleti
Lini një Përgjigje