TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia30 Qershor 2026, 18:05

Bombë urbane në zemër të Tiranës/ Pallati 12-katësh mbi kolektorin kryesor të kanalizimeve, çfarë afere luhet?

Shkruar nga Pamfleti
Bombë urbane në zemër të Tiranës/ Pallati
Masakra te Brryli

Skandal te Brryli, leje për pallat mbi kolektorin që mban peshën e kanalizimeve të zonës…

Lejet e pafundme të firmosura nga Edi Rama dhe tarafi i tij, përveçse po betonizojnë Tiranën, duket se po fusin në sherr edhe qytetarët.

Në një prej zonave kryesore të Tiranës, zona e Brrylit, shumë pranë maternitetit "Koço Gliozheni", pritet të ngrihet një përbindësh 12-katësh. Edhe pse aty është një shesh pallati, e gjitha do të rrafshohet dhe do të ngrihet një pallat ngjitur me godinat e tjera, ku, përveç shkatërrimit të hapësirave publike, ka një problem themelor: Godina është planifikuar të ndërtohet mbi kolektorin kryesor të ujërave të zeza.

Leja e Ndërtimit nr. 73/20 Prot., datë 04.12.2025, e miratuar mbi bazën e vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, autorizon ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi me disa kate mbi tokë dhe dy kate nëntokë në Bulevardin "Bajram Curri". Dokumentacioni teknik tregon se nën truall kalojnë kolektorë aktivë të kanalizimeve, përfshirë një kolektor kryesor me diametër Ø800 mm, pjesë e rrjetit kryesor që shërben një pjesë të konsiderueshme të kryeqytetit, përfshirë edhe zonën e Brrylit, një nga lagjet më të dendura dhe më të populluara të Tiranës.

Bombë urbane në zemër të Tiranës/ Pallati

Leja e ndërtimit i ishte dhënë kompanisë "Walter Construction", me pronar shtetasin Demokrat Valteri. Kompania është themeluar në vitin 2019, duke mos kryer asnjë aktivitet. Por, në vitin 2022, situata merr një kthesë të çuditshme. Më datë 16 dhjetor 2022, asambleja e kompanisë, që përbëhej vetëm nga pronari, pra Demokrat Valteri, merr vendimin që t'i dhurojë shtetasit nga Durrësi, por me banim në Tiranë, Edmond Koka, 50% të aksioneve.

Kështu, kompania u nda 50% Demokrat Valteri dhe 50% Edmond Koka. Administrimi i shoqërisë i mbeti sërish shtetases Evisa Valteri.

Pas kësaj, kompania nis të marrë leje ndërtimi, mes të cilave edhe ajo për të cilën po flasim sot. Kompania do të ndërtojë në një shesh pallati, i cili dikur ishte zaptuar si parkim privat, por i doli pronari dhe tani do të ketë 12 kate.

Por, për banorët, problemi më i madh nuk është ky, por fakti që po ndërtohet mbi kolektorin e ujërave të zeza.

Bombë urbane në zemër të Tiranës/ Pallati

Prej muajsh, ata thonë se kanë kërkuar transparencë, shpjegime dhe përgjigje konkrete. Në vend të tyre, sipas tyre, kanë hasur një administratë që flet me procedura, por jo me qytetarët. Përgjegjësitë kalojnë nga një institucion te tjetri, ndërsa pyetja kryesore mbetet pa përgjigje: çfarë garancie ekziston që kolektori kryesor nuk do të cenohet?

Pikërisht kjo, sipas banorëve, është forma më e dukshme e arrogancës institucionale. Jo sepse institucionet kanë marrë një vendim që ata nuk e pëlqejnë, por sepse kanë krijuar përshtypjen se zëri i komunitetit nuk ka asnjë peshë përballë vendimeve të marra. Kur bëhet fjalë për sigurinë e një lagjeje të tërë, heshtja dhe mungesa e transparencës perceptohen po aq shqetësuese sa vetë projekti.

Kolektorët kryesorë të kanalizimeve janë ndër elementët më kritikë të funksionimit të një qyteti. Çdo ndërhyrje që cenon integritetin ose funksionimin e tyre mund të shkaktojë bllokimin e rrjetit të kanalizimeve, dalje të ujërave të zeza në sipërfaqe, përmbytje masive, ndotje mjedisore dhe rreziqe serioze për shëndetin publik. Në një zonë me dendësi të lartë banimi si Brryli dhe Bulevardi "Bajram Curri", një dështim i tillë nuk do të ishte thjesht një problem teknik. Ai mund të shndërrohej në një emergjencë urbane me pasoja për mijëra banorë.

Bombë urbane në zemër të Tiranës/ Pallati

Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a., institucioni që zotëron këtë kolektor, ka konfirmuar me shkrim se tubacionet nën truall janë në gjendje pune dhe se në to shkarkojnë objektet përreth. Në një shkresë tjetër, UKT-ja ka refuzuar të miratojë projektin për zhvendosjen e rrjetit, sepse ai nuk është i firmosur nga projektuesi përgjegjës dhe nuk parashikon mbrojtjen e ndërtesës fqinje 8-katëshe, themelet e së cilës preken nga gërmimi.

Bombë urbane në zemër të Tiranës/ Pallati

Pra, kjo është një dëshmi e qartë e batërdisë së ndërtimeve. E para, si mundet të jepet leje pallati mes dy godinave që janë pranë njëra-tjetrës, pasi dritaret do të jenë ngjitur me njëra-tjetrën, për të mos thënë se nuk do të ketë fare. Pastaj elementi tjetër është kolektori. A mund të jepet një leje ndërtimi pa studiuar më parë nëntokën? Vetëm në Shqipëri ndodhin të tilla çudira, aty ku mjafton që pushtetarët të mbushin xhepat, pasi pasojat i vuan populli. /Pamfleti

bryli pallati

2 Komente

  1. E
    E vertete

    Paskan pasur fat keta banoret! Sa raste te tille ka kur vjen tjetri dhe te ngre nje kulle e te merr driten, ajrin dhe te ben apartamentin te pavlere? Gjithe kursimet e jetes shkojne per lesh! Dhe perse, sepse nje kope te korruptuarish ne AZHT bejne cfare i do bytha!

    1. E
      Edi

      Respekte Inxhinierit të Ukt që se ka firmosur spostimin e kanalizimeve për epshet e dikujt që vetëm të shesë këtë objekt dhe të pastrojë paratë, kurse sa për katastrofën urbane që shkaktohet nuk i plas fare. Po në çfarë kryeqiteti të botës mund të bëhen këto marëzira more se po e bëni popullin të bëj vetëgjyqësi!

      Lini një Përgjigje