Një vit më parë ishte një rrëfim në një libër investigativ. Sot është pjesë e një dosjeje zyrtare të SPAK. Historia e takimit sekret në ishullin Aruba nuk është më një teori konspirative, por një nga episodet më enigmatike që lidh organizatat kriminale shqiptare me biznesin dhe dyshimet për kontakte në nivelet më të larta të shtetit.
Për vite me radhë, "Aruba" ishte vetëm një emër që qarkullonte në qarqet investigative. Një ishull në Karaibe, larg Shqipërisë, ku thuhej se ishin takuar bosë të krimit, biznesmenë dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare.
Sot, kjo histori nuk mbështetet më vetëm te dëshmitë apo burimet gazetareske.
Një operacion i fundit i SPAK ka konfirmuar se takime të tilla kanë ekzistuar. Në dosjen hetimore përmenden Aruba dhe Spanja si vende ku janë zhvilluar takime mes personave nën hetim, ndërsa komunikimet në SkyECC, përgjimet dhe informacionet e ardhura nga Belgjika e Spanja flasin për negociata që lidhen me prona, leje ndërtimi dhe investime në Shqipëri.
Megjithatë, pyetja më e rëndësishme mbetet ende pa përgjigje.
Kush ishin zyrtarët shqiptarë që morën pjesë në Aruba?
Zbulimi që erdhi nga Italia
Historia doli për herë të parë në dritë falë gazetarit investigativ italian Nello Trocchia, autor i librit "Invincibili. La mafia albanese da Roma alla conquista del mondo".
Në një kapitull të veçantë, Trocchia publikoi për herë të parë ekzistencën e një takimi të zhvilluar në ishullin Aruba gjatë periudhës 24-31 janar 2019.
Ai nuk e paraqiti historinë si thashethem.
Gazetari shkruan se informacioni vinte nga dokumente të Antimafias italiane dhe nga materialet hetimore të autoriteteve evropiane.
Sipas tij, në Aruba u mblodhën figura të rëndësishme të organizatës kriminale shqiptare, biznesmenë dhe, ajo që e bënte historinë tronditëse, "përfaqësues të paidentifikuar të qeverisë shqiptare në detyrë".
Ky ishte elementi që e dallonte Arubën nga çdo histori tjetër.
Nuk flitej vetëm për trafik droge. Flitej për politikë.
Pse pikërisht Aruba?
Sipas materialeve të publikuara nga Trocchia, hetuesit italianë arrinin në përfundimin se ishulli ishte zgjedhur me kujdes.
Në dokumente thuhet se takimi u organizua në Antilet Holandeze sepse hyrja nuk kërkonte vizë dhe garantonte diskrecion maksimal.
Sipas hetuesve, aty ishte i pranishëm Artur Shehu, i cilësuar si një nga figurat më të rëndësishme të krimit shqiptar me aktivitet në Evropë dhe SHBA.
Në takim përmenden gjithashtu emra si Genci (Alfredo) Hamzai dhe persona të tjerë të organizatës.
Por elementi më i rëndësishëm ishte se në përgjimet telefonike flitej për praninë e figurave të larta të ekzekutivit shqiptar.
Çfarë u diskutua në ishull?
Sipas librit të gazetarit italian, në Aruba nuk u fol për drogën. U fol për biznes. Më konkretisht, për investime në Shqipëri.
Në dokumentet e cituara prej tij thuhet se qëllimi ishte arritja e një marrëveshjeje për leje ndërtimi dhe zhvillimin e një kulle të madhe në Tiranë, territor që, sipas hetuesve, lidhej me interesa të dy grupeve kriminale.
Po ashtu, në komunikime flitet për investime në Vlorë dhe zhvillime të tjera imobiliare.
Pra, sipas këtij versioni hetimor, Aruba nuk ishte një takim për të organizuar trafik droge.
Ishte një samit ku krimi kërkonte të hynte në ekonominë legale përmes betonit, kullave dhe pronave.
Nga libri te dosja e SPAK
Për shumë kohë, historia mbeti vetëm në librin e Trocchia. Por disa javë më parë ndodhi zhvillimi që ndryshoi gjithçka.
SPAK zhvilloi një operacion të madh kundër një grupi kriminal dhe në dosjen hetimore u shfaqën sërish Aruba dhe Spanja.
Sipas hetuesve shqiptarë, komunikimet në SkyECC, përgjimet dhe informacionet e ardhura nga autoritetet belge e spanjolle provojnë se personat nën hetim kanë zhvilluar takime në këto vende në periudhën kur po kryheshin edhe veprime intensive mbi një pronë në rrugën "Dervish Hima" në Tiranë.
Në qendër të kësaj skeme rezulton Artur Shehu.
SPAK thotë se ai kishte marrë përsipër zhvillimin e pronës dhe sigurimin e dokumentacionit ligjor, ndërsa në këmbim do të përfitonte 50 për qind të saj.
Më pas nisën kontratat e dhurimit, transferimet e vazhdueshme të sipërfaqeve të tokës dhe veprimet që hetuesit dyshojnë se janë përdorur për të fshehur pronësinë reale.
Në vitin 2022, trualli u shpronësua nga shteti për projektin "Shkolla e Biçikletave", kundrejt një vlere prej rreth 353 milionë lekësh.
Sipas SPAK, takimet në Aruba lidhen pikërisht me këtë skemë zhvillimi dhe me përpjekjet për sigurimin e lejeve të ndërtimit.
Misteri i madh: Kush përfaqësonte qeverinë?
Edhe pse SPAK konfirmon ekzistencën e takimeve, një element mbetet i pazbardhur. Në dosjen shqiptare nuk bëhen publikë emrat e zyrtarëve të shtetit.
Megjithatë, gazetari Artan Hoxha ka deklaruar publikisht se, sipas informacioneve që ai disponon nga autoritetet belge, në Aruba përmenden dy persona.
Njëri, sipas tij, ishte deputet në atë kohë.
Tjetri përshkruhet si një person shumë i afërt me kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues i ekzekutivit, i cili mund të ndihmonte në procedurat që lidhen me investimet.
Nga ana tjetër, sipas raportimeve të publikuara nga Pamfleti, personi që dyshohet se përmendet në këto materiale është Engjëll Agaçi, në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë.
Ky pretendim nuk konfirmohet në dosjen e SPAK dhe emri i tij nuk publikohet në materialet hetimore.
Dosja zbulon edhe një episod tjetër
Hetimi nuk ndalet vetëm te pronat. Në komunikimet SkyECC del një episod që ngre dyshime për përdorimin e automjeteve diplomatike në transportimin e drogës dhe parave.
Në një bisedë të vitit 2020, një nga personat nën hetim shkruan: "Të hënën vjen ai me CD..."
Sipas analizës së SPAK, referenca për "CD" krijon dyshime se bëhej fjalë për një person që lëvizte me targa diplomatike.
Në komunikime të tjera përmendet edhe fakti se "shoferi CD" nuk mund të lëvizte dhe se ishte "me delegacion".
Për hetuesit, këto komunikime përbëjnë indicie për përdorimin e statusit diplomatik në transportin ndërkombëtar të lëndëve narkotike ose parave.
Aruba, simboli i një epoke
Historia e Arubës nuk është më thjesht historia e një takimi në një ishull tropikal. Ajo është kthyer në simbolin e mënyrës se si, sipas materialeve hetimore, ndërthureshin krimi i organizuar, biznesi, zhvillimi urban dhe kontaktet me pushtetin.
Nga një libër investigativ i botuar në Itali, te përgjimet SkyECC, letërporositë nga Belgjika dhe Spanja dhe dosja zyrtare e SPAK, Aruba ka kaluar nga një histori e pabesueshme në një çështje konkrete hetimore.
Megjithatë, enigma më e madhe mbetet ende e pazgjidhur. Pse SPAK i fshehu zyrtarët shqiptarë që udhëtuan në Aruba dhe çfarë marrëveshjesh u diskutuan realisht në atë ishull të Karaibeve?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të jetë çelësi për të kuptuar një nga episodet më të errëta të lidhjes së dyshuar mes krimit të organizuar, biznesit dhe politikës në Shqipëri. /Pamfleti
Lini një Përgjigje