TAGS-AT E JAVËS

Kronike 4 Korrik 2026, 09:35

Aksident i rëndë në Morinë, përplasen 6 makina; mes 7 të plagosurve edhe një grua shtatzënë

Shkruar nga Pamfleti
Aksident i rëndë në Morinë, përplasen 6 makina; mes 7
Aksident i rëndë në Morinë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të shtunë në kilometrat e fundit të autostradës "Ibrahim Rugova", në afërsi të pikës kufitare të Morinës.

Në ngjarje janë përfshirë gjashtë automjete, ndërsa si pasojë disa persona kanë mbetur të lënduar.

Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, shtatë persona kanë pësuar lëndime, mes tyre edhe një fëmijë dhe një grua shtatzënë në muajin e shtatë.

Të lënduarit janë transportuar me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Prizrenit, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Deri tani nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion mbi gjendjen shëndetësore të tyre.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipet e emergjencës, të cilat kanë ndërhyrë për t'u ardhur në ndihmë të lënduarve dhe për të menaxhuar situatën.

Si pasojë e aksidentit, njëra korsi e autostradës në drejtimin Prizren–Morinë është bllokuar, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe kolona të gjata automjetesh. Policia po orienton qarkullimin dhe u bën apel drejtuesve të mjeteve që, nëse është e mundur, të shmangin këtë segment rrugor ose të respektojnë udhëzimet e efektivëve në terren.

Rrethanat që çuan në aksident mbeten ende të paqarta. Policia e Kosovës pritet të publikojë më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve hetimore.

Lini një Përgjigje