TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Qershor 2026, 19:00

12 ditët që tronditën kastën politike

Shkruar nga Pamfleti
12 ditët që tronditën kastën politike
Foto nga protesta

Mijëra qytetarë sërish para Kryeministrisë me thirrjet “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Dorëheqje”. Lëvizja që nisi për Zvernecin është kthyer në revoltën më të madhe qytetare të 35 viteve të fundit kundër gjithë establishmentit politik.

Për të 12-ën ditë me radhë, mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë në Tiranë, duke konfirmuar se ajo që nisi si një protestë kundër projekteve në Zvernec është shndërruar në një lëvizje të paprecedentë kundër gjithë klasës politike shqiptare.

Me thirrjet “Rama në burg”, “Berisha në burg”, “Dorëheqje” dhe “Shqipëria nuk është pronë e juaja”, protestuesit kanë marshuar sërish drejt qendrës së vendimmarrjes politike, duke përcjellë një mesazh që prej ditësh po bëhet gjithnjë e më i qartë: zemërimi nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por ndaj gjithë modelit politik që ka dominuar Shqipërinë në tre dekadat e fundit.

Në historinë e pluralizmit shqiptar janë parë protesta të organizuara nga partitë, tubime elektorale, protesta opozitare dhe përplasje të forta politike. Por rrallëherë, për të mos thënë kurrë, është parë një mobilizim i tillë qytetar që nuk drejtohet nga partitë politike, nuk kontrollohet nga strukturat tradicionale dhe nuk ka në krye emrat e zakonshëm të politikës.

Pikërisht ky është elementi që e ka bërë protestën e ditëve të fundit të ndryshme nga gjithçka që Shqipëria ka parë në 35 vitet e fundit.

Në shesh nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër Edi Ramës. Po aq të forta janë edhe thirrjet kundër Sali Berishës, Partisë Demokratike dhe opozitës tradicionale. Për shumë prej protestuesve, problemi nuk lidhet vetëm me një qeveri apo me një mandat të caktuar, por me një klasë politike që sipas tyre ka konsumuar besimin e qytetarëve.

Në këtë kuptim, protesta është shndërruar në një shuplakë të dyfishtë për politikën shqiptare.

Nga njëra anë, ajo po vë në vështirësi kryeministrin Edi Rama, i cili prej ditësh është përpjekur ta trajtojë lëvizjen me ironi, duke minimizuar përmasat dhe ndikimin e saj. Megjithatë, fakti që protesta vazhdon të mbledhë qytetarë për ditë me radhë dhe po tërheq vëmendje edhe jashtë Shqipërisë, tregon se qeveria po përballet me një situatë të pazakontë.

Për herë të parë në karrierën e tij politike si kryeministër, Rama po përballet me një lëvizje që nuk vjen nga kundërshtari tradicional politik dhe që nuk mund të etiketohet lehtësisht si protestë e opozitës.

Nga ana tjetër, zhvillimet e ditëve të fundit përbëjnë një goditje edhe për opozitën. Për vite me radhë Partia Demokratike ka organizuar protesta, mitingje dhe tubime kundër qeverisë, por rrallëherë ka arritur të prodhojë një mobilizim të ngjashëm me atë që po shfaqet sot në rrugët e Tiranës.

Ky është paradoksi i momentit politik shqiptar: ndërsa qytetarët po mbushin sheshet kundër qeverisë, ata refuzojnë njëkohësisht t'i japin meritë apo përfaqësim opozitës tradicionale.

Shumë prej pjesëmarrësve e kanë thënë hapur se nuk protestojnë për t’i dhënë pushtetin një partie tjetër, por për të sfiduar të gjithë establishmentin politik të krijuar pas viteve ’90.

Prandaj, pas 12 ditësh protestash, duket se lëvizja ka hyrë në një fazë tjetër. Ajo nuk është më vetëm një reagim ndaj një projekti në Zvernec apo ndaj një vendimi të qeverisë. Është shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë së akumuluar prej vitesh ndaj një sistemi politik që shumë qytetarë e konsiderojnë të konsumuar.

Dhe pikërisht ky është elementi që po e bën protestën të veçantë: për herë të parë pas shumë vitesh, në shesh nuk po kërkohet rotacion politik. Po kërkohet ndryshim i vetë mënyrës se si është ndërtuar politika shqiptare. /Pamfleti

protesta rama berisha

Lini një Përgjigje