TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Qershor 2026, 18:49

Elvira Dones shpërthen ndaj Ramës: Nuk ke të drejtë ta bësh Shqipërinë kurban për ambicien tënde

Shkruar nga Pamfleti
Elvira Dones shpërthen ndaj Ramës: Nuk ke të drejtë ta
Edi Rama & Elvira Dones

Shkrimtarja e njohur shqiptare mbështet protestat që prej 12 ditësh po mbajnë të mbushura sheshet e Tiranës. Dones kujton se e mbështeti Ramën në vitin 2013, por sot e konsideron atë një zhgënjim të madh dhe i kërkon të largohet.

Shkrimtarja e njohur shqiptare Elvira Dones ka reaguar publikisht në mbështetje të protestave që prej 12 ditësh po zhvillohen në Tiranë, ndërsa ka drejtuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, Dones shprehet se po ndjek me emocion zhvillimet në Shqipëri dhe se mobilizimi qytetar i ditëve të fundit përbën një moment të rrallë në jetën publike të vendit.

Postimi i saj nis me një reflektim filozofik mbi gjumin dhe ndërgjegjen, për t’u ndalur më pas te kryeministri dhe situata politike në vend.

Nuk di si fle e si zgjohet Kryeministri shqiptar; nuk kam si ta di. Platoni, në veprën e tij ‘Republika’ përqaste gjumin me botën e hijeve dhe iluzioneve, duke sugjeruar se mendja gjatë gjumit sjell në sipërfaqe refleksione të realitetit, më shumë (apo në vend) të së vërtetës”, shkruan Dones.

Shkrimtarja tregon se ndonëse ndodhet larg Shqipërisë, prej javësh po ndjek me vëmendje zhvillimet në vend dhe protestat qytetare.

Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional. Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë”, shprehet ajo.

Dones ndalet veçanërisht te protestuesit që prej ditësh po mbushin sheshet, duke i cilësuar ata si simbol të një shprese të re për vendin.

Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe. Ata njerëz flenë mirë: nipat e mi flenë mirë, të moshuarit dhe brezi i ri i palidhur nga zinxhirët e partive flenë mirë. Kush po proteston fle mirë, pasi e di që po bën diçka për vendin, sepse kur thika të ka kaluar tej e tej nuk ke më ç’të humbasësh”, shkruan Dones.

Postimi i plotë:

Nuk di si fle e si zgjohet Kryeministri shqiptar; nuk kam si ta di.

Platoni, në veprën e tij “Republika” përqaste gjumin me botën e hijeve dhe iluzioneve, duke sugjeruar se mendja gjatë gjumit sjell në sipërfaqe refleksione të realitetit, më shumë (apo në vend) të së vërtetës. Gjatë fjetjes, subkoshienca – e cila gjatë ditës normalisht shtyp e nënshtron natyrën bestiale të individit – gjatë natës nuk na lë të qetë. E vërteta dhe perceptimi vetjak i realitetit janë gjithmonë në luftë mes tyre.

E mora larg e larg. Por larg jam, fizikisht, këto javë, nga vendlindja e edhe nga Zvicra, vendi adoptiv. Kam ndjekur e ndjek netëve e çdo mëngjes, përshkuar nga emocione që i afrohen tërmetit emocional.

Nuk kam fjalë të mënçura, pasi shumë pena të ndritura në Shqipëri e në diasporë kanë shkruar bukur, kthjelltë. Nuk do të dija të shkruaja më mirë.

Por ja, e kam me këtë punën e gjumit. Si fle Edi Rama? Përpos arrogancës, gënjeshtrave e talljeve e bërbuzjes që u bën turmave në sheshe; përpos akuzave të komploteve ndërkombëtare. Është në vështirësi, edhe se më mirë vdes se t’ia pranojë vetes. Hamendësoj se edhe skllevërit e administratës së tij janë në sëkëlldi, por më mirë bëjnë sepuku se të marrin guximin t’i thonë bosit: Po shkojmë në vetvrasje.

Ajo që unë shoh është mrekullia e turmave në sheshe.

Ata njerëz flenë mirë: nipat e mi flenë mirë, të moshuarit dhe brezi i ri i palidhur nga zinxhirët e partive flenë mirë..

Kush po proteston fle mirë, pasi e di që po bën diçka për vendin, sepse kur thika të ka kaluar tej e tej nuk ke më ç’të humbasësh. Por mund t’i thonë vetes se aty ishin. Protestojnë sfilitur nga ulja e kokës; sfilitur nga të qënit konsideruar flora e fauna.

Edi Rama, në 2013 të besuam. Unë mes shumë të tjerëve, duke shpresuar në një tjetër Shqipëri. Personalisht mendoj se ishte gabimi më i madh që bëra. Errare humanum est. Shqipja jote dikur, Rama, ishte brilante. Ti ishe njeriu jashtë skemave; edhe ekscentrizmi yt na u duk i denjë për një tjetër Shqipëri.

Tani Edi Rama edhe shqipja jote është varfëruar. Kur të dëgjoj e lexoj më kapin mornicat.
Tani të ftoj ta lësh vendin të marrë frymë. Forca jote aktuale është një opozicion qesharak, i cili të përshtatet.

Por, Rama, lëre Shqipërinë të bëjë gabime të tjera.

Nuk ke të drejtën të bësh Shqipërinë Kurban për ambicien tënde të sëmure.

elvira dones rama

Lini një Përgjigje