Anëtarësimi i Shqipërisë në të ashtuquajturin “Bordi i Paqes” nuk paraqitet si një hap thjesht diplomatik, por si një lëvizje me objektiv të qartë politik. Kështu vlerëson televizioni publik zviceran SRF në një analizë të korrespondentit të tij, Peter Balzli, duke e lidhur vendimin e Tiranës me përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për t’u afruar me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas SRF-së, Rama ka kërkuar prej kohësh të ndërtojë një raport më të drejtpërdrejtë me Trumpin. Media rikujton një video të publikuar në tetor, ku kryeministri shqiptar ironizonte një deklaratë të presidentit amerikan, i cili kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë. Pamjet u shpërndanë gjerësisht në mediat ndërkombëtare dhe, sipas analizës, krijuan një moment të sikletshëm në raportet publike mes dy liderëve.
Në këtë kuadër, SRF e interpreton anëtarësimin në “Këshillin e Paqes” si një përpjekje të Ramës për të rikonsoliduar marrëdhëniet me administratën amerikane.
Shkrimi i plotë
Në janar, presidenti amerikan Donald Trump prezantoi në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të ashtuquajturin “Bord i Paqes”. Vendet kryesore evropiane nuk morën pjesë në themelimin e tij, pasi e konsiderojnë këtë strukturë si një mekanizëm paralel me Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ndër vendet që synojnë t’i bashkohen kësaj nisme janë tre shtete të Ballkanit: Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria. Rumania ka shprehur interes për të marrë pjesë si “vëzhguese” në mbledhjen e parë. Korrespondenti i SRF-së, Peter Balzli, analizon arsyet dhe rrethanat e këtyre vendimeve.
Pse duan të anëtarësohen Shqipëria, Bullgaria dhe Kosova?
Sipas Balzlit, secili prej këtyre vendeve ka motive të ndryshme. Të tria kërkojnë afrimin me Shtetet e Bashkuara, duke shpresuar për përfitime politike ose ekonomike.
Shqipëria ka avancuar më tej në këtë proces: Parlamenti shqiptar ka miratuar tashmë anëtarësimin. Në Kosovë pritet që një vendim i ngjashëm të merret së shpejti. Ndërsa në Bullgari situata mbetet e paqartë, pasi vendi do të zgjedhë një parlament të ri në pranverë dhe nuk dihet nëse ai do ta ratifikojë anëtarësimin.
Pse Bullgaria kërkon të bashkohet?
Bullgaria ka vetëm një rafineri nafte, në pronësi të kompanisë ruse Lukoil. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kësaj kompanie. Autoritetet bullgare druhen nga mungesat e mundshme të karburantit dhe shohin në afrimin me administratën Trump një mundësi për të siguruar mbështetje.
Një faktor tjetër lidhet me Deljan Peevskin, kryetar i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë (DPS), i cili njihet si një nga oligarkët më të fuqishëm në Bullgari dhe pronar mediash. Pasuria e tij në SHBA është ngrirë për shkak të akuzave për korrupsion. Sipas analizës së SRF-së, ai ka interes për përmirësimin e marrëdhënieve me administratën amerikane.
Pse Kosova kërkon anëtarësimin?
Kosova nuk është anëtare e OKB-së, pasi Serbia e ka penguar deri më tani këtë proces. Politologu kosovar Leart Hoxha deklaron se “me Këshillin e Paqes ekziston një organizatë ku Kosova trajtohet në mënyrë të barabartë, ndryshe nga përvoja në BE dhe OKB”.
Për Kosovën, mbështetja e SHBA-së mbetet thelbësore. Ndërhyrja ushtarake e SHBA-së dhe NATO-s gjatë luftës së vitit 1999 krijoi kushtet për themelimin e shtetit të Kosovës.
Cilat janë arsyet e Shqipërisë?
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar herët afrimin me Donald Trump. Vajza e Trumpit, Ivanka Trump, dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner po zhvillojnë një projekt turistik luksoz me vlerë rreth 1.4 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit.
Në tetor, mediat ndërkombëtare publikuan pamje ku Rama ironizonte një fjalim të Trumpit, në të cilin ky i fundit ngatërroi Shqipërinë me Armeninë. Sipas vlerësimeve të raportuara nga SRF, kjo situatë përbën një shtysë shtesë për Tiranën që të ruajë marrëdhënie të mira me administratën amerikane.
Si do ta paguajnë shtetet e Ballkanit kuotën e anëtarësimit?
Kuota zyrtare për anëtarësim në “Këshillin e Paqes” është një miliard dollarë. Megjithatë, të tre vendet deklarojnë se nuk presin të paguajnë këtë shumë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar: “Nuk na është kërkuar asnjëherë të paguajmë një shumë të tillë. Statuti nuk e parashikon këtë.” Në fakt, sipas dokumenteve statutore, jo të gjitha shtetet anëtare janë të detyruara të paguajnë shumën prej një miliard dollarësh. /Pamfleti
Lini një Përgjigje