
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin e drejtorit të ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa, ku u bëri thirrje punonjësve të institucionit të qëndrojnë të fortë përballë sfidave aktuale.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal te situata që lidhet me çështje të drejtësisë, duke theksuar se ajo përbën një nga sfidat me të cilat po përballet aktualisht AKSHI.
Sipas Ramës, kjo situatë “krijon mjegull”, duke shtuar se në një klimë të tillë ka aktorë të ndryshëm që përpiqen të përfitojnë. Kreu i qeverisë u shpreh optimist për të ardhmen, duke theksuar se “nesër dielli do të lindë përsëri”.
“Nuk duhet të dorëzoheni, nuk duhet të ligështoheni, duhet të jeni solidarë. Duhet të kuptoni që në fund të ditës çfarë nuk të vret vetëm të forcon. Ka një sfidë që na zgjedh ne, që është sfida për t’u përballur me një çështje të drejtësisë, që në këtë rast prek AKSHI-n. Kjo krijon mjegull dhe nën mjegull ka hiena, ujq, dhelpra, minj dhe gjithë farë lloj dy këmbësh me katër këmbë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se, pavarësisht vështirësive, e ardhmja mbetet në dorën e atyre që punojnë për të dhe se përpjekjet për të avancuar në fusha si Inteligjenca Artificiale do të vijojnë. Sipas tij, zhvillimi i Inteligjencës Artificiale si një forcë e re për vendin është një sfidë e zgjedhur nga vetë qeveria.
Prezantimi i drejtorit të ri të AKSHI-t vjen në një moment kur institucioni është në fokus të proceseve hetimore, ndërsa autoritetet e drejtësisë nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi çështjen.
Lini një Përgjigje