TAGS-AT E JAVËS

Politike17 Shkurt 2026, 11:33

Nga arrestimi i Vesna Bratiç në Mal të Zi te fatura shqiptare e pushimeve nga puna

Shkruar nga Nga redaksia Pamfleti – Shkodër | Podgoricë
Nga arrestimi i Vesna Bratiç në Mal të Zi te fatura shqiptare
Arrestimi i ish-ministres së Arsimit Vesna Bratiç, në Malin e Zi /

400 mijë euro në Podgoricë të çojnë në pranga: Po 100 milionë euro në Tiranë?

Arrestimi i Vesna Bratić në Malin Zi për një dëm të pretenduar prej rreth 400 mijë eurosh nga pushime të paligjshme në arsim është një mesazh i qartë politik dhe penal: vendimet administrative kanë kosto dhe kostot kanë një emër.

Çështja po hetohet nga Prokuroria Speciale e Shtetit dhe sinjali është brutal për klasën politike të Podgoricës; buxheti nuk është pronë e partisë.

Në Tiranë, tabloja është më e zhurmshme dhe më e heshtur njëkohësisht.

Sipas raporteve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe praktikës së Gjykatës Administrative të Apelit, shteti shqiptar paguan çdo vit miliona euro për pushime të paligjshme nga puna.

Fatura vjetore lëviz mes 6 dhe 12 milionë eurove.

Në një dekadë, shifra akumulative ka kaluar 80–100 milionë euro. Janë para, të dala nga taksat, për vendime që gjykatat i quajnë të paligjshme. Por ndryshe nga Podgorica, në Tiranë SPAK hesht.

Këtu fillon paradoksi shqiptar. Në Mal të Zi, 400 mijë euro konsiderohen mjaftueshëm për të hetuar penalisht një ish-ministre.

Në Shqipëri, kur dëmi shumëzohet me dhjetëra herë, përgjegjësia tretet në kolegjialitet, në komisione disiplinore, në firma zinxhir. Askush nuk është autor, sepse të gjithë janë bashkëfirmëtarë. Dhe kur përgjegjësia është e shpërndarë, ajo zhduket.

Pushimet politike nga puna në Shqipëri nuk janë incident, janë sistem. Çdo rotacion pushteti shoqërohet me spastrim administrativ. Administrata trajtohet si plaçkë elektorale, jo si trupë neutrale shtetërore. Pastaj vijnë gjyqet. Shteti humbet. Buxheti paguan. Dhe cikli rinis. Ky është modeli i institucionalizuar i pandëshkueshmërisë.

Pyetja nuk është më nëse ka dëm ekonomik; ai është i dokumentuar.

Pyetja është nëse dëmi ekonomik përbën apo jo përgjegjësi penale.

Nëse 400 mijë euro në Podgoricë ngrejnë dyshime për shpërdorim detyre, po 10 milionë euro në vit në Tiranë çfarë janë? Gabim teknik? Keqkuptim administrativ? Apo një kulturë e rrënjosur e përdorimit të shtetit si “prone të babës”?

Nëse Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të aplikonte të njëjtin standard proporcional si homologët malazezë, panorama do të tronditej. Hetimet nuk do të ndaleshin te tenderat apo ryshfeti klasik, por do të shkonin drejt një fenomeni më pak spektakolar, por shumë më të kushtueshëm: hemorragjia e buxhetit nga vendime të paligjshme politike.

Rasti Bratiç nuk është thjesht një çështje individuale. Është një pasqyrë ku Shqipëria sheh veten dhe shmang shikimin. Sepse nëse standardi është që dëmi financiar ka autor, atëherë politika shqiptare duhet të përballet me një realitet të pakëndshëm: milionat e paguara në heshtje nuk janë fatkeqësi administrative, por produkt vendimmarrjesh konkrete me emra dhe mbiemra.

Dallimi mes Podgoricës dhe Tiranës nuk është te shifra. Është te vullneti për të lidhur faturën me përgjegjësinë. Dhe derisa kjo lidhje të mos bëhet në mënyrë të barabartë, 400 mijë euro do të duken vendime selektive, ndërsa 100 milionë euro si normalitet politik shqiptar./Pamfleti

 

vesna bratiç fatura shqiptare e pushimeve nga puna

3 Komente

  1. O
    Opionisti

    Mund te hetohete ne shqiperi politikane vioa ish ministra dhe kabineti qevirita dhe ish kyeministra

    1. L
      Leone

      Jemi 50 vjet prapa Malit të Zi, mos u matni me të, as me Kosovën!!

      1. D
        Dardan iliri

        Jo për 400 mijë euro,po me qene në një shtete normal edhe për 400 euro del para gjygjit!

        Lini një Përgjigje