
Ish-deputetja Monika Kryemadhi u paraqit paraditen e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po zhvillohet seanca e radhës në procesin penal ku ajo dhe ish-bashkëshorti Ilir Meta, janë marrë të pandehur.
Para se të hynte në godinën e gjykatës, Kryemadhi komunikoi shkurt me gazetarët, duke bërë edhe një koment me humor për aktivitetet e ditës.
“Sot është ditë super… gjyqi ynë, imuniteti i Belindës, protesta e opozitës, filmi im pasdite…”, u shpreh ajo.
Ajo kujtoi gjithashtu se në orën 18:00 do të shfaqej filmi i saj dhe u bëri thirrje gazetarëve të mos e harronin.
Në ambientet e gjykatës ishte i pranishëm edhe avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, i cili para hyrjes në godinë deklaroi se “sot ka ngjarje të mira në këtë seancë”.
Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta përballen me akuzat për fshehje dhe mosdeklarim pasurie, në një proces që po shqyrtohet nga GJKKO pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK. Seancat gjyqësore vijojnë në kuadër të shqyrtimit të kësaj dosjeje.
Lini një Përgjigje