Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë reagimin e parë në ditën e zgjedhjeve, ku qytetarët shqiptarë prej ores 07:00 të mëngjesit të sotëm u janë drejtuar kutive të votimi.
“Mirëmëngjes njisha, jeni gati? ”, shkruan Berisha në Facebook.
Pritet që numri një i PD të votojë në orën 10:00 në ambientet e Liceut Artistik “Jordan Misja”.
Kujtojmë që prej orës 07:00 të mëngjesit të sotmë qytetarët shqiptarë u janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur të mandatuarit e tyre në katër vitet e ardhshme.
Por në disa qendra votimi në veri të vendit janë shfaqur probleme. Gazetari i vizion Plus, Bepin kolvataj bën me dije se në zonën e Dukagjinit në Shkodrë nuk ka nisur ende procesi i votimit, i cili pritet të nisë të paktën me dy orë vonesë.
Gjithashtu e njëjta situatë raportohet edhe në kelmend të Malësisë së Madhe edhe në Fushë Arrëz.
Kujtojmë se 3.7 milion qytetarë do të votojnë sot për të zgjedhur parlamentin e ri të Shqipërisë dhe forcën politike që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.
Në këto zgjedhje janë regjistruar 8 parti dhe 3 koalicione dhe në total janë në garë 2.046 kandidatë të cilët garojnë për 140 vendet e Kuvendit të Shqipërisë që do të zgjidhen në bazë të sistemit proporcional rajonal.
Në të gjithë vendin janë ngritur 5.225 qendra votimi dhe 93 qendra numërimi; ndërkohë që në njësinë nr. 10 në Tiranë dhe në Vorë aplikohet si projekt pilot votimi dhe numërimi elektronik.
Në listën e zgjedhësve 114.642 janë votues për herë të parë. Ndërkohë që për shkak të ligjit të dekriminalizimit 1.081 shqiptarë që janë dënuar për krime të rënda nuk kanë të drejtë të votojnë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, 246 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë garë elektorale.
Lini një Përgjigje