
Gjatë fjalës në tubimin qytetar, ish-kryeministri Sali Berisha foli për largimin e të rinjve nga Shqipëria. Sipas tij, adoleshentët, rinia po ikin nga Shqipëria sepse mbi ta po rëndon tirania e varfërisë nga vjedhja.
Berisha tha se kjo nuk është vetëm një betejë ambiciesh dhe as karrigesh pushteti.
“Është betejë ekzistenciale për ne, për secilin prej nesh.
Betejë ekzistenciale për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë.
Miqtë e mi, sot lexova një nga lajmet më të zeza. Eurostati njoftonte se Shqipëria është vendi i dytë në botë për largimin e adoleshentëve prej saj.
Se Shqipëria renditej pas Sirisë së rrënuar nga një luftë e tmerrshme civile, në vendin e dytë në botë dhe para Afganistanit për largimin e vajzave dhe djemve nën 18 vjeç.
Ky lajm më çoi në memorien time në korrikun e vitit 1990. Një komshi, familje punëtore me datën 1 korrik, i biri i kërkoi nënës, më bli një këmishë. Adoleshent ishte. E ëma iu përgjigj: të keqen nëna, unë këtë 15-ditësh nuk ta blej dot. Dhe djali doli nga shtëpia, u fut në ambasadë për të gjetur fatin e tij.
Miqtë e mi, sot pas 32 vitesh nuk është fjala për të blerë një këmishë apo një triko.
Por është fjala sepse adoleshenti, i riu, e reja, e shohin se nuk mund të jetojnë në kurriz të prindërve të tyre.
E shohin se jetesa në kurriz të prindërve është varfërim i tmerrshëm.
Ndaj dhe ata marrin rrugët për fatin e tyre.
Largohen vetëm e vetëm se mbi ju o qytetarë rëndon një tirani e tmerrshme. Tirania e varfërisë nga vjedhja. Vjedhja dhe vetëm vjedhja”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje