
Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një bashkim “mekanik” i opozitës, nuk mjafton për të siguruar votat e shqiptarëve. Basha tha se njerëzit duhet ta shohin se PD është serioze me ta dhe të ardhmen e vendit.
Më tej, Basha shpjegoi se mbështetja e demokratëve për drejtësinë duhet të jetë e palëkundur.
“Nuk je serioz nëse flet për luftën kundër korrupsionit në mëngjes dhe në darkë shan SPAK-un. Është mungesë e theksuar koherence. Ne duhet ta mbështesim seriozisht reformën në drejtësi dhe SPAK-un në përpjekjet e tij”, tha Basha.
Krizën që përfshiu Partinë Demokratike pas shpalljes non grata të Sali Berishës, Basha e sheh si një mundësi që partia të dalë më e fortë. Ai bëri thirrje për një reformë zgjedhore nga e cila të përfitojnë qytetarët dhe jo disa politikanë për interesa personale.
“Duhet ta marrim seriozisht reformën zgjedhore që i shërben shqiptarëve dhe jo disa politikanëve. Nëse e marrim këtë seriozisht, kjo padyshim do të krijojë një klimë mbështetjeje masive politike për opozitën. Nëse 40 apo 50 deputetë bëhen bashkë, kjo jo vetëm që nuk do të ketë të njëjtin efekt, por mund të kthehet në bumerang! Bashkim përse? Për nevojat e tyre për t’u rizgjedhur? Kujt i intereson kjo? Kjo krizë, si çdo krizë tjetër brenda opozitës, është një shans i madh për t’i treguar shqiptarëve që PD është e aftë të ndryshojë, të përqafojë sfidat dhe të ketë një vizion për të udhëhequr në të ardhmen.”, tha Basha
Kreu i PD-së sulmoi “marrëveshjen e pisët” mes mazhorancës dhe grupit të opozitarëve të udhëhequr nga Gazment Bardhi për amnistinë penale.
“Është e qartë se ‘revolucioni’ në Parlament kishte vetëm motive personale. E pamë që u dorëzua menjëherë me marrëveshjen për amnistinë, që është shumë problematike. Ne paralajmëruam, se qëllimi i vërtetë ishte lirimi i mëse 100 personave të dënuar nga SPAK dhe GJKKO për korrupsion dhe krim të organizuar. Ne e ngritëm këtë çështje, dhamë alarmin se është një marrëveshje e pisët ku zyrtarë të korruptuar dhe të dënuar nga SPAK po liroheshin, ndërsa protestuesit kundër këtij korrupsioni nuk përfituan nga amnistia. Kjo është marrëveshje e pisët, as kompromis nuk mund ta quash, por një nënshtrim i atyre që e quajnë veten opozitë ndaj problematikës kryesore në këtë vend, që është qeveria e korruptuar. Kjo i bën njerëzit të pashpresë.”, tha Basha për Euronews Albania.
Lini një Përgjigje