Salinaji debate të forta me Toni Gogun mbi mënyrën se si do të hetohet për ndërhyrjet në sistemin TIMS...
Komisioni Hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS është konstituar sot mes debateve, akuzave dhe përplasjeve. Në gusht të viti 2023 u denoncua fakti se ka pasur ndërhyrje në sistem, ku dyshohet se mund të jenë hequr apo futur të dhëna, duke kompromentuar këtë sistem. PD kërkoi një komision hetimor, i cili duket se do të trazojë ujërat politike.
Në fjalën e tij, kryetari i komisionit hetimor Ervin Salianji parashtroi edhe planin paraprak të hetimit për komisionin TIMS.
“Do hetohet sistemi për patronazhistët e Partisë Socialiste. Dolën të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve të Tiranës. Do hetohen listat e pagave për më shumë se 600 mijë qytetarë. Dolën të dhënat e automjeteve dhe bankave. U ndërhy në TIMS, tërhoqi dhe vëmendjen e ambasadës së SHBA. Hetimi do të përqendrohet nëse pasur shkelje të kuadrit ligjor për mbrojtjen dhe sigurinë e sistemit TIMS. Si i kanë kryer këto organe funksionet, a kanë kryer shkelje, cilat janë këto shkelje. Të garantohet mbrojtja e të dhënave të qytetarëve shqiptarë dhe të huaj. Komisioni miraton planin e hetimeve, thërret dëshmitarë për të sqaruar rrethanat.
Do kërkohet informacione dhe dokumente nga kryeministri, ministria e Brendshme, SHISH, SPAK, dhe trupat diplomatike. Çdo informacion tjetër të nevojshme për përmbushjen e punës së këtij komisioni.
Përfundimet e komisionit do të prezantohen me 15 korrik. Do nxjerrim para përgjegjësisë të gjithë shkelësit”, tha Salianji.
Më tej pati debate të forta mes tij dhe Toni Gogut. Ky i fundit, akuzoi Rithemelimin për qëndrimin e mbajtur ndaj SPAK-ut duke u shprehur se në mëngjes e mburrin punën e Prokurorisë së Posaçme ndërsa në darkë ndryshonin mendim poshtë ballkonit ku Sali Berisha mbante fjalimet e tij.
“Ne nuk sillemi si Fiona te Shreku që një mëngjes të themi shiko sa mirë SPAK-u dhe në mbrëmje, në rrugicë të shpërfytyruar, të thoni ja SPAK-u i partisë. Nga agimi në muzg mburret SPAK-u dhe nga muzgu në agim mallkohet SPAK-u”, u shpreh Gogu.
Nga ana tjetër, deputeti Ervin Salianji u përgjigj duke krahasuar qeverisjen e socialistëve me personazhin vizatimor që Gogu e përmendi më herët.
“Ju qeverisjen e keni si fytyra e Shrekut. Aq të zezë e keni qeverisjen dhe mirë që e përmende. Është kryeministri I kësaj republike që urdhëron administratën në këtë vend që kur nuk e kanë një favor të mos zbatojnë ligjin. Keni parë një thirrje të tillë ju në çdo vendi demokratë në botë? Ju jeni parti që bëni sikur jeni në amnezi. A ka përgjegjësi kryeministri për të gjithë këto afera që janë kapur apo jo?”, tha ndër të tjera Salianji.
Më tej pati debate dhe për emrat e dëshmitarëve. Salinaji kërkoi të thirren në komision: Edi Rama- Kryeministër; Taulant Balla- Ministër i Brendshëm; Muhamet Rrumbullaku- drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit; Florian Sulejamani- Kreu i AMP; Beldi Çuçi- në cilësinë e ish-ministrit të Brendshëm; Gledis Nano – në cilësinë e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit; Ardi Veliu – në cilësinë e ish-kreut të AMP; Zef Laska; Neritan Nallbati; Dorian Tola; Ervin Muca; Ervina Gjana; Besian Tanuzi; Enri Ndoni; Ardit Muca; Elona Gogo; Erladin Ndreca; Enkli Hoxha; Ergis Hidri; Lubica Dervishaj; Luljeta Collaku; Albana Vrapi; Arben Babaj; Ervis Hysi; Ermal Beqiri; Nevila Xoxa.
Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti në Komisionin Hetimor për sistemin TIMS tha se meqenëse do të thirren ish-funksionarë, duhet të vijë edhe Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Po ashtu u kërkua dhe Gazmet Bardhi, i cili ka folur se ka pasur të dhëna. /Pamfleti
Lini një Përgjigje