Duke folur para një grupi sipërmarrësish të teknologjisë në Moskë në qershorin e vitit 2022, Vladimir Putin e krahasoi veten me Pjetrin e Madh, Carin rus të shekullit XVIII, që rimori territoret ruse pas Luftës së Madhe Veriore kundër Suedisë. “Duket se edhe neve na ka rënë barra e rikuperimit të territoreve historike të Rusisë dhe forcimit të saj”-përfundoi ai.
Nuk ishte hera e parë dhe as e fundit, që presidenti rus foli mbi natyrën koloniale të luftës në Ukrainë. E megjithatë, kjo nuk i ka penguar shumë mbështetës të Putinit në Perëndim që ta fajësojnë NATO-n për vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën. Madje edhe establishmenti liberal, i ka rezistuar pranimit të aspekteve koloniale të pushtimit të tij.
Zyrtarët politikë në Uashington dhe Evropë, preferojnë një narrativë të ndryshme. Sipas tyre, ajo që po ndodh në Ukrainë është një luftë midis Perëndimit demokratik dhe Lindjes autokratike, dhe jo një luftë për çlirim kombëtar. Për demokracitë perëndimore, korniza dominuese e përdorur për ta interpretuar politikën botërore, vazhdon të jetë ajo e një lufte midis Perëndimit dhe forcave të errëta të despotizmit që e kërcënojnë atë nga jashtë.
Lufta e Dytë Botërore, e pasuar nga Lufta e Ftohtë, janë përsëritje të së shkuarës. Ndërsa me pushtimin rus të Ukrainës, ne kemi hyrë në një kapitull të ri. Nga ata që kanë këtë perspektivë, dëgjon shpesh të thuhet se problemi i Putinit ishte demokracia e Ukrainës, për të cilën ai kishte frikë se mund të përhapej edhe në Rusi.
E vërteta është se ajo që do Putin është pushtimi i Ukrainës. Diku tjetër, narrativa në lidhje me politikën botërore është e ndryshme. Në Afrikë apo Azi, teza themelore që shpjegon dy shekujt e kaluar, është lufta për çlirim kombëtar kundër fuqive koloniale dhe shfrytëzimit të tyre.
Në esenë e tij të vitit 1950 me titull “Diskurs mbi kolonializmin”, poeti dhe politikani nga Martinika, Aimé Césaire, e interpretoi edhe nazizmin përmes prizmit të kolonializmit. Për të, e reja që solli Hitleri, ishte zbatimi në Evropë i procedurave kolonialiste, që deri atëherë ishin zbatuar ekskluzivisht për popullatat në Jugun Global.
Lufta në Ukrainë mund të interpretohet po aq lehtë nga të dyja këndvështrimet. Në vitin 2022, kur udhëtova në Azi dhe Afrikë, e kuptova se gjendja e rëndë e Ukrainës, do të kishte shumë më tepër simpati në Jugun Global, nëse do të paraqitej si një luftë për çlirim kombëtar. Dhe se do të ndihmonte jo pak, nëse Rusia përshkruhet si perandoria e fundit ne Evropë.
Megjithatë, demokracitë perëndimore ishin tejet ngurruese për ta përqafuar këtë narrativë. Sepse shndërrimi i antikolonializmit në një thirrje për t’u tubuar rreth një aleancë të madhe anti-Rusi, mund t’i detyrojë ata të ndryshojnë qëndrimin e tyre zyrtar për një sërë çështjesh të tjera, nga çështja palestineze tek “shekulli i poshtërimit kombëtar” të Kinës para Luftës së Dytë Botërore, të cilin liderët perëndimorë priren ta hedhin poshtë thjesht si propagandë.
Bashkëbiseduesit e mi në Jugun Global, më thoshin shpesh se demokracitë perëndimore do të dështonin të zbatonin të njëjtat standarde në të drejtën ndërkombëtare, nëse civilët e pafajshëm që do të sulmoheshin do ishin jashtë Perëndimit. Shumë prej tyre shohin një kontradiktë të hapur në përgjigjen e Perëndimit ndaj luftës së Izraelit në Gaza, në krahasim me atë në Ukrainë.
Gjatë vitit të parë të luftës ishte presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ai që mori mantelin e antikolonialistit revolucionar, duke argumentuar se diçka nuk shkonte me një rend botëror në të cilin mund të ndodhte pushtimi brutal si ai i vitit 2022. Që atëherë, ai e ka zbutur gjuhën e tij, por përpjekjet e tij për të mbledhur sa më shumë vende për një konferencë për paqe në datat 15-16 qershor, tregojnë të njëjtën dëshirë për ta universalizuar konfliktin.
Lufta në Gaza e kërkon një çmim: Më kanë thënë se shumë udhëheqës joevropianë nuk do të shkojnë në Zvicër për konferencën, në shenjë proteste ndaj kontradiktave të Perëndimit. Më 1 qershor, fola mbi luftën dhe kolonializmin në panairin e librit në Kiev. Edhe pse dërgesat e reja të armëve kanë nisur të mbërrijnë në Ukrainë, mobilizimi i trupave është bërë gjithnjë e më i vështirë.
Ndërprerjet e përditshme të energjisë, të cilat zgjatin shumë orë, po e dëmtojnë shumë kryeqytetin. Pas diskutimit në panair, studentët në audiencë ndanë disa nga zhgënjimet e tyre. Njëri prej tyre u ankua se Perëndimi është i gatshëm të bëjë për Izraelin, atë që nuk e ka bërë asnjëherë për Ukrainën.
Një tjetër argumentoi se Perëndimi është më i shqetësuar për mbrojtjen e aseteve ushtarake ruse nga sulmet e Ukrainës, sesa mbrojtjen e civilëve ukrainas në Kharkiv dhe qytete të tjera në lindje. Për Ukrainën, ka rreziqe të dukshme tek narrativa e “Perëndimit ndaj pjesës tjetër të botës”.
Së pari, një luftë midis këtyre parimeve abstrakte, kërcënon ta reduktojë vendin në një fushëbetejë, dhe jo në një shtet të aftë për të vepruar sipas interesave të veta. (Gjatë Luftës së Ftohtë, Vietnami dhe Afganistani paguan një çmim të lartë për ta luajtur atë rol).
Në fakt, që nga pushtimi i Rusisë në vitin 2022, Ukraina është portretizuar shpeshherë si një fushëbeteje jetike, por asnjëherë si një aktore që po punon për çlirimin e saj. Perëndimi i ka ndaluar forcat ukrainase të përdorin armët që i dërgon për të sulmuar objektivat në thellësi të Rusisë, apo për të sulmuar rafineritë ruse të naftës.
Edhe vendimi i fundit i Joe Biden, për të bërë një përjashtim në rastin e forcave ruse të stacionuara disa kilometra pranë kufirit me Kharkiv, është pikërisht i tillë: një përjashtim. Edhe “Perëndimi” është një koncept shumë i kontestuar. A është Ukraina pjesë e Perëndimit? Në një farë mase po, por jo si Izraeli, i cili përbën thelbin simbolik të narrativës së shëlbimit të Perëndimit pas Holokaustit.
Dhe jo në të njëjtën masë si anëtarët e NATO-s, për të mos folur për SHBA-në. Në fillim të kundërsulmit të Ukrainës një vit më parë, një anëtar i stafit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Uashingtonit, më tha se administrata Biden mendonte se përgjegjësitë e saj ishin të ndara në tre nivele: ishte e gatshme të bënte gjithçka për Ukrainën, niveli i tretë, me kushtin që kjo mbështetje të mos e rriste rrezikun për dy nivelet e larta, të zëna nga NATO dhe SHBA.
Kjo pikëpamje shpjegon arsyen, pse mbështetja për Ukrainën është mbajtur në nivele që janë në përputhje me rezistencën e vendit por jo me fitoren e saj. Sa herë që Ukraina i është afruar një përparimit vendimtar në fushën e betejës, Putini ka luajtur kartën bërthamore, dhe për pasojë është zbehur mbështetja perëndimore për Kievin.
Një problem tjetër me narrativën e Perëndimit, është se ai përjashton një pjesë të madhe të botës. Është e dyshimtë nëse Rusia mund të mposhtet përfundimisht, në rast se nuk mund të izolohet ekonomikisht. Por duke e kthyer luftën në një konflikt midis Perëndimit dhe pjesës tjetër, SHBA-ja ka siguruar që kjo të mos ndodhë.
Në fakt, ekonomia ruse po përfiton tani nga një riorientim drejt tregjeve të mëdha dhe në rritje në Azi. Javët e fundit, administrata Biden ka provuar një strategji të re, duke e cilësuar luftën në Ukrainë si një episodin e një lufte të re të ftohtë midis SHBA-së dhe Kinës. Gjatë një vizitë në Bruksel më 29 maj, zëvendës sekretari i shtetit i SHBA-së, Kurt Campbell, e akuzoi Kinën për mbështetjen e Rusisë “deri në fund”, dhe e paralajmëroi Evropën që të merrej seriozisht me Kinën, duke e ndjekur Uashingtonin në përpjekjet e tij për t’u shkëputur ekonomikisht nga Kina.
Ai nuk bëri asnjë përpjekje për të bërë dallimin midis asaj që është në rrezik në Ukrainë, dhe synimit më të gjerë të frenimit të Kinës. Nga këndvështrimi i Kievit, kjo strategji duket jo e mençur. Më 1 qershor, Zelensky shkoi në Singapor për t’iu drejtuar një auditori me zyrtarë kryesisht aziatikë në Dialogun Shangri-La.
Sipas burimeve të mia në Kiev, ai synonte të takohej edhe me delegacionin kinez, por takimi nuk ndodhi. Më pas, Zelensky nuk mundi ta fshihte acarimin e tij me qasjen e Kinës ndaj Ukrainës, të cilën e sheh thjesht si një vegël në duart e Uashingtonit.
Qëllimi i menjëhershëm për Zelensky-n, është të largohet nga samiti i Zvicrës në mes të këtij muaji me një triumf diplomatik. Përtej kësaj, ai e di se Ukraina mund të fitojë vetëm duke ndërtuar një koalicion global, dhe jo duke u shndërruar në fushëbetejën e djegur midis Perëndimit dhe Lindjes./Përshtati Pamfleti nga “New Statesman”
Lini një Përgjigje