
Një foshnjë palestineze 7-muajshe ka ndërruar jetë, ndërsa prindërit e saj kanë mbetur të plagosur pas një incidenti me armë zjarri në Hebron, në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ministria Palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur se Sam Fahd Abu Haikal pësoi plagë të rënda gjatë ngjarjes dhe humbi jetën më vonë në spital. Nga të shtënat u plagosën edhe nëna dhe babai i tij.
Sipas gjyshes së foshnjës, Ferial Abu Haikal, familja po udhëtonte me automjet kur ushtarët izraelitë hapën zjarr. Ajo pretendoi se makina ishte e ndaluar në momentin e incidentit dhe se nuk paraqiste asnjë kërcënim.
“Nuk kishte asnjë rrezik apo justifikim për të qëlluar me armë”, deklaroi ajo për mediat palestineze.
Ndërkohë, ushtria izraelite paraqiti një version tjetër të ngjarjes. Sipas saj, gjatë një operacioni ushtarak, efektivët vunë re një automjet që po afrohej me shpejtësi drejt pozicionit të tyre dhe reaguan duke qëlluar në drejtim të tij. Si pasojë, tre persona mbetën të plagosur.
Autoritetet izraelite thanë se nga verifikimet paraprake rezulton se të plagosurit ishin civilë që nuk kishin lidhje me ndonjë aktivitet armiqësor, ndërsa rrethanat e plota të incidentit vijojnë të hetohen.
Ngjarja ndodh mes tensioneve të vazhdueshme në Bregun Perëndimor, ku dhuna është rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës në Gaza në tetor 2023. Sipas shifrave të Ministrisë Palestineze të Shëndetësisë, të cituara nga AFP, mbi 1,080 palestinezë janë vrarë në këtë territor nga forcat izraelite dhe kolonët që prej nisjes së konfliktit.
Lini një Përgjigje