Ish-kryeministri britanik, Tony Blair u është drejtuar ditën e sotme me një mesazh deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Blair, i cili ka luajtur rol udhëheqës gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 që ndaloi përparimet e forcave pushtuese serbe dhe ndihmoi Kosovën të fitonte pavarësinë, tha se nuk pendohet kurrë për vendimin që kishin marrë 25 vite më parë.
“Është nderë për mua të jem sot këtu dhe nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm për mirëpritjen e ngrohtë.25 vite më parë u arrit marrëveshja për çlirimin e territorit të Kosovës, dhe Kosova më fund ishte e lirë dhe populli ishin të lirë të jetojnë, shpresojnë e të besojnë sërish në një të ardhme të lirë… Ne ndihmuam dhe nuk pendohem kurrë”, tha Blair.
Blair shtoi se sot kujtojmë ata që dhanë jetën për liri, kujtojmë guximin dhe sakrificën e tyre dhe shprehim mirënjohje të thellë për ta dhe familjet e tyre.
“Si kryeministër asokohe më kthehen shumë kujtime të negociatave me liderët botërorë dhe për kompleksitetin e vendimit në atë kohë lufte”, tha Blair.
Blair u bëri thirrje vendeve që se kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta bëjnë këtë. Ai theksoi se rinia është e ardhmja e Kosovës.
“E di që Kosova ende ballafaqohet me sfida, por rinia që keni e që është shumë e zgjuar është e ardhmja e Kosovës”, tha Blair.
Ai gjithashtu tha se pret që Kosova, në të ardhmen të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive, që janë në të mirë për gjithë botën. Mezi pres ta shoh ditën që Kosova të zërë vend në familjen evropiane. Së shpejti do t’i adresohem deputetëve të Kuvendit por edhe njëherë dua të shpreh solidaritetin me njerëzit e Kosovës”, tha Blair.
Në fund ai shtoi se njohja e Kosovës nga e gjithë bota është plotësisht e arritshme.
“Imagjinoni artin dhe kulturën e Kosovës që u bashkohet vendeve të tjera. Kjo është një gjë plotësisht e arritshme, prandaj ne bashkojmë duart. Jo vetëm për të qenë të lirë, por sepse liria hap mendjen njerëzore. Sot mund të ndërtojmë një ëndërr të re, ua kemi borxh atyre që i kujtojmë sot. Këtë duan ata! Kjo do ishte dhurata më e madhe për ata që dhanë jetën e tyre.”
Lini një Përgjigje