Një 16-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës, pasi u kap në flagrancë duke poseduar dhe shitur lëndë narkotike të ndara në doza, të dyshuara për tregtim.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimi u bë në kuadër të operacionit të koduar "Hideaway", i organizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 16-vjeçarit, si edhe gjatë kontrollit të vendit ku ai u konstatua, në rrugën "Jordan Misja", efektivët e policisë sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, të ndara në mbi 300 doza, të cilat dyshohet se ishin për shitje.
Po ashtu, policia gjeti dhe sekuestroi një shumë parash në lekë dhe euro, që dyshohet se ishte përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe dy telefona celularë, të cilët do t'i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve.
16-vjeçari është arrestuar për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve hetimore.
Ndërkohë, policia bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me synim dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë.
Lini një Përgjigje