
Juristi Kreshnik Spahiu mendon se dita kur estabilishmentit politik aktual dhe lidershipit të partive me lider të pandryshueshëm do të vijë kur edhe femrat të dalin përballë tyre dhe të shpallin kandidaturat për kryeministre, duke ndjekur edhe si frymëzim emra të politikës botërore si Meloni, Merkel apo Thaçer, që bënë histori.
I ftuar në emisionin ‘Frontline’ të Report Tv, ai analizoi situatën politike me kuotat gjinore në Parlament. Pyetjes së moderatores Marsela Karapanço për liderët femra në politikë, ai iu përgjigj:
“Nëse ka energji pozitive dhe pjesa më e bukur që i ka mbetur Parlamentit aktual dhe që shpresohet edhe pas 11 Majit, është përfaqësimi i tij nga gratë. Pjesa më pozitive, me karakter është pjesa e grave në Kuvend. Qoftë përsa i përket mazhorancës dhe ashtu opozitës. Historia ka treguar se ata që e kanë mbajtur veten për lidera, drejtues, kanë përfunduar në dyert e gjykatës apo SPAK-ut, ose në arrati. Pra pjesa e grave ka mbetur e bardhë, e paprekur. Por do sugjeroja që të mos kopjojnë liderët e tyre politike. Shqipëria është lodhur nga gra që sillen si burra dhe bura që sillen si gra, kjo ka qenë pjesë negative që duhet t’i përkasë të shkuarës dhe mos të ketë lidhje më në Parlament”, tha juristi.
Dhe më tej sugjeroi që si shembuj të merren pikërisht liderët politike më me emër të Europës dhe që t’i jepnin fund këtij binomi dhe estabilishmenti politik burrash, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë me probleme me drejtësinë.
“Gruaja të bëhet pjesë e udhëheqjes, pasi Europa e qytetëruar me gra si Meloni, Merkel apo Thaçer kanë treguar lidership dhe frymëzim. Përballja me estabilishmentin aktual do të vijë kur të kemi kandidatura apo lidera partish e koalicionesh që do përballen e shpallin kandidaturat për kryeministre dhe ajo do jetë dita që do i japë fundin estabilishmentit aktual. Unë kam eksperiencë në gjykata ku prokurorët dhe gjykatëset femra kishin më shumë rezultat dhe pozitivitet, si dhe sukses. Ato kanë qenë në krye të eficencës, unë pres dhe shpresoj që t’i shikojmë gratë si drejtuese partish apo kryeministre dhe e pres që të ndodhë sa më shpejt, e jo vonë”, u shpreh ai.
Lini një Përgjigje