TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Prill 2025, 19:10

Nga tenderët, te kompanitë fiktive dhe paratë “cash”: Altin Dumani zbulon skemën si vjedhin pushtetarët

Shkruar nga Pamfleti
Nga tenderët, te kompanitë fiktive dhe paratë “cash”:
Altin Dumani në Parlament

SPAK tregon skemën si funksionon korrupsioni

Prokuroria e Posaçme ka zbuluar skemën se si vidhen paratë e qytetarëve nga politika. Në raportin vjetor të vitit që lamë pas, një kapitull i veçantë i kushtohet korrupsionit. Aty theksohet se ai është sofistikuar kohët e fundit, teksa po përdoren metoda ‘inovative’ për të marrë para publike.

Sipas SPAK, skema më e përdorur është ngritja e shoqërive tregtare, të cilët më pas marrin tenderë publikë. Me pak fjalë, zyrtarët u japin tendera vetes. Po ashtu tregohet se si i pastrojnë paratë.

Hetimet kanë treguar ngritjen e shoqërive tregtare të cilat janë përdorur për të përfituar në mënyrë të parregullt kontrata publike duke shkelur ligjin dhe rregullat e prokurimit. Kjo ka sjellë përfitime monetare të cilat më pas janë fshehur përmes veprimeve fiktive financiare dhe janë përvetësuar nga pronarët e shoqërisë. Në mënyrë të veçantë, është evidentuar se një pjesë e këtyre fondeve është tërhequr jashtë sistemit bankar në formë “cash”, ndërsa një pjesë tjetër është ri-investuar në aktivitete tregtare dhe në blerjen e pasurive të paluajtshme”, thuhet në raport.

Raporti i SPAK-Korrupsioni

Nga hetimet e vitit 2024 rezulton se korrupsioni i zyrtarëve të lartë zhvillohet në një terren kompleks, përmes manipulimit të procedurave publike dhe shfrytëzimit të pozicioneve zyrtare për përfitime personale. Veprat penale më të evidentuara përfshijnë ushtrimin e ndikimit të paligjshëm, shkeljen e barazisë në tendera, falsifikimin e dokumenteve, korrupsionin aktiv e pasiv, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e vulave etj. Hetimet kanë treguar ngritjen e shoqërive tregtare të cilat janë përdorur për të përfituar në mënyrë të parregullt kontrata publike duke shkelur ligjin dhe rregullat e prokurimit. Kjo ka sjellë përfitime monetare të cilat më pas janë fshehur përmes veprimeve fiktive financiare dhe janë përvetësuar nga pronarët e shoqërisë. Në mënyrë të veçantë, është evidentuar se një pjesë e këtyre fondeve është tërhequr jashtë sistemit bankar në formë “cash”, ndërsa një pjesë tjetër është ri-investuar në aktivitete tregtare dhe në blerjen e pasurive të paluajtshme. Ky modus operandi tregon për një tipologji të korrupsionit në formë të sofistikuar, ku krijimi i skemave të fshehta financiare dhe përdorimi i ndërmjetësve luajnë një rol kyç në shmangien e zbulimit nga autoritetet.

Disa nga veçoritë e vërejtura në këto skema korruptive janë:

Strukturimi i skemës dhe koordinimi i aktorëve

•  Skema përfshin bashkëpunimin mes aktorëve publikë dhe privatë, ku zyrtar publik manipulojnë procedurat ligjore, ndërsa subjektet private përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga fondet publike. Ky bashkëpunim e bën korrupsionin të qëndrueshëm dhe të vështirë për t'u zbuluar. Shkelja e procedurave të prokurimit

•  Një nga aspektet kryesore është përdorimi i tenderëve publikë si mjet për shpërndarjen e paligjshme të fondeve. Shkelja e barazisë në tendera krijon një avantazh artificial për subjekte të caktuara, duke ndikuar negativisht në konkurrencën e ndershme dhe cilësinë e projekteve publike. Përdorimi i ndërmjetësve dhe mbështetja institucionale

• Skema nuk funksionon vetëm si një akt individual i korrupsionit, por mbështetet nga një rrjet i sofistikuar, i cili përfshin ndërmjetës financiarë dhe kompani të lidhura. Ky mekanizëm vështirëson identifikimin e përfituesve të fundit dhe pengon ndjekjen penale efektive.

Analiza e të dhënave

Treguesit e vitit 2024 tregojnë një tendencë në rritje të luftë kundër korrupsionit të funksionarëve publik. Këto të dhëna tregojnë se nga totali i çështjeve nën hetim, vetëm 5.88% janë kërkuar të pushohen, 12.35% janë transferuar në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, , 0.98% janë pezulluar, ndërsa 67.45% e çështjeve mbeten pjesë e hetimit për vitin 2025. Nga ana tjetër, numri i personave të dërguar në gjykatë përbën rreth 35.2% të totalit të individëve nën hetim.

Vihet re një tendencë për sofistikimin e skemave korruptive të abuzimit me fondet publike në nivel qendror dhe lokal. Disa nga veçoritë e këtyre skemave janë:

Krijimi i subjekteve tregtare fiktive. Krijohen shoqëri tregtare fiktive të cilat ngrihen dhe kontrollohen nga zyrtarët publik me qëllim të përfitimit të fondeve publike, në shkelje të ligjit duke manipuluar dhe kontrolluar të gjithë procesin e tenderimit qoftë nga ana e institucioneve publike në nivel qendror ose lokal, por qoftë edhe të subjektit tregtar që aplikon për këto fonde.

Roli i ortakëve të fshehtë: Ortakët de facto të shoqërive tregtare të cilat aplikojnë për fondet publike, fshihen dhe nuk dalin në pah por përdorin persona të tjerë si ortakë fiktivë, de jure në dokumentacionin e shoqërisë.

Manipulimi i procedurave të prokurimit: Zyrtarët publikë shkelin rregullat e prokurimit publik për të favorizuar subjektin tregtar i cili është paracaktuar për ta fituar tenderin publik. Ky manipulim përfshin:

• Pjesëmarrjen dhe shpalljen fituese të subjektit në disa procedura prokurimi të realizuara nga autoriteti kontraktor publik.

•Caktimin e anëtarëve të komisioneve të vlerësimit të ofertave, duke përfshirë edhe njëri- tjetrin, për të siguruar që oferta e subjektit tregtar të paracaktuar të shpallet fituese.

•  Nënshkrimin e kontratave të sipërmarrjes në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë kontroll të plotë mbi procedurat e prokurimit.

Favorizimi në nivele të ndryshme: Subjekti tregtar i paracaktuar merr pjesë në disa tendera duke u shpallur fitues edhe në procedura të tjera të prokurimit të zhvilluara nga institucioni publik përkatës dhe/ose autoritete të tjera në varësi të saj, duke favorizuar subjektin privat të paracaktuar në mënyrë të parregullt ku:

• Zyrtarët publik që marrin pjesë në këto procedura prokurimi, ndihmojnë në shpalljen fitues të subjektit tregtar të paracaktuar, duke manipuluar vlerësimet dhe duke i krijuar avantazhe të padrejta.

• Këto favorizime realizohen në shkelje të rregullave të prokurimit publik, përfshirë shpalljen fituese të kompanisë në mënyrë të parregullt, duke i dhënë kështu një mundësi të padrejtë këtij subjekti për të fituar kontrata publike.

Konflikti i interesit: Një tjetër aspekt i skemës korruptive është bashkëpunimi i drejtpërdrejtë midis zyrtarëve të autoriteteve kontraktore dhe përfaqësuesve të subjektit tregtar të paracaktuar. Vlerësimi i ofertave manipulohet, pasi realizohet me ndihmën apo ndikimin e subjektit tregtar të paracaktuar. Ky është një tregues i qartë i konfliktit të interesit dhe i përdorimit të institucioneve publike për qëllime private.

Pastrimi i parave

Nga hetimi i veprave penale në kuadër të korrupsionit janë evidentuar disa tipologji të pastrimit të parave si më poshtë:

Pastrimi i parave nëpërmjet kalimit indirekt të fondeve publike:

•  Në këtë tipologji, zyrtari publik përdor pozitat e tij drejtuese për të favorizuar një shoqëri tregtare, me qëllim përfitimin e fondeve publike të institucionit që ai drejton. Pas përfitimit të paligjshëm, të ardhurat kalojnë një subjekt privat përfitues tek një tjetër subjekt privat, i cili ka lidhje indirekte me zyrtarin publik. Këto fonde më pas investohen në pasuri të paluajtshme.

Pagimi për punime fiktive dhe investimi në pasuri të paluajtshme:

•  Shoqëritë tregtare të ngritura qëllimisht për të përfituar në mënyrë të paligjshme fondet publike, kontrollohen nga zyrtarët publike. Fondet publike, nëpërmjet skemave të pagesave për punime fiktive, nxirren më pas nga sistemi bankar në formën e parave "cash" . Një pjesë tjetër e parave ri-investohet në aktivitetet tregtare të shoqërisë ose në pasuri të paluajtshme, duke e bërë më të vështirë identifikimin e origjinës së paligjshme të parave.

Falsifikimi i dokumenteve:

•   Individë të lidhur me skemën korruptive, përdorin dokumente të falsifikuara për të regjistruar pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme me ndihmën e zyrtarit publik. Pasuria transferohet më pas në pronësi të një përfituesi tjetër. Ky i fundit e shet/tjetërson, duke e fshehur kështu lidhjen direkte midis zyrtarit publik dhe përfitimit të parregullt por dhe duke legalizuar produktet e veprës penale.

Pastrimi i parave përmes kontratave dhe investimeve:

• Në këto raste përdoret influenca politike për hartimin e ligjeve dhe marrjen e vendimeve për të favorizuar disa shoqëri tregtare/subjekte private të përfitojnë prona dhe fonde publike në shkelje të ligjit. Më pas këto shoqëri tregtare kanë kryer pagesa për interesa të zyrtarëve publikë ose ju kanë dhënë prona të patundshme me çmime të cilat janë nën vlerën e tregut. Të gjitha këto veprime kryhen për të fshehur veprimet korruptive dhe pastruar produktet e veprave penale përmes transaksioneve të ndryshme që fshehin origjinën e tyre. /Pamfleti

Lini një Përgjigje