TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Prill 2025, 20:07

Pse nuk po kalon për gjykim dosja e Berishës? Nesër ndahet "shapi nga sheqeri", SPAK thotë fjalën e fundit

Shkruar nga Pamfleti

Pse nuk po kalon për gjykim dosja e Berishës? Nesër ndahet

Nesër duket se do të ndahet “shapi nga sheqeri”, pasi do të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një skemë zvarritjeje, apo dosja do të hyjë në hulli...

E premtja e ditës së nesërme do të jetë vendimtare sa i takon dosjes “Partizani”. Prej 5 muajsh gjyqtarja Flojera Davidhi e ka mbajtur peng dosjen, duke mos vendosur nëse do të kalojë apo jo për gjykim.

SPAK ka marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, biznesmenin Fatmir Bektashi, ortakun e Malltezit, Xhimi Begeja dhe financieren, Andia Pustina. Por edhe pse dosja ka shkuar që në fund të vitit që lamë pas për gjykim, nuk kemi asnjë vendim.

Nesër më 09.30 duket se do të ndahet “shapi nga sheqeri”, pasi do të kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një skemë zvarritjeje, apo dosja do të hyjë në hulli.

Në seancën e shkuar përfundoi mbrojtja e palëve akuzuese, të cilët kërkojnë që të pushohen hetimet. Nesër do të flasin prokurorët e çështjes, të cilët do të japin argumentet se përse kjo dosje do të shkojë për gjykim. Në fund gjyqtarja duhet të vendosë: të pushojë hetimet, ta kthejë dosjen për rihetim, ose ta kalojë për gjykim. Gjithmonë nëse nuk sëmuret kush dhe seanca zvarritet. Në korridoret e politikës flitet se Berisha po kërkon ta shtyjë pas zgjedhjeve dhe nesër do kuptohet fare qartë se çfarë po gatuhet.

Sali Berisha dhe Malltezi janë marrë të pandehur për abuzime me privatizimin e pronave tek ish-Kompleksi "Partizani". Prokuroria shprehet se nga ana e ish-kryeministrit është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

Ndërsa Malltezi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi J. M. Nga ana e shtetasit S. B., në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë  kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit J. M., bashkëshorti i vajzës së tij”, shprehet SPAK për Berishën.

Ndërsa sa i takon Malltezit, prokuroria deklaron në dosje se: Privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, u bë me qëllimin e vetëm për t’u shtënë në dorë, ndryshuar destinacioni dhe përdorur për përfitime materiale nga Malltezi;  

Ndryshimet e kryera në lidhje me destinacionin e zonave nga sportive në të banimit, gjë që ka çuar në kryerje ndërtimesh, nga të cilat ka përfituar drejtëpërdrejtë Malltezi;

Të gjitha përfitimet monetare, që ka marrë Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar te kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro. /Pamfleti

Lini një Përgjigje