
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, duhet të ishte në burg te 313-a dhe jo në fushatë elektorale për të kërkuar rikthimin e tretë në pushtet në këto tre dekada.
Deklarata është bërë nga Eduart Ndocaj, i njohur si ‘Kaubojsi’, i cili hyri në politikë si deputet i PS-së, ndërsa në 11 maj kandidon për deputet në Qarkun e Lezhës me koalicionin e Euroatlantikëve të drejtuar nga Lulzim Basha.
Në një lidhje Skype nga Italia me Report TV, Ndocaj kërkoi që SPAK të hetonte të gjithë veprimtarinë antikombëtare të Berishës që nga vrasjet e 2 prillit në Shkodër mbi tre dekada më parë, Gërdeci, 21 janari, furnizimi i makinerisë ushtarake të Millosheviçit me naftë dhe kundër Kosovës e deri te aksidenti misterioz i ish-deputetit dhe ministrit Sokol Olldashi, në vitin 2013 në Krrabë të Tiranës.
Ndocaj theksoi se Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Lulzim Basha, për të cilin kandidon si deputet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për qarkun e Lezhës, gjendet përballë dy figurave antagoniste dhe intrigante si Rama dhe Berisha, ku njëri premton pasaportën në BE dhe tjetri se do shkrijë SPAK-un.
“Ne jemi në garë me dy individë intrigantë, njëri thotë pasaportë për BE, tjetri se do shkrijë SPAK. Për të parin them se nuk ka nevojë për këtë premtim se e kanë pasaportën europiane pjesa më e madhe. Por më intrigante është data për hyrjen në Europë, më 2030, kur zgjedhjet janë më 2029, pra do të thotë se s’ka shanse për të hyrë në BE. Unë mendoj se Berisha do jetë te 313-ta dhe do e takojmë aty. Edhe Ramës do i përgatitet qelia. Berisha duhet të ishte në burg dhe jo të bënte fushatë“, tha ai.
Dhe teksa analizoi se fitoret e këtyre dy figurave do nënkuptonin edhe fundin e Shqipërisë, apeloi që SPAK të hetonte të gjitha krimet e kreut të PD-së.
“Nëse fiton Berisha merr fund Shqipëria, ashtu sikurse nëse fiton Rama vendi merr fund dhe po ashtu emigracioni. Berisha është njeriu më antikosovar që mbahet mend, furnizoi makinerinë serbe me naftë gjatë luftës dhe kundër Kosovës. Po më ftoi Berisha i shkoj përsëri, për të parë se jam kurioz për të dëgjuar se çfarë mendon në moshën 81 vjeç”, tha ai.
Lini një Përgjigje