
Këshilli Drejtues shtyn seancën dëgjimore për platformën e dy kandidatëve për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH
Këshilli Drejtues i RTSH ka pezulluar procesin për zgjedhjen e Drejtorit të Radiotelevizionit Publik Shqiptar.
Pas presioneve dhe akuzave të ardhura nga mazhoranca dhe nga opozita, Këshilli Drejtues ka zhvilluar një mbledhje ditën e sotme, ku është vendosur që të shtyhet seanca për paraqitjen e platformave të kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm, deri në zhvillimin e mbledhjes së Komisionit parlamentar të Mjeteve të Edukimit Publik dhe Mediave.
Paraqitja e këtyre platformave ishte parashikuar të zhvillohej të premten, më 31 janar 2025, nga dy emrat e kualifikuar në finale, Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.
Në garën për kreun e RTSH aplikuan 10 persona, ku 5 u skualifikuan sepse nuk plotësonin kriteret, ndërsa 5 të tjerë u hodhën në votim. Nga votimi dolën më të votuarit Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo, ku secili mori 7 vota pro dhe 2 kundër.
Por kjo gjë alarmoi politikën, pasi si në PS ashtu dhe në PD kishin shpresa se në krye të RTSH do të vendosej Eni Vasili. Ina Zhupa reagoi e para duke e cilësuar flagrante eliminimin e saj. Më pas në një linjë ishte dhe Evis Kushi, e cila madje kërcënoi anëtarët e Këshillit Drejtues.
“I bëj thirrje Këshillit Drejtues të kthejë menjëherë situatën në normalitet dhe të lejojë garën e hapur, transparente e meritokratike. E kundërta do të ishte vetëasgjësim i Këshillit dhe Parlamenti do të detyrohej të ndërhynte në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës së garës, duke marrë masa drastike që ne nuk i dëshirojmë,” shkroi Kushi.
Më pas Komisioni i Medias vendosi të thërrasë në një seancë dëgjimore anëtarët ditën e hënë ora 11.30. Këshilli vendosi sot që të presë realizimin e kësaj seancë dhe më pas të vendosë se çfarë do të bëjë.
Ajo që është skandaloze është se politika gjithmonë ka futur hundët në zgjedhjen e drejtuesve në institucionet e pavarura. RTSH është organ publik që mbahet me taksat e qytetarëve dhe ka një Këshill të Zgjedhur po nga ky Parlament. Janë ata që vendosin se si votohej dhe absolutisht jo Evis Kushi me Ina Zhupën. Nëse Eni Vasilit nuk i pëlqeu skualifikimi, apo dikujt tjetër, ka gjykata ku mund të apelohet vendimi dhe nëse drejtësia i jep të drejtë bujrum. Por është absurde që të ndërhyjë politika se përse u skualifikua një individ nga gara. /Pamfleti
Lini një Përgjigje