
25-vjeçari, i cili punonte si kamerier në lokalin në pronësi të Armand Shakajt, person i shpallur në kërkim, mohoi çdo përfshirje në ngjarje dhe deklaroi se nuk ka dijeni për fatin e Koçit.
“Armand Shakaj më kërkoi të fikja dritat. Më tha se do të nxirrte një frigorifer. Nuk kam asnjë dijeni për fatin e Eglant Koçit”. Kjo ishte deklarata e Enea Zyferit në Gjykatën e Tiranës, ku ndaj tij u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e përkrahjes së autorit të krimit, në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi.
25-vjeçari, i cili punonte si kamerier në lokalin në pronësi të Armand Shakajt, person i shpallur në kërkim, mohoi çdo përfshirje në ngjarje dhe deklaroi se nuk ka dijeni për fatin e Koçit.
Gjatë dëshmisë së tij, Zyferi tha se e njihte Eglant Koçin për shkak të punës në lokalin e Shakajt dhe se e kishte parë atë të hynte në ambientet e biznesit. Ai shtoi se më pas Shakaj i kishte kërkuar të fikte dritat, duke i thënë se do të nxirrte një frigorifer nga lokali.
Kamarieri deklaroi gjithashtu se Shakaj i kishte kërkuar të dërgonte makinën në lavazh për ta pastruar, detyrë që, sipas tij, e kishte kryer duke e çuar automjetin në një zonë në fund të Bulevardit të Ri.
Megjithëse ka mohuar dijeni për rrëmbimin dhe fatin e 34-vjeçarit, gjykata vendosi ta lërë në qeli, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
Sipas dyshimeve të grupit hetimor, Eglant Koçi është thirrur nga Armand Shakaj në një ambient pranë shkollës “Ismail Qemali”, përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Hetuesit dyshojnë se aty ai është mbajtur peng dhe më pas është vrarë.
Nga hetimet ka rezultuar se, pavarësisht fikjes së energjisë elektrike, kamerat e sigurisë kanë regjistruar lëvizje që dyshohet se lidhen me nxjerrjen e trupit të Koçit dhe transportimin e tij me automjet. Dyshimet janë se trupi është zhdukur më pas në një zonë të thellë të Librazhdit.
Hetuesit besojnë gjithashtu se janë ndërmarrë veprime për të fshehur gjurmët e krimit. Sipas tyre, motori i Koçit është dërguar në zonën e 5 Majit për të devijuar hetimet, ndërsa ambientet e lokalit dhe automjeti janë pastruar.
Dyshimet për vrasje janë forcuar edhe nga gjetja e gjurmëve të gjakut në ambientin ku dyshohet se Koçi është mbajtur peng, si dhe në automjetin e përdorur nga i dyshuari.
Armand Shakaj është shpallur në kërkim nga policia për pengmarrjen dhe vrasjen e dyshuar të 34-vjeçarit. Sipas hetimeve paraprake, motivi i krimit lidhet me konflikte të mundshme për portofola të kriptomonedhave.
Si ndodhi ngjarja:
Familja denoncoi zhdukjen e Eglant Koçit më 4 qershor, duke deklaruar se prej dy ditësh kishte humbur çdo kontakt me të. Sot, ka kaluar më shumë se një javë pa asnjë informacion mbi vendndodhjen e 34-vjeçarit.
Sipas familjarëve, Koçi nuk kishte konflikte apo probleme të njohura që mund të shpjegonin largimin e tij. Megjithatë, hetimet kanë marrë një tjetër drejtim pas dyshimeve se ai mund të jetë rrëmbyer.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se 34-vjeçari punonte si korrier për zyrat e këmbimit të kriptomonedhave, duke transportuar para cash pas konvertimit të aseteve dixhitale. Ky detaj po verifikohet nga grupi hetimor për të kuptuar nëse ka lidhje me zhdukjen e tij.
Policia dhe Prokuroria vijojnë kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Lini një Përgjigje