Gazetarët kanë vënë me shpatulla pas muri kreun e PD, Sali Berisha, pas mbylljes së Kuvendit Kombëtar. Kur e pyet për demokratin Ervin Salianji, të cilin kur u arrestua e cilësonte si të dënuar politik, Berisha edhe pse i vënë në siklet, e drodhi. Kreu i PD u shpreh se Salianji nuk ka qenë në burg gjatë kohës së fushatës, por diku tjetër. Madje harroi edhe që ka shkuar në burg për ta vizituar.
Po ashtu Berisha komentoi për herë të parë takimin që ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi një ditë më parë në Tiranë me mbështetës dhe simpatizantë të së djathtës.
Berisha mohoi se në aktivitetin e organizuar nga Salianji kishin marrë pjesë anëtarë aktivë apo mbështetës të Partisë Demokratike.
“Asnjë demokrat nuk ishte aty. T’u themi të vërtetën. Ata që ishin dhe ata që dolën janë prej kohësh të ndarë nga PD, ose nuk kanë qenë kurrë në PD. Asnjë demokrat nuk ishte në mënyrë absolute që ndjek PD-në”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës komentoi gjithashtu pjesëmarrjen e figurave të njohura të demokratëve në takimin e Salianjit, duke paralajmëruar se ata që zgjedhin të mbështesin ish-deputetin nuk mund të jenë njëkohësisht pjesë e strukturave të Partisë Demokratike.
“Cilido që ndjek Salianjin i mbyll hesapet me PD-në. Nuk janë kritika ato. Ata kanë veprime konkrete kundër Partisë Demokratike”, u shpreh Berisha.
Ndër të tjera, Berisha deklaroi se forca politike që ai drejton ka hyrë në fazën e fundit të procesit të ripërtëritjes, me synimin për të rikthyer votën e lirë dhe për të siguruar fitoren e opozitës.
Berisha vlerësoi debatet dhe diskutimet e zhvilluara gjatë Kuvendit, duke theksuar se atmosfera e përgjithshme reflektoi frymën e ndryshimit dhe të reformimit të Partisë Demokratike.
“Ky Kuvend, me debatin dhe dokumentet e miratuara, përcakton si qëllim ripërtëritjen e Partisë Demokratike në kilometrin e saj të fundit, si kusht themelor për të realizuar objektivin e rikthimit të votës së lirë tek shqiptarët dhe fitoren e opozitës”,thaBerisha.
Ai tha se potencialet e PD-së janë të mëdha dhe se drejtuesit e partisë do të punojnë për të konkretizuar përcaktimet dhe premtimet e miratuara në Kuvend.
Berisha e cilësoi Kuvendin Kombëtar si një nga ngjarjet më të rëndësishme të partisë në vitet e fundit, duke vlerësuar zhvillimin normal të procesit dhe pjesëmarrjen në diskutime.
Duke iu referuar zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar, ai theksoi se pavarësisht rezultatit të votimit, të gjithë kandidatët mbeten vlera të rëndësishme për Partinë Demokratike.
Kreu i demokratëve garantoi gjithashtu transparencë të plotë në procesin e numërimit të votave, duke nënvizuar se çdo kandidat që ka dyshime për rezultatin do të ketë të drejtën të verifikojë votat e tij.
"Me diskutimin e Jonathan Panos u mbyll seria e diskutimeve të shkëlqyera në këtë Kuvend, i cili me debatin, me dokumentet, përcakton si qëllim ripërtëritjen e Partisë Demokratike në kilometrin e saj të fundit, si kusht themelor që të realizojë objektivin e vet, rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët dhe fitoren e opozitës. Potencialet janë të mëdha, vullneti është i hekurt, ndaj dhe unë zotohem para demokratëve, demokrateve dhe mbarë opozitarëve se me përkushtim të madh do bëjmë gjithçka të kthejmë në vepra, të konkretizojmë përcaktimet dhe premtimet e këtij Kuvendi në mënyrë që Partia Demokratike të ecë e vendosur dhe të përmbushë misionin e saj.
Unë ndoqa me shumë interes diskutimet, jam i inkurajuar prej tyre, mendimet që u shprehën. Pra, në qoftë se do të lexoni të palexueshmen, atë që kishte atmosfera e sallës, ajo ishte ripërtëritja dhe ndryshimi në drejtimet e përcaktuara i Partisë Demokratike. Kështu që ju falënderoj dhe ju për ndjekjen që i bëtë punimeve të këtij Kuvendi. Do ta quaja unë në shumë aspekte një Kuvend jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe e vërteta është që me një zhvillim normal, për të mos thënë të përsosur. Tani le të presim rezultatin e votimeve, të cilat në mos gaboj do fillojnë nga ora 8 e darkës. Këtu dua të garantoj, sigurisht, se kur janë për një vend mbi dy kandidatura, njëri fiton, tjetri nuk fiton, por një gjë theksoj: se në vlerësimin tim ato kanë qenë kandidaturat më dinjitoze që janë paraqitur ndonjëherë. Së pari. Së dyti, pavarësisht nëse marrin apo jo votat, çdonjëri prej tyre mbetet një aset i çmuar i Partisë Demokratike. Së treti, çdo njeri që do ketë dyshimin më të vogël do të ketë të drejtë të numërojë votat e veta. Kjo është maksimumi i transparencës që mund të bëjmë.", -tha Berisha.
Lini një Përgjigje