Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka votuar këtë të shtunë për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së, në kuadër të punimeve të Kuvendit Kombëtar të partisë.
Pas hedhjes së votës, Berisha u shpreh para gazetarëve se listat e kandidatëve përfaqësojnë një elitë politike dhe pasqyrojnë frymën e ripërtëritjes që, sipas tij, karakterizon këtë Kuvend.
“Vazhdon Kuvendi i gërshetuar me fjalimet dhe votimet, të cilat janë të domosdoshme si procese. Por unë jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi si Kuvendi i ripërtëritjes. Listat pra janë nga më dinjitozet. Natyrisht shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen, të jemi realistë sepse ka kandidatura të shkëlqyera”, deklaroi Berisha.
I pyetur nga gazetarët për vonesën në procesin e votimit, kreu i PD-së shpjegoi se këtë herë votimi ishte organizuar në kategori të veçanta.
“U vonova se i kanë ndarë kësaj here, edhe mirë kanë bërë, i kanë ndarë në votimin veçmas për burrat, veçmas për zonjat dhe veçmas për të rinjtë. Besoj se kanë vepruar drejt në mënyrë që përqindjet e tyre dhe kuotat e tyre të respektohen. Uroj që gratë të arrijnë në 40% edhe është një detyrim statutor të rinjtë të jenë sa më të pranishëm. Pra dhe kaq, unë do shkoj të vazhdoj të dëgjoj fjalimet”, tha ai.
Në lidhje me konceptin e ripërtëritjes së Partisë Demokratike, Berisha tha se ai nuk kufizohet vetëm te Këshilli Kombëtar, por lidhet me vizionin dhe organizimin e partisë.
“Ripërtëritje do të thotë vizioni, do të thotë një modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim krejt, shumë më i fuqishëm”, u shpreh ai.
I pyetur nëse kjo ripërtëritje do të përfshijë emra të rinj në strukturat drejtuese të partisë, Berisha tha se procesi do të udhëhiqet nga vota e anëtarësisë.
“Ripërtëritje pa diskutim, nga seksioni i gjerë... Tani ato i përcakton vota... por sensi i ripërtëritjes është një fill i kuq që përshkon gjithçka. Jo, vota i përcakton natyrisht, të jemi të hapur”, deklaroi ai.
Ndërsa për mundësinë e propozimit të emrave të rinj në organet drejtuese, Berisha konfirmoi se do të ketë iniciativa konkrete.
“Unë do propozoj pa diskutim. Ajo s'ka diskutim ajo”, përfundoi kryetari i Partisë Demokratike.
Lini një Përgjigje