TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Maj 2026, 15:10

Nga ndryshimet në statut te zgjedhja e Këshillit Kombëtar dhe mesazhet për Berishën; detajet nga Kuvendi i PD

Shkruar nga Pamfleti
Nga ndryshimet në statut te zgjedhja e Këshillit Kombëtar dhe
Kuvendi i PD

Qershia mbi tortë janë kandidatët për Këshillin Kombëtar të PD-së, ku hartuesit janë kujdesur të mos harrojnë emra që dikur kanë shërbyer në poste drejtuese, por që kanë treguar edhe besnikëri ndaj kreut demokrat Sali Berisha

Kuvendi Kombëtar i PD-së, që nisi punimet pak para mesditës po voton për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, ndërsa në listën e kandidatëve renditen rreth 400 emra prej nga do të përzgjidhen edhe fituesit. Në Kuvend ishin thirrur 1400 delegatë, që me votim të hapur miratuan formalisht 8 ndryshimet në statutin e PD-së, ndërsa pika kulmore e punimeve është zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Në pjesën e parë të punimeve të Kuvendit ishin mesazhet që iu dhanë demokratëve nga aleatët ndërkombëtarë, kryesisht deputetë të PPE-së, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishin ata të CDU-së gjermane, partisë së kancelarit Merz. Pikërisht mesazhi gjerman ishte më i qarti sa i takon zhvillimeve në PD, ku Peter Beyer, theksoi “ju keni një kongres shumë të rëndësishëm partiak. Merrni vendime të mëdha, zgjidhni një bord të ri, një kryetar të ri, një president të ri. Kam disa ide se kush mund të jetë, por do ta mbaj gojën mbyllur".

Mesazhet e tjera kryesisht evidentonin rolin e Partisë Demokratike dhe kërkonin forcimin e kësaj partie dhe funksionimin e saj si simotrat e saj në PPE, formacioni më i madh politik në Europë. Duket se pritshmëritë e aleatëve të PD në Europë janë të larta, ndaj dhe këtë rradhë mesazhet ishin të qarta, kur flitej për reformim, jo thjesht zëvendësim emrash, por një lidership i ri.

Dhe pas fjalimeve nga përfaqësues të partive të ndryshme, pjesë e PPE-së, ishte Berisha që iu drejtua delegatëve me një mesazh të gjatë, ku shigjetoi kryeministrin Edi Rama, për lojën e pistë që ai ndërmori ndaj Partisë Demokratike, në kohën kur kjo forcë drejtohej nga Lulzim Basha. Berisha aludoi se u tentua blerja e PD-së, por shtoi se kjo forcë politike nuk ishte në shitje.

“Ndërmori sulmin për asgjësimin e PD, për shndërrimin e saj në opozitë fasadë, për blerjen e saj. Por gaboi. Nuk është për treg kjo parti, kjo parti është për ideale dhe vlera. As nuk blihet, as nuk shitet, as nuk mposhtet kurrë”, u shpreh Berisha.

Një tjetër mesazh nga kreu demokrat ishte premtimi që Edi Rama do të rrëzohej, pasi demokratët e nkanë futur në rrethin e kuq. Edhe pse prej muajsh e muajsh, Berisha deklaron se qëllimi kryesor është rrëzimi i Ramës si Kryeministër, duket se skema që ai ka zgjedhur nuk funksionon, ndërsa Kreu i Qeverisë vijon skandal pas skandali të qeverisë, madje edhe të deklarojë edhe fitoren e rradhës në përballjet elektorale.

"Sot jemi forca politike në kilometrin e fundit, në kilometrin që ecën drejt fitores. Në këtë kilometër, të fundit të kësaj maratone ne kemi detyra shumë të rëndësishme. i kapërcyem të gjitha barrikadat që na vunë para, e futëm në rreth të kuq narkodiktatorin. Demokratë e demokrate, ja ku jemi këtu t'u themi shqiptarëve se për ne flamuri kombëtar do mbetet në gjysmë shtizë gjersa flamuri i votës së lirë të shqiptarëve të valëvitet krah tij. Beteja jonë është betejë për flamur, dinjitet kombëtar dhe për lirinë e shqiptarëve", deklaroi Berisha. 

Mes ovacioneve të të pranishmëve, një panoramë e pritshme në organizime të tilla, delegatët e thirrur në Kuvendin Kombëtar miratuan nxitimthi ndryshimet në statut.

Rritja e përfaqësimit të grave në forumet drejtuese të PD-së ishte një nga ndryshimet, ndërsa për herë të parë u sanksionua që 15% e listës dhe në organet e parties, do të përbëhet nga përfaqësues të Diasporës.

Ndryshimet në statut

1. Fuqizimi i Diasporës shqiptare dhe përfaqësimi real politik i saj. 15% në lista dhe në organet e partisë duhet të jenë përfaqësues nga Diaspora.

2. Fuqizimi i rolit të grave dhe vajzave në Parti, duke e rritur përfaqësimin e tyre nga 30 % në 40%.

3. Ngritjen e Komisionit të Seleksionimit të Kandidaturave për deputet dhe kryetar bashkie, si strukturë autonome nga organet drejtuese të partisë, përpara realizimit të procesit të primareve.

4. Përmirësimi i organizimit bazë të partisë (grupseksionet dhe nëndega) dhe forcimi i Kolegjit të Kryetarëve të Grupseksioneve.

5. Forcimi i raporteve mes Degëve të Partisë dhe të zgjedhurve vendor (këshilltarëve bashkiak).

6. Njohja e një statusi të barabratë për të gjitha organizatat partnere të partisë, duke respektuar historinë e themelimit të PDSH.

7. Mbrojtja e të dhënave personale të anëtarëve të Partisë.

8. Saktësimi i rregullave të shkarkimit të kryetarëve të degëve, duke i dhënë më shumë garanci të qëndrimit në detyrë.

Qershia mbi tortë janë kandidatët për Këshillin Kombëtar të PD-së, ku hartuesit janë kujdesur të mos harrojnë emra që dikur kanë shërbyer në poste drejtuese, por që kanë treguar edhe besnikëri ndaj kreut demokrat Sali Berisha. Agron Kuliçaj, ish-truprojë e kreut të PD-së kur ishte në opozitën e para 2005-ës dhe më pas një nga drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, në dy mandatet që Qeveria drejtohej nga Sali Berisha, është pjesë e listës së kandidatëve për Këshillin Kombëtar. Po kështu nuk kishte si të mungonte dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, që padyshim do të shpallet fitues i forumit më të lartë vendimmarrës. Rudina Hajdari, ish-deputete nuk do të jetë pjesë e Këshillit të ri Kombëtar, por në vend të saj mund të hyjë vëllai i saj, Azem Hajdari, djali i ish-liderit të lëvizjes studentore. Po kështu në listë përfshihen edhe emrat e Glauk Olldashit dhe Fiona Nishanit, i pari djali i Sokol Olldashit dhe tjera, vajza e ish-Presidentit Bujar Nishani. Gjithashtu në listën e kandidatëve është përfshirë edhe Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit ‘Stresi’, djali i Sali Lushajt, që ka shërbyer si truprojë e Berishës gjatë kohës që ka qenë President dhe më pas në opozitën e pas 1997-ës.

Por duket se ka pasur edhe spastrime. Emra të njohur dhe të panjohur, me dëshirë ose jo, janë nxjerrë jashtë forumit më të lartë drejtues, edhe pse për mënyrën se si PD funksionon, vendimet më të rëndësishme, merren nga Kryetari ose Kryesia. Ish-deputeti Aldo Bumçi, Andi Mustafaj, Julian Deda, Voltana Ademi, ish-kryebashkiake e Shkodrës, janë disa nga emrat që ‘penalizohen’ ose janë tërhequr, teksa PD ka hyrë në vitin e 13 të opozitës.

Emrat që nuk garojnë për Këshillin Kombëtar

• Aldo Bumci

•  Andi Mustafaj

•  Arben Imami

•  Bujar Kapexhiu

•  Dorel Memoçi

•  Eliona Gremi

•  Elton Bano

•  Esmeralda Metko

•  Fatbardha Kadiu

•  Florin Kurmekaj

•  Florion Mima

•  Gentian Mishova

•  Ibrahim Morina

•  Irena Progni

•  Julian Deda

•  Klara Bici

•  Klaus Shaqiri

•  Lediana Fratari

•  Lorin Hoxha

•  Malbor Duka

•  Matilda Qyrku

•  Mariglen Kurtballaj

•  Minushe Lazaj

•  Nadire Meçorapaj

•  Osman Stafa

•  Qemal Çejku

•  Robert Budina

•  Rudina Hajdari

•  Sajmir Mulgeci

•  Shkëlqim Hoxha

•  Spiro Vaso

•  Voltana Ademi

•  Xheraldo Dashi

•  Xhulian Guçe

•  Zyrafete Kulla

 

 

 

kuvendi kombetar pd vendime

Lini një Përgjigje