Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka mbyllur punimet. Në Kuvend u miratuan një sërë ndryshimesh statutore dhe u zgjodhën strukturat e reja drejtuese të partisë, përfshirë edhe Këshillin Kombëtar.
Procesi i numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar pritet të zhvillohet në selinë qendrore të Partisë Demokratike, duke nisur nga ora 20:00.
Në fjalën e mbajtur para delegatëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha, prezantoi programin politik të opozitës, duke u ndalur te çështjet ekonomike, rritja e pagave dhe pensioneve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe procesi i integrimit europian të vendit.
Berisha akuzoi qeverinë për kapje të institucioneve shtetërore dhe theksoi nevojën për reformimin e administratës publike dhe të Policisë së Shtetit.
Gjatë punimeve, delegatët miratuan ndryshime të rëndësishme në statutin e partisë, të cilat synojnë forcimin e demokracisë së brendshme dhe rritjen e rolit të anëtarësisë në vendimmarrje. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu përfaqësim deri në 15% të diasporës dhe deri në 40% të grave në strukturat drejtuese të partisë.
Një tjetër risi e miratuar është krijimi i një komisioni të pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve, si dhe masa të tjera që synojnë forcimin e organizimit të brendshëm të Partisë Demokratike.
Në përfundim të Kuvendit u zgjodh edhe Këshilli Kombëtar, organi më i lartë vendimmarrës i partisë mes dy kuvendeve, duke shënuar përmbylljen e procesit të riorganizimit të Partisë Demokratike.
Lini një Përgjigje