Vizita e Dendias në Tiranë sa për show, për momentin Athina ka prioritete të tjera
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, zhvilloi të hënën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku u takua me homologun e tij Ermal Nufi dhe me kryeministrin Edi Rama. Ai vazhdoi gjithashtu traditën e zyrtarëve grekë, të cilët prej vitesh marrin "bekimin" e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, dikur nga kryepeshkopi i ndjerë Anastas Janullatos dhe sot nga pasardhësi i tij, Kryepeshkopi Joan.
Çfarë u diskutua saktësisht gjatë takimeve të Dendias me drejtuesit shqiptarë nuk është e qartë nga deklaratat publike. As mediat shqiptare, të cilat zakonisht tregohen veçanërisht të ndjeshme ndaj vizitave të nivelit të lartë nga Greqia, nuk raportuan detaje konkrete.
Për takimin me kryeministrin Rama, Dendias deklaroi se të dy palët bënë një vlerësim të situatës më të gjerë gjeopolitike dhe të zhvillimeve në Mesdheun Lindor.
Sa i përket bisedimeve me homologun e tij shqiptar, ai tha se diskutuan për thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes dhe për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të minoritetit etnik grek në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe. Dendias bëri të ditur gjithashtu se e ftoi ministrin shqiptar të vizitojë Athinën në fund të muajit të ardhshëm.
Nëse do t’u referohemi deklaratave të eurodeputetit të Demokracisë së Re, Fredi Beleri, i cili menjëherë pas përfundimit të vizitës deklaroi për TV A2 se “nga të dyja palët dëgjoj se po negociohen të gjitha çështjet dhe se brenda vitit do të nënshkruhet një traktat miqësie”, mund të supozohet se marrëdhëniet shqiptaro-greke mund të hyjnë në një fazë të re.
Kjo bëhet edhe më interesante duke pasur parasysh se në periudhën e ardhshme në Tiranë pritet të mbërrijnë zëvendësministrja greke e Jashtme, Alexandra Papadopoulou, me rastin e samitit evropian për Ukrainën, si dhe ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.
A sinjalizon kjo lëvizshmëri diplomatike përgjatë boshtit Athinë-Tiranë një zhvillim të ri? Deri tani nuk ka asnjë tregues konkret që paralajmëron një rinisje të plotë të marrëdhënieve shqiptaro-greke në epokën pas çështjes Beleri, aq më pak nënshkrimin e një traktati miqësie sipas modelit të marrëveshjes së vitit 1996. Përtej deklaratave të vetë eurodeputetit, asnjëra palë nuk i ka konfirmuar apo mohuar këto pretendime.
Vizitat, takimet dhe deklaratat pozitive janë të mirëpritura, por ekziston edhe realiteti politik. Greqia po hyn gradualisht në një periudhë me karakter parazgjedhor dhe, megjithëse marrëdhëniet me Shqipërinë janë përmirësuar ndjeshëm, është e vështirë të imagjinohet zhvillimi i negociatave të rëndësishme apo nënshkrimi i marrëveshjeve të mëdha në prag të proceseve zgjedhore.
Axhenda shqiptaro-greke përfshin ende çështje të ndërlikuara dhe me peshë historike, të cilat kërkojnë guxim dhe vendosmëri nga të dyja palët për t’u zgjidhur.
A ka sot në qeverinë greke dikush që dëshiron të hapë tema të tilla? Sipas vlerësimit të autorit, sigurisht jo kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Përfundimi është i thjeshtë: çështjet e mëdha mbeten për më vonë, pas zgjedhjeve, kur të krijohen kushtet për vendime më të rëndësishme. /Përshtatur nga “Kathimerini”
Një mbrëmje, një hajdut po priste drynin e argjendarit me një sharrë metali. Një kalimtar i dehur e pyet: "Çfarë po bën këtu?" Hajduti përgjigjet: "Po luaj me violinë!" Burri i dehur pyet: "Por nuk ka zë këtu!" Hajduti thotë: "Do ta dëgjosh nesër!" Pra, Dendiasi është "hajduti" këtu dhe ne të gjithë jemi të dehur! Do ta dëgjojmë gjatë javës kur të dëgjojmë muzikën në Egje!