TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Janar 2025, 16:24

Berisha i shuan shpresat Gazment Bardhit, kush rrezikon nga primaret në PD

Shkruar nga Pamfleti

Berisha i shuan shpresat Gazment Bardhit, kush rrezikon nga primaret në PD

Natyrisht që më të rrezikuarit nga vota e anëtarëve janë ata që në 8 janar 2022, kur ndodhi përplasja e madhe për selinë e PD-së, nuk ishin në krahun e Berishës dhe militantëve që ai udhëhiqte për të marrë godinën.

Sali Berisha, kreu demokrat, deklaroi sot në mënyrë të prerë se primaret, ose procesi i votimit nga anëtarësia të kandidatëve për deputet do të zhvillohet. Berisha tha se ky është një detyrim statutor, i cili duhet zbatuar.

“Ka një statut PD që është mbi mua. Ai statut miratuar me unanimitet. Nuk jam unë statuti, unë jam njeriu që zbatoj statutin. Mendimet e ndryshme janë të pranueshme, por statuti do të zbatohet.

Siç e shihni ka një përqendrim shumë të madh për votën e diasporës dhe faktikisht ne e kemi decentralizuar. Pra janë shumë drejtues tonë, lokalë dhe qendror që ndodhen sa në Shqipëri dhe në vende të tjera në kontakt që të mund të realizojmë regjistrimin sa më të madh të votuesve tanë jashtë vendit. Shumë shpejt do të hapet dhe gara për deputetë dhe për gjithë procesin”, tha Berisha.

Deklaratat e kreut demokrat vijnë në një kohë kur Gazment Bardhi, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, pati deklaruar se ky proces nuk i shërben partisë dhe mund të shtojë përplasjet në PD.

“Ka një risk për të krijuar destabilitet të mëtejshëm në PD ndaj duhet të jetë një proces i kujdesshëm, sikundër duhet të mbajë në konsideratë nevojën që ka PD për prurje të reja jashtë strukturës së partisë. Në parim fakti që vendoset vota e anëtarit të partisë është zhvillim shumë pozitiv, por duhet kujdes që ky proces demokratizimi brenda partisë të mos kthehet në anarki, apo në një proces që destabilizon partinë, sepse në këtë moment ne kemi nevojë për stabilitet dhe bashkimin e çdo faktori dhe anëtari të partisë në çdo degë, sikundër kemi nevojë edhe për një hapje që jo gjithmonë sigurohet përmes një procesi të brendshëm brenda partisë", deklaroi Bardhi pak ditë më parë.

Por mes deklaratës së prerë të Berishës dhe kërkesës gati lutëse të Bardhit sigurisht që do të prevalojë i pari, aq më tepër kur e trajton si një çështje të sanksionuar në statut.

Po kush rrezikon nga procesi i primareve në PD?

Natyrisht që më të rrezikuarit nga vota e anëtarëve janë ata që në 8 janar 2022, kur ndodhi përplasja e madhe për selinë e PD-së, nuk ishin në krahun e Berishës dhe militantëve që ai udhëhiqte për të marrë godinën.

Shembullin më të qartë e dhanë zgjedhjet në degën 2 të PD, të mbajtura rreth një javë më parë. Kryetarja në detyrë e cila humbi dhe kontestoi procesin, ndoshta edhe me të drejtë, 4 vjet më parë, kur nisën përplasjet mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, firmosi formularin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD kundër ish-kryeministrit, madje duke firmosur një formular ku tekstualisht vihej theksi te sanksioni “non grata”.

Pavarësisht se më pas e njëjta u shfaq si një mbështetëse e Berishës, madje duke marrë pjesë në çdo tubim poshtë ballkonit të tij, në zgjedhjet e brendshme në parti humbi.

Dhe nisur nga ky rast, kuptohet se me një proces primaresh të rrezikuar do të jenë të gjithë ata që Berisha nuk do që t’i ketë më nëpër këmbë.

Ata që do të votojnë në primare janë të njëjtët që e mbështetën Berishën nga momenti që nisi foltoret, që i mbushën stadiumin në 11 dhjetor 2021 apo që në 18 dhjetor i shkuan në referendumin që e konfirmonin si Kryetar.

Ata që i qëndruan në krah nga momenti i parë dhe që sot janë në grupin parlamentar numërohen me gishtat e dorës, të tjerët që herë ishin me Bashën dhe më pas u identifikuar si mbështetës të Bardhit, duhet të bëjnë llogaritë, ose të shpresojnë se “dora e padukshme” mund të ndryshojë për disa rezultatin e votimit.

Dhe referuar përbërjes së Grupit Parlamentar ata që mund të rrezikohen nga primaret janë nga Andia Ulliri e Kreshnik Çollaku, te Merita Bakiu, Orjela Nebiaj, Eralda Bano, Agron Gjekmarkaj, Bledion Nallbati, Dashnor Sulaj, Dhurata Çupi, Emilja Koliqi, Ferdinand Xhaferaj, Flamur Hoxha, Helidon Bushati, Ilda Dhori, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja, Petrit Doda, Qani Xhafa, Ramadan Likaj, Sajmir Koreshi, Xhelal Mziu dhe Zheni Gjergji.

Ndoshta për 4 ose 5 emra, që mund të jenë sot drejtues qarqesh në funksion të procesit të bashkimit në diversitet, Primaret mund të mos shërbejnë si “gijotinë” politike. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje