Vendi është përfshirë nga moti i keq. Përmbytje janë raportuar në shumë qytete.
Ndërkohë, vazhdon të mbetet e rënduar situata në territorin e Bashkisë Kukës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Në fshatin Orgjost, ura që lidh mbi 1000 banorë të dy lagjeve te fshatit rrezikon të dëmtohet seriozisht për shkak të fryrjes së lumit nga prurjet e shumta të ujit.
Banorët tregojnë se prurjet e lumit kanë gërryer bazamentet e betonit në hyrje dhe dalje të urës, e cila është e tipit ushtarak. Gjithashtu kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat e emergjencave civile në nivel lokal dhe qendror.
Aktualisht, fshati Orgjost ka mbetur pa energji elektrike, e cila është ndërprerë rreth 30 minuta më parë.
Vijon të shkaktojë dëme moti i keq në vend.
Përroi i Glinës ka dalë nga shtrati në territorin e Bashkisë Vau i Dejës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në qarkun e Shkodrës.
Përroi i Glinës ka vërshuar përmes qytetit, ndërsa janë shkaktuar përmbytje në unazën e qytetit dhe në rrugën kryesore.
Shqipëria po përballet me një situatë të rënduar atmosferike, ku Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka paralajmëruar për reshje intensive dhe rrezik real për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa qarqe të vendit. Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, sot dhe nesër pritet intensifikim i reshjeve në veri dhe jug, duke rritur ndjeshëm prurjet në lumenjtë kryesorë dhe duke rrezikuar zonat urbane me përmbytje të lokalizuara.
Sipas IGJEUM, qarqet më të prekura do të jenë: Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. Në këto zona parashikohet rrezik për vërshime të shpejta të lumenjve malorë dhe për rrëshqitje dherash, sidomos në zonat me terren të pjerrët dhe të pambrojtur. Reshjet e dendura, të shoqëruara me shtrëngata, do të prekin pjesën më të madhe të territorit deri në ditën e enjte. Në zona urbane, përmbytjet do të varen nga gjendja e kanalizimeve, që sipas eksperiencës së viteve të fundit mbetet problematike.
IGJEUM veçon veçanërisht zonën e Shkodrës dhe Lezhës, ku priten reshje intensive dhe rritje kritike të niveleve në Drin-Bunë dhe Liqenin e Shkodrës. Prurjet e larta janë të pritshme edhe në lumin Mat, Shkumbin dhe Vjosë. Në jug, sidomos në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet parashikohen të jenë "lokalisht shumë intensive", duke rritur rrezikun për përmbytje dhe izolim të zonave rurale.
Në zonat malore të Veriut, Lindjes dhe Juglindjes, mbi kuotën 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të shndërrohen në dëborë, duke shtuar vështirësitë në qarkullimin rrugor. Ndërkohë, era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në zonat bregdetare, duke shtuar rrezikun për dëmtime infrastrukture dhe valë të larta në det.
Temperaturat për ditën e nesërme pritet të variojnë:
Në bregdet: 9 / 16 °C
Në zonat e ulëta: 9 / 16 °C
Në zonat malore: 3 / 12 °C
Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës janë vënë në gatishmëri, por deri tani nuk ka një plan të detajuar të bërë publik për evakuime apo masa parandaluese. IGJEUM apelon për kujdes të shtuar, sidomos në zonat pranë lumenjve dhe në rrugët e rrezikuara nga rrëshqitjet e dherave. Qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë orëve me intensitet maksimal reshjesh.
Situata e motit të keq ka goditur edhe trafikun ajror në vend. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka konfirmuar zyrtarisht se gjatë 24 orëve të fundit, dy avionë në ardhje drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës janë detyruar të devijojnë drejt Barit në Itali, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike që bënë të pamundur uljen në Rinas.
Sipas deklaratës së Ballukut, edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar fenomene të lokalizuara pranë aeroportit, duke sjellë vështirësi për fluturimet hyrëse dhe dalëse. “Stafet e Albcontrol kanë akomoduar të gjitha kërkesat e pilotëve për të shmangur këto fenomene gjatë fazave të fluturimit. Siguria është prioritet absolut dhe po bëhen të gjitha përpjekjet për menaxhimin e situatës,” u shpreh ministrja.
Balluku paralajmëroi gjithashtu se për shkak të devijimeve dhe trafikut të ngarkuar ajror, priten vonesa në disa prej fluturimeve të sotme. Albcontrol po monitoron nga afër zhvillimet meteorologjike dhe është në kontakt të vazhdueshëm me linjat ajrore për të garantuar shërbim të sigurt dhe sa më pak shqetësime për pasagjerët.
Pas sërfit në rrugët e Durrësit, një tjetër qytetar ka dalë në qarkullim me motoskaf në Laç.
Edhe Laçi ashtu si shumë qytete të Shqipërisë është prekur nga përmbytjet masive si pasojë e motit të keq që ka sjellë reshje intensive shiu.
Disa shtëpi raportohen të përmbytura gjithashtu dhe toka bujqësore.
Banorët e zonës së Kënetës në Durrës janë përballur sot me përmbytje të konsiderueshme si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke përshkruar një situatë të rëndë dhe problematike për jetesën e përditshme.
Duke folur për News24 dhe gazetarin Osman Stafa, banorët thanë se uji ka pushtuar banesat, oborret dhe rrugët, ndërsa lëvizja është bërë pothuajse e pamundur. Sipas tyre, niveli i ujit në disa shtëpi ka kaluar një metër.
“Situata sot ka qenë shumë e vështirë. Ka pasur shumë shi dhe nevojiten zjarrfikëse me pompa për të larguar ujin nga oborret. Nuk kemi çuar fëmijët në kopsht,” u shpreh një banor.
Një tjetër banor tha se përmbytjet kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe se ndërhyrjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultat. “Nuk dimë çfarë të bëjmë, kërkojmë ndërhyrje nga shteti. Kanë ardhur përfaqësues të bashkisë, por gjendja mbetet e njëjtë. Jemi përpjekur ta ndalim ujin me thasë,” tha ai.
Një banor tjetër përshkroi dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytjet. “Mbi një metër ujë ka nëpër shtëpi. Më është përmbytur banesa dhe rruga nuk kalohet as me makinë. Asnjë nuk ka ardhur të ndihmojë. Sot jam i detyruar të qëndroj jashtë shtëpisë sime. Janë përmbytur familje dhe biznese,” deklaroi ai.
Një prej banorëve ka arritur të lëvizë në lagjen e tij vetëm përmes një gomoneje të vogël, duke dëshmuar nga mesi i ujit gjendjen e rëndë në zonë. “Situata është katastrofë, nuk ka më keq. Është një rast i rrallë. Pa këtë gomone nuk dal dot, kemi fëmijë të vegjël dhe dëme të mëdha materiale në shtëpi,” u shpreh ai.
Banori tregoi se gomonen e kishte blerë për fëmijën e tij për përdorim në det, por nuk e kishte menduar kurrë se do t’i duhej ta përdorte brenda lagjes. “Ndryshe nuk dalim dot. Kemi frikë nga rryma elektrike, dritat kanë ikur e kanë ardhur disa herë. Askush nuk ka ardhur të interesohet për çfarë po ndodh. Nuk kemi dalë dot as për të parë gjendjen përreth”, tha ai.
Zona e Kënetës konsiderohet një nga zonat më problematike të Durrësit sa herë ka reshje intensive. Banorët u bëjnë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore për ndërhyrje të menjëhershme, pasi situata vijon të mbetet e vështirë.
Reshjet e dendura dhe prurjet e mëdha në kaskadën e Drinit kanë vënë në gatishmëri Emergjencat Civile në Shkodër.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka bërë të ditur në rrjetet sociale se është mbledhur Shtabi i Emergjencave Civile, për planin e masave dhe gatishmërinë nga situata e krijuar.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, si dhe prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda.
Gjatë diskutimeve u theksua zbatimi i një plani të detajuar monitorimi dhe koordinimi, me fokus parandalimin dhe reagimin e shpejtë ndaj çdo rreziku të mundshëm.
Autoritetet paralajmërojnë se orët në vijim mund të sjellin përkeqësim të situatës, ndaj u bëhet thirrje banorëve të rrisin vigjilencën dhe kujdesin, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj përmbytjeve.
"Bashkia Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me KESH dhe institucionet e tjera përgjegjëse, ndodhet në gatishmëri të plotë. Për çdo emergjencë apo informacion shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin e telefonit 069 606 0992.
Situata po monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe qytetarët do të informohen në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm", shkruan Beci.
Lumi Ishëm del nga shtrati në Fushë-Krujë
Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në pikat e tij më të dobëta në fshatin Murqinë e mallkuç duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore e duke bllokuar dy lagje në fshatin Murqine.
Ndërkohë situata për shkak të mosfunksionimit të kanaleve kulluese vijon që të jetë problematike në disa fshatra si Bubqi, Gramza, Derveni, Luzi, Malkuçi, Murqina, Bilaj, ku përpos qindra hektarëve tokë bujqësore që ndodhet nën ujë ka dhe rrugë e akse të përmbytura.
Situata nuk ka asnjë lloj përmirësimi pasi nuk ka asnjë ndërhyrje nga ana e strukturave të bashkisë, prefekturës apo emergjencave civile.
Ndërkohë reshjet kanë ndaluar por sipas parashikimeve pritet që të rifillojnë.
Reshjet e shiut kanë sjellë rrëshqitjen e një masivi shkëmbor, duke sjellë bllokim të aksit të vjetër rrugor Lezhë–Rubik.
Bllokimi i rrugës ka ndodhur prej orëve të paradites dhe ende nuk ka asnjë ndërhyrje në terren nga strukturat përgjegjëse, duke penalizuar lëvizjen e banorëve.
Prurjet e shumta nga reshjet e shiut bllokuan hyrjet e pallateve në Lezhë kryesisht në lagjen “Besëlidhja”. Për shkak të prezencës së ujit në oborre, u anulua procesi mësimor në dy shkolla të Lezhës, “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”. Lumi Drin përmbyti edhe shëtitoren në lagjen “Skënderbeg”. Për shkak të shirave pati rritje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër.
Janë 880 hektarë tokë të përmbytura në gjithë territorin e Lezhës.
Në zonën e Kurbinit rreth 1500 ha tokë bujqësore janë nën ujë konkretisht pranë mbikalimit të Patokut në autostradë si dhe në njësinë administrative Mamurras. Rreth 100 banesa në Kurbin u rrethuan nga uji. Në fshatin Fushë-Mamurras është ndërprerë mësimi.
Prefekti i Durrësit Emiljan Jani ka shpjeguar situatën dhe masat që janë marrë për përmbytjet në këtë qark. Jani shtoi se qarku i Durrësit sot pati një situatë të rënduar të rreshjeve me intensitet të lartë që vijuan me orë të tëra. Ai theksoi se janë evakuuar 60 persona nga 18 familje. Sipas tij, situata po shkon drejt normalizimit.
“Situata është drejt normalizimit. Durrësi sot u gdhi duke filluar nga mesnata dhe deri në mesin e ditës me një shi të rrëmbyeshëm, me intensitet mbi mesatar ku patëm përmbytje të rrugëve, të banesave, të shtëpive dhe të tokave. Pra, qarku i Durrësit sot pati një situatë të rënduar të rreshjeve me intensitet të lartë që u përfshi me orë të tëra
Deri në momentin që flasim nuk kam një njoftim për normalitet të rrugës të Durrës-Tiranë. Por deklaroj që situata është drejt normalitetit dhe gjithë strukturat e Emergjencave Civile, duke përfshirë dhe Emergjencat Civile të Tiranës të cilat janë prezent nga mëngjesi i sotëm me mjete dhe me njerëz, jemi në terren për të normalizuar situatën. Krahas saj, ne kemi bërë edhe evakuimin e disa familjeve që e kishin të pamundur qëndrimin brenda në shtëpi. Kemi shfrytëzuar dhe kemi dërguar dy kavalishencat atë të Mbrojtjes dhe të ministrisë së Brendshme, rreth 60 persona nga 18 familje”, shpjegoi Emiljan Jani në një lidhje direkte për OraNews.
Pas reshjeve intensive që shkatërruan infrastrukturën e qytetit, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës u përmbyt rëndë. Në të janë izoluar disa personazhe VIP, mes tyre edhe kryebashkiaku Erion Veliaj apo ish-ministri Ilir Beqaj.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, u paraqit në vendngjarje dhe deklaroi se ka monitoruar situatën që në orët e para të mëngjesit dhe se autoritetet ndërhynë për evakuimin e të shoqëruarve në katet më të larta të objektit. “Ne stakuam energjinë elektrike në katin e parë dhe evakuuam personat në katet e sipërme. Po përdorim pompa me kapacitet të lartë që mbërritën nga Ministria e Mbrojtjes për të larguar ujin”, tha Lamallari. Ai theksoi gjithashtu funksionimin e Komisionit të Emergjencave Civile në Durrës për koordinimin e ndërhyrjeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, tha se situata është nën kontroll dhe se po realizohen furnizimet logjistike për operacionet e pastrimit dhe sigurimit të ambientit.
Reshjet e dendura të shiut kanë përmbytur të gjithë Durrësin paraditen e sotme, duke paralizuar komplet qytetin dhe trafikun.
Reshjet e pandërprera të shiut kanë krijuar probleme edhe në Rrugën e Arbrit.
Në segmentin e Xibrit nga tuneli i Murrizit deri tek tuneli numër dy në fshatin Shkallë ka prezencë të ujit e në disa vende rrëshqitje dherash.
Ndonëse qarkullimi ka vijuar normalisht deri tani, fryrja e tokës si pasojë e reshjeve të pandërprera ka bërë që në shpatet e malit të plasin burime uji që krijojnë shembje të dherave.
Po ashtu, feyrja e zallit të fshatit Xibër - Murriz rrezikon argjinaturën mbrojtëse të rrugës në fshatin Shkallë si dhe rrëmbimin e urës së lagjes "Metaj".
Gjithashtu në tunelin numër 5 të rrugës së Arbrit që del mbi urën e Vashës mungon energjia elektrike në 90% të gjatësisë për shkak të dëmtimit të rrjetit ndriçues.
Vendi ynë është përfshirë këtë të martë nga reshje të dendura shiu, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve në pjesën më të madhe të vendit.
Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se përmirësimi i kësaj situate do bëhet duke filluar nga dita e enjte.
“Reshjet do të vijojnë pasditen e sotme dhe ditën e nesërme në të gjithë vendin. Në qarqet, Shkodër Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër do të kemi reshje intensive. Në qarqet e tjera do reshjet e tjera do të jenë mesatare ose lokalisht intensive. Intensiteti i shtuar i reshjeve do të vijojë të sjellë edhe rritjen e prurjeve në lumenjtë Drin, Bunë, Mat, Vjosë, Shkumbin dhe liqenin e Shkodrës. Më kritike situata mbetet në Shkodër dhe Lezhë.
Do të jetë e enjtja që do të sjellë ndërprerjen e reshjeve dhe përmirësimin gradual të situatës- pra tërheqjen e ujit. Problemet do të vijojnë në qarqet Gjirokastër, Lezhë, Kukës- ku ndër të tjera përfshihet edhe rrëshqitja e dherave në zonat malore të këtyre qarqeve", tha Gjoni.
Megjithatë edhe pse nuk do të kemi reshje, vendi do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të ftohta, çka do të sjellë edhe uljen e temperaturave.
"Të enjten dhe të premten vendi ynë do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të ftohta. Do të kemi rënie të temperatrurave, por jo aq sa të ulëta sa ishin në javën e parë të janarit", tha Gjoni.
Temperaturat minimale dhe maksimale të enjten parashikohen:
Në zonat bregdetare 8/9 gradë celcius;
Në zonat e ulëta 7/8 gradë celcius;
Në zonat malore -3/0 gradë celcius.
Reshjet e fundit, në territorin e Bashkisë Tropojë kanë shkaktuar disa problematika në infrastrukturën rrugore.
Në Njësinë Administrative Bujan, Bashkia Tropojë, në fshatin Gegësyen, ka ndodhur rrëshqitje dherash, duke sjellë bllokim të rrugëve.
Mjetet e bashkisë dhe punonjësit e Njësisë Administrative janë në terren dhe po kryejnë ndërhyrje të menjëhershme për normalizimin e situatës.
Në Njësinë Administrative Margegaj, Bashkia Tropojë, ka disa rrëshqitje gurësh në rrugën Dragobi–Valbonë. Firma kontraktore është angazhuar për pastrimin dhe largimin e materialeve nga trupi i rrugës.
Gjithashtu, në aksin Dushaj – Sheshi i Trageteve – Lekbibaj, në kilometrin 4, ka ndodhur një rrëshqitje që ka bllokuar përkohësisht qarkullimin. Po punohet për largimin e materialeve dhe hapjen e pjesës kaluese të rrugës.
Përmbytjet në Durrës kanë përfshirë edhe katin e parë të paraburgimit në qytetin bregdetar.
Të gjithë të paraburgosurit që kanë pasur qelitë në katin e parë janë zhvendosur në të dytin.
Ndërkohë rruga është bllokuar me shirit nga policia pasi është e pamundur të futesh në zonën e ish-Kënetës për shkak të sasisë së ujit.
Atje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse për të larguar ujin pas rritjes së nivelit të tij si pasojë e motit të keq.
Për të ndjekur situatën nga afër, në vendngjarje ka mbërritur Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, së bashku me përfaqësues të lartë nga Ministria e Drejtësisë.
Pritet që në orët në vijim të ketë një reagim zyrtar nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të sqaruar gjendjen e të dënuarve dhe masat e marra për sigurinë e institucionit.
Moti i keq ka shkaktuar problematika në aksin nacional Tepelenë-Gjirokastër në vendin e quajtur "Shkalla e Zezë".
Një masiv shtufor ka rënë në rrugë duke shkaktuar bllokimin e aksit në fjalë. Kjo ka shkaktuar radhë të gjata pritjeje tek automjetet në të dy anët e rrugës.
Në vendngjarje ka shkuar Policia Rrugore dhe punonjësit e firmës kontraktore për të hequr baltën shtufore.
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në Vorë, ndërsa më herët ishte njoftuar për prezencë të lartë uji në autostradën Tiranë-Durrës.
Nga raportimet mësohet se në Vorë ka një prezencë të lartë të ujit në bllokun e pallateve dykatëshe në rrugën “Unaza”.
Gjithashtu në disa biznese ka pasur një depërtim të ujit, ndërsa një automjet zjarrfikës vijon tërheqjen e ujit.

Shqipëria është pushtuar ditën e sotme nga moti i keq, ku situata në shumë qytete dhe fshatra paraqitet shumë problematike.
Për shkak të situatës së krijuar dhe përkeqësimit të kushteve atmosferike, vijon pezullimi i lundrimit detar për të gjitha anijet e vogla dhe peshkarexhat.
Janë anuluar gjithashtu edhe lundrimet drejt Italisë, për shkak të erërave të forta dhe detit me dallgë deri në 7 ballë.
Ndërkohë, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka njoftuar mjetet e vogla lundruese, përfshirë tonazhin e lehtë si dhe mjetet e peshkimit, që të qëndrojnë të ankoruara dhe te presin një njoftim të dytë, pasi, sipas parashikimeve, moti është përkeqësuar dhe ekziston rreziku i mbytjes se tyre.
Trageti parashikohet të niset në mbrëmje nga Brindisi drejt Vlorës, dhe kjo varet nga ndryshimi i erës dhe dallgëve.
Moti i keq ka përfshirë Shqipërinë, duke krijuar bllokime rrugësh, trafik, përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike si dhe anulim të mësimit në disa shkolla.
Kushtet e përkeqësuara atmosferike kanë ndikuar edhe tek fluturimet. Në një njoftim për pasagjerët, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, njofton se për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, disa fluturime mund të kenë vonesa.
“Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, disa fluturime mund të ndikohen në aspektin e orarit.
Operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës vazhdojnë normalisht, me ekipet që punojnë në koordinim të ngushtë për të siguruar shërbime të qeta dhe pa probleme në aeroport.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre dhe të qëndrojnë në kontakt me linjën ajrore për përditësime”, thuhet në njoftim.

Lezha dhe Shkodra regjistrojnë sasinë më të madhe të reshjeve në orët e fundit, ndërsa Durrësi është përmbytur...
Moti i keq ka zënë të papërgatitura një pjesë të konsiderueshme të strukturave të bashkive dhe vetë Qeverinë. Edhe pse prej ditësh ishte paralajmëruar se vendi do të përfshihej nga reshje intensive, veçanërisht në disa qytete kryesore, duket se paralajmërimet nuk janë marrë me seriozitet.
Ministri i Mbrojtjes ka thirrur Komitetin e Emergjencave Civile në një mbledhje të posaçme, për të bërë një vlerësim të situatës dhe për të përgatitur reagimin në orët në vijim.
Në shumë zona të vendit, rrugët janë kthyer në përrenj, ndërsa banesa janë përmbytur. Në Durrës është pezulluar mësimi për shkak të gjendjes së rënduar, ndërsa qyteti bregdetar i ngjan Shkodrës së dikurshme – që përmbytej sa herë ka reshje intensive dhe shkarkime nga hidrocentralet mbi Drin.
Në disa akse rrugore janë raportuar rrëshqitje dherash dhe gurësh, ndërsa prania e ujit ka bërë të vështirë qarkullimin e mjeteve. Policia e Shtetit njoftoi për devijim trafiku në segmentin Tiranë–Durrës për shkak të përmbytjeve.
Në qarkun e Gjirokastrës po regjistrohen reshje të dendura dhe erëra të forta. Probleme janë evidentuar në aksin Tepelenë–Gjirokastër, ku ka rënie inertesh dhe qarkullimi bëhet vetëm me një korsi.
Në Vlorë, reshjet janë me intensitet të ulët, por ka pasur ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike në bashkinë Finiq dhe disa zona periferike. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe sistemet hidrike janë në funksion të rregullt.
Në Kukës, reshjet me intensitet të lartë kanë përfshirë të gjithë territorin e qarkut, por akset nacionale janë aktualisht të qarkullueshme.

Durrësi
Edhe pse sipas të dhënave zyrtare Durrësi nuk ka patur nivelin më të lartë të reshjeve, situata në terren është ndër më të rëndat. Qyteti dhe zonat përreth kanë përjetuar përmbytje të rënda, ndërprerje të energjisë dhe vështirësi në funksionimin e bizneseve dhe institucioneve.
Janë raportuar rreth 10 familje të evakuuara, kryesisht në zonat e Nish Tullës dhe Kavaleshencës. Prefektura e Durrësit u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Lezha
Edhe në qarkun e Lezhës situata është përkeqësuar. Mësimi është pezulluar në dy shkolla, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, rreth 20% e territorit të Bashkisë Lezhë është nën ujë.
Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, deklaroi se lumenjtë janë fryrë nga prurjet e larta dhe ka prezencë uji në toka bujqësore, por deri më tani nuk raportohet përmbytje të banesave.

Shkodra
Në qarkun e Shkodrës janë evakuuar 15 familje në Malësinë e Madhe për shkak të përmbytjeve. Hidrovoret po furnizohen normalisht me energji elektrike. Ndërkohë, për shkak të rritjes së prurjeve në Drin, kanë nisur shkarkime të kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një prurje aktuale prej 700 m³/sek.
Komisioni i Emergjencave Civile është në kontakt të vazhdueshëm me KESH-in për monitorimin e situatës, dhe deri tani nuk raportohen probleme serioze në argjinatura apo kanale kulluese. Megjithatë, lumi Gjadër ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në lagjen “Kapedani”.
Fshati Flakë vijon të jetë i izoluar për shkak të përmbytjeve nga përroi i zonës. Probleme me furnizimin me energji elektrike janë shënuar në zonat Kelmend dhe Shkrel në Malësi të Madhe.
Apeli nga Policia
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar, duke bërë apel për kujdes maksimal në rrugë për shkak të reshjeve intensive që kanë vështirësuar qarkullimin në disa segmente.
Janë bërë devijime për automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, rekomandohet përdorimi i rrugës së Plepave për në Ndroq dhe më pas Rruga Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.
Në Durrës, kalimi rekomandohet të bëhet nga rruga e Universitetit drejt Spitallës, për të shmangur zonën e përmbytur pranë karburantit në hyrje të qytetit.
Policia Rrugore dhe patrullat janë në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të ndihmuar qytetarët. Apelohet që të shmangen lëvizjet e panevojshme dhe të ndiqen me përpikëri udhëzimet e forcave të rendit. /Pamfleti/
Mirë që futen në punë të paaftët dhe militantët, se kjo është një praktikë 35 vjeçare, (majtas-djathtas); po avokati i popullit Endri Shabani ça bën? S'u duk gjëkundi. Apo aq ishte teatri, sa mori postin? Avokati i popullit mund të nisë edhe me nismën e tij hetime administrative, edhe pa një ankesë të drejtpërdrejtë, dhe të shqyrtojë veprimet ose mosveprimet e organeve publike në përgjigje të përmbytjes, përfshirë edhe kërkimin e shpjegimeve dhe dokumenteve nga autoritetet përkatëse.