Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke folur nga Florida pas konferencës së presidentit Trump, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk e kanë njohur kurrë Nicolás Maduro-n si president legjitim të Venezuelës, duke kujtuar se që nga viti 2020, ai është nën aktakuzë federale dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia amerikane.
“Nicolás Maduro nuk është president i Venezuelës. Nuk është njohur nga administrata e parë Trump, as nga administrata Biden, dhe as nga administrata e dytë Trump. As Bashkimi Europian nuk e njeh si të tillë. Ai është një i arratisur nga drejtësia amerikane, me një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij”, deklaroi Rubio.
Ai zbuloi gjithashtu se Maduro kishte pasur disa mundësi për të shmangur këtë skenar. “Atij iu ofruan disa mundësi – shumë, shumë bujare – për të dalë në mënyrë të qetë dhe me dinjitet. Por zgjodhi të sillej si i tërbuar, të luante me kohën dhe me fatin. Rezultati është ai që pamë sonte”, tha Rubio.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA, gjenerali Dan Caine, ka zbuluar sot emrin zyrtar të misionit që çoi në rrëzimin dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s: Operacioni “Absolute Resolve” (Vendosmëri Absolute).
Duke folur nga Uashingtoni pas presidentit Trump, gjenerali Caine deklaroi se ky operacion u zhvillua në fshehtësi të plotë, me saktësi të lartë dhe gjatë orëve më të errëta të 2 janarit, duke e përshkruar si kulmin e një procesi të gjatë përgatitjeje.
“Operacioni, i njohur si Absolute Resolve, ishte diskret, preciz dhe u zhvillua gjatë natës më të errët të 2 janarit. Ishte përfundimi i muajve të tërë planifikimi dhe stërvitjeje intensive – një operacion që, për ta thënë qartë, vetëm ushtria amerikane mund ta realizonte,” tha Caine.

Burime të afërta me autoritetet amerikane kanë konfirmuar për CNN se Nicolás Maduro, aktualisht në bordin e luftanijes USS Iwo Jima, do të bëjë një ndalesë të shkurtër në bazën ushtarake të SHBA-së në Guantanamo Bay, përpara se të transferohet përfundimisht në Nju Jork.
Ndalesa në “Gitmo”, siç njihet shpesh kjo bazë e vendosur në juglindje të Kubës, është pjesë e një plani për përshpejtimin e transferimit të Maduro-s, duke shmangur procedura të ndërmjetme dhe duke e dërguar direkt me avion ushtarak në Nju Jork.
Sipas burimeve, Maduro do të akomodohen përkohësisht në qendrën federale Metropolitan Detention Center në Brooklyn, ndërsa paraqitja e tij e parë në gjykatën federale të Distriktit Jugor të Nju Jorkut (SDNY) pritet të ndodhë të hënën.
Maduro është nën aktakuzë që nga viti 2020, për akuza që përfshijnë narco-terrorizëm, trafik ndërkombëtar droge dhe korrupsion në nivel shtetëror. Një aktakuzë e re e zgjeruar u bë publike të shtunën, menjëherë pas arrestimit të tij nga forcat amerikane në Caracas.
Ky zhvillim shënon një kapitull historik për marrëdhëniet SHBA–Amerikë Latine, me një lider të fuqishëm rajonal që jo vetëm rrëzohet me forcë, por sillet për gjykim në tokën amerikane, në një precedent të paprecedentë në dekadat e fundit.
Pas presidentit Trump dhe Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, para mediave doli gjenerali Dan Caine, oficeri më i lartë i Forcave të Armatosura të SHBA, i cili zbuloi përmasat reale të operacionit më kompleks ushtarak në hemisferën perëndimore në dekadat e fundit.
Në një deklaratë të detajuar, gjenerali Caine tha se punimet ndërinstitucionale për këtë ofensivë kishin nisur prej muajsh, dhe kishin ndërtuar mbi dekada përvoje në integrimin e operacioneve ajrore, tokësore, detare dhe hapësinore.
“Ky ishte një operacion i planifikuar me përpikmëri, ku CIA, NSA dhe Agjencia Kombëtare e Krimeve (NCA) bashkëpunuan ngushtë për të ndërtuar një strukturë ndërveprimi të patëmetë,” deklaroi Caine.
Ai bëri të ditur se më shumë se 150 avionë u hodhën në veprim njëkohësisht nga pika të ndryshme të hemisferës perëndimore, në një operacion të sinkronizuar me precizion ekstrem, me një qëllim të vetëm: futjen e një force ndërhyrëse në zemër të Karakasit duke ruajtur surprizën taktike.
“Dështimi i një komponenti të vetëm do të rrezikonte gjithë misionin dhe për forcat e përbashkëta amerikane, dështimi nuk është kurrë një opsion,” deklaroi me tone të ashpra gjenerali Caine.
Deklarata e tij konfirmon qartë se ndërhyrja në Venezuelë nuk ishte reagim i menjëhershëm, por pjesë e një strategjie të gjerë të ndërtuar me mjeshtëri, ku janë përfshirë të gjitha nivelet e aparatit të sigurisë kombëtare të SHBA.

Në mbyllje të konferencës së jashtëzakonshme për shtyp, presidenti Donald Trump ka dhënë mesazhin më të fortë politik dhe ideologjik lidhur me ndërhyrjen ushtarake që çoi në rrëzimin e Nicolás Maduro-s dhe vendosjen e kontrollit amerikan në Venezuelë.
“Jemi duke riafirmuar fuqinë amerikane në mënyrë shumë të fuqishme, në rajonin tonë, në shtëpinë tonë”, tha Trump, duke i referuar kështu Hemisferës Perëndimore si sferë e natyrshme e ndikimit të SHBA-së.
Në një përplasje të drejtpërdrejtë me trashëgiminë e Maduro-s, Trump deklaroi se “ky njeri nuk do të jetë më kurrë në gjendje të kërcënojë një qytetar amerikan apo ndokënd në Venezuelë.” Ai akuzoi regjimin chavist për një strategji kriminale të eksportimit të kriminelëve dhe trafikantëve të drogës drejt SHBA-së, duke thënë se “ata boshatisën burgjet dhe dërguan njerëzit më të dhunshëm dhe më të rrezikshëm për të vjedhur jetë amerikane. Por kjo nuk do të ndodhë më.”
Trump përsëriti gjithashtu akuzën se Venezuela “vodhi naftën amerikane”, duke pretenduar se ishin kompanitë amerikane ato që ndërtuan industrinë e energjisë në këtë vend, por më pas u përjashtuan dhe u grabitën nga regjimi chavist.
Duke u ndalur në bazën ideologjike të këtij veprimi, Trump e lidh ndërhyrjen me Doktrinën Monroe, një doktrinë thelbësore e politikës së jashtme amerikane që daton që prej vitit 1823 dhe që synonte të pengonte ndërhyrjet europiane në Amerikën Latine. “E kishim harruar paksa, por ishte shumë e rëndësishme. Tani po e rikthejmë.”
Në mbyllje, ai deklaroi me një ton ceremonial: “Diktatori dhe terroristi Maduro është larguar më në fund, dhe populli venezuelan është i lirë. Janë sërish të lirë. Ka kaluar shumë kohë për ta, por tani janë të lirë. Amerika është më e sigurt këtë mëngjes, dhe Hemisfera Perëndimore është sot një vend shumë më i sigurt për të jetuar.”
Kjo deklaratë finalizon qëndrimin e ri të Shteteve të Bashkuara për një hemisferë të dominuar qartazi nga Uashingtoni, ku ndërhyrjet ushtarake dhe ekonomike justifikohen si pjesë e një politike rajonale të rivendosur pas dekadash mosveprimi.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka lavdëruar ndërhyrjen ushtarake që çoi në kapjen e Nicolás Maduro-s si një sukses të plotë ushtarak dhe logjistik, duke theksuar se operacioni u realizua pa asnjë viktimë në radhët e forcave amerikane dhe pa humbje të pajisjeve ushtarake.
Duke folur nga resorti i tij në Mar-a-Lago, Florida, Trump tha se “nëse do të kishit parë atë që pashë unë mbrëmë, do të ishit thellësisht të impresionuar”, duke shtuar se ajo që ndodhi ishte “diçka e pabesueshme për t’u parë”.
Sipas presidentit, operacioni përfshiu “shumë helikopterë, shumë avionë dhe shumë, shumë trupa të përfshirë në luftim”, duke nënkuptuar se ishte një ndërhyrje e koordinuar në shkallë të gjerë me përfshirje të kapaciteteve të shumta të ushtrisë amerikane.
Trump theksoi edhe një herë se nuk pati asnjë viktimë dhe asnjë mjet ushtarak të dëmtuar, një arritje që e përshkroi si dëshmi të fuqisë dhe profesionalizmit të forcave të armatosura amerikane.
Deklaratat e tij vijnë në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, pas ndërhyrjes që rrëzoi regjimin chavist dhe vendosi SHBA-në në pozicion drejtues të përkohshëm mbi Venezuelën, me synimin e shpallur për një tranzicion “të sigurt dhe të kontrolluar”.

Në vazhdim të deklaratave të tij për mediat, presidenti Donald Trump ka zbuluar një nga qëllimet kryesore pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë: shfrytëzimin strategjik të industrisë së naftës.
Duke folur nga Mar-a-Lago, Trump theksoi se kompanitë më të mëdha të naftës në SHBA do të hyjnë në Venezuelë për të investuar miliarda dollarë në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar, që ai e përshkroi si “katastrofike” pas dekadash nën regjimin chavist.
“Do të fusim kompanitë tona të mëdha të naftës, më të mëdhatë në botë. Ato do të shpenzojnë miliarda për të rregulluar infrastrukturën e dëmtuar rëndë të naftës dhe do të fillojnë të gjenerojnë para për vendin,” deklaroi Trump.
Ky pohim, i bërë hapur dhe pa rezerva, përforcon zërat që ndërhyrja e SHBA-së në Venezuelë ka pasur një komponent të qartë ekonomik dhe energjetik, përveç aspektit politik dhe të sigurisë.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, por prodhimi i saj është rrënuar nga dekada keqmenaxhim, korrupsion dhe sanksione ndërkombëtare. Trump nënvizoi se pas largimit të Maduro-s, vendi do të hapet për investime amerikane me qëllimin për ta kthyer industrinë e energjisë në “motor të zhvillimit ekonomik dhe të rindërtimit institucional”.
Deklarata përbën një pranim të drejtpërdrejtë se nafta është pjesë e qendrës së strategjisë së SHBA-së në Venezuelë, dhe se kontrolli i saj do të jetë thelbësor për periudhën e tranzicionit që do të menaxhohet nga Washingtoni.

Presidenti Donald Trump ka dhënë detaje të reja nga sulmi ushtarak i natës së kaluar në Venezuelë, duke e përshkruar operacionin si një ndër më të sofistikuarit dhe më të suksesshmit në historinë ushtarake amerikane. Në deklaratën e bërë në Mar-a-Lago, ai ka zbuluar se gjatë ofensivës, “dritat e Karakasit u fikën në mënyrë të koordinuar përmes një eksperience të veçantë që kemi ne”, duke e përshkruar ambientin si “të errët dhe vdekjeprurës”.
“Nëse do të kishit parë çfarë pashë unë mbrëmë, do të ishit të mahnitur,” tha Trump, duke shtuar se ndonëse pamjet nuk do të bëhen publike menjëherë, ajo që ndodhi ishte “diçka e jashtëzakonshme për t’u parë”.
Ai nënvizoi se nuk pati asnjë viktimë mes forcave amerikane dhe asnjë humbje pajisjesh ushtarake, duke e konsideruar këtë si një nga operacionet më të pastra në historinë e ndërhyrjeve të SHBA-së.
Por paralajmërimi më i rëndësishëm erdhi më pas: “Jemi të gatshëm për të ndërmarrë një valë të dytë sulmesh – dhe këtë herë, shumë më të madhe – nëse do të jetë e nevojshme.”
Trump tha se planifikimi ushtarak kishte parashikuar që një valë e dytë mund të kërkohej, por efikasiteti i operacionit të parë ishte aq i lartë, sa që ndoshta nuk do të jetë e nevojshme.
“Megjithatë,” shtoi ai, “ne jemi gati për valën e dytë – një valë shumë më të madhe.”
Kjo deklaratë sinjalizon se SHBA po mban ende gjendje gatishmërie të lartë dhe se, pavarësisht suksesit të parë, asgjë nuk është përfundimtare për stabilitetin në Venezuelë. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat amerikane dhe komponentët e administrimit të përkohshëm po konsolidojnë kontrollin në terren.
Presidenti amerikan konfirmon kontrollin e përkohshëm të vendit pas rrëzimit të Maduro-s, duke përjashtuar kalimin e menjëhershëm të pushtetit
Presidenti Donald Trump ka bërë të qartë gjatë konferencës së tij për shtyp se Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e drejtpërdrejtë të Venezuelës, pas sulmit ushtarak që çoi në rrëzimin dhe arrestimin e Nicolás Maduro-s.
“Ne do të drejtojmë vendin derisa të jemi të sigurt se mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të matur,” deklaroi Trump para gazetarëve, duke shtuar se SHBA nuk dëshiron të përsërisë gabimet e së kaluarës duke lejuar që pushteti të kalojë tek “dikush tjetër që do të sjellë të njëjtin regjim.”
Presidenti theksoi se synimi nuk është të instalohet menjëherë një qeveri e re vendase, por që procesi të kontrollohet nga Uashingtoni deri në garantimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend.
“Kemi parë çfarë ka ndodhur për shumë vite me radhë në Venezuelë, dhe nuk mund të lejojmë të ndodhë sërish. Prandaj, ne do të drejtojmë vendin, me përgjegjësi dhe forcë, derisa të vijë momenti për një tranzicion të qëndrueshëm”, tha Trump.
Kjo deklaratë forcon sinjalin e qartë se SHBA ka marrë jo vetëm përgjegjësinë për rrëzimin e regjimit të Maduro-s, por edhe për fazën pasuese të qeverisjes, duke vendosur Venezuelën nën administrim të përkohshëm amerikan.
Në këtë fazë, nuk është sqaruar ende se çfarë forme do të ketë ky “menaxhim i përkohshëm” i shtetit venezuelan, as se sa do të zgjasë, por burime nga Departamenti i Shtetit kanë paralajmëruar një strukturë kalimtare të mbështetur nga forca ndërkombëtare dhe aktorë të opozitës së besueshme.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, doli sot në një konferencë shtypi nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago për të folur për herë të parë publikisht mbi sulmin ushtarak që rrëzoi regjimin e Nicolás Maduro-s në Venezuelë.
Në një fjalim të mbajtur me tone të forta, Trump e përshkroi ndërhyrjen si një prej veprimeve më të fuqishme ushtarake të ushtrisë amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore, duke e krahasuar me operacionet më ikonike të historisë moderne të SHBA.
“Sot, në orët e vona të natës dhe në mëngjesin e sotëm, me urdhrin tim të drejtpërdrejtë, Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara zhvilluan një operacion ushtarak të jashtëzakonshëm në kryeqytetin e Venezuelës”, deklaroi ai.
Trump tha se ofensiva u zhvillua “në tokë, në ajër dhe në det”, dhe kishte për objektiv sulmimin e një fortese ushtarake të mbrojtur rëndë në zemër të Karakasit, nga ku Maduro kishte drejtuar regjimin e tij.
“Ky ishte një sulm që njerëzit nuk kanë parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ishte një nga demonstrimet më të mahnitshme, më efikase dhe më të fuqishme të forcës dhe aftësisë ushtarake amerikane në historinë e vendit tonë”, tha Trump para gazetarëve.
Qëllimi i operacionit, sipas presidentit, ishte i qartë: “Ta sillnim diktatorin e paligjshëm Nicolás Maduro para drejtësisë.” Lideri venezuelan u arrestua dhe tashmë ndodhet në një luftanije amerikane në rrugë drejt Nju Jorkut, ku pritet të përballet me akuza të rënda për narco-terrorizëm.
Lini një Përgjigje