Kryeministri Edi Rama ka dalë hapur në mbrojtje të ish-kreut të Agjencisë së Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, i cili ndodhet nën hetim për çështje të lidhura me procedurat e tenderimit. Gjatë konferencës së fundvitit, Rama e cilësoi Myzyrin si një personalitet dhe “asset” të administratës shqiptare.
“Kryetari i Komisionit të Prokurimeve Publike është personalitet. Iu ngrit akuza një javë para se të hynte në garë për t’u rizgjedhur. Ndërkohë, po të shohësh shifrat e punës së komisionit, janë dy institucione të vlerësuara ndërkombëtarisht. Skuadrat e prokurimeve publike të rajonit vijnë në Shqipëri për të parë këto dy agjenci. Iu ngrit akuzë një asset që ka mbaruar shkollën me medalje ari”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se analiza e tenderave nuk është punë e lehtë dhe nuk mund të reduktohet në akuza të shpejta. “Të gjykosh tenderat nuk është kaq e thjeshtë. Këto gjykime mund t’i bënin deputetët, por nuk është kështu. Ka proces, ka standarde,” tha ai.
Rama e konsideroi sistemin shqiptar të prokurimeve publike si më të avancuarin në rajon, duke theksuar se vlerësimet ndërkombëtare janë një tregues i qartë i përparimit. Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur institucionet e drejtësisë po thellojnë hetimet për abuzime të mundshme në procedura publike, duke përfshirë emra të njohur të administratës së lartë.
Kryeministri Edi Rama u pyet sot në konferencën e fundvitit për Aeroportin e Vlorës, i cili është mbetur “peng” i konfliktit mes aksionerëve.
Rama deklaroi se fjala nga aksionerët për hapjen e aeroportit të Vlorës këtë vit nuk u respektua, ndaj shpreson që të respektohet kontrata.
“Për fat të keq ka pasur një konflikt brenda kompanisë, mes aksionerëve që kanë arsye dhe dinamikat e tyre. Por puna ka vazhduar dhe ne dëshirojmë shumë që të respektohet kontrata.
Dëshiroja shumë që të respektohej fjala, sipas të cilës do të hapej këtë vit, por fjala nuk u mbajt. Tani të respektohet kontrata që është pranvera e vitit që vjen. Aeroporti i Gjirokastrës është përgatitur procesi dhe besoj shumë shpejt do të hapet gara”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama po i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në konferencën e fundvitit, ku u ndal te drejtësia, arrestimet dhe perceptimi për korrupsionin.
Rama theksoi se sipas dokumenteve të Këshillit të Europës, probabiliteti për të shkuar në burg pa qenë i dënuar është më i madh sesa rasti kur dënohesh fajtor, duke iu referuar këtu disa arrestimeve në mandatin e tij të parë dhe të dytë.
Ai u shpreh se parimi bazë i drejtësisë është që “më mirë 100 fajtorë jashtë sesa një i pafajshëm brenda”, duke kritikuar qasjen e arrestimeve pa prova të qarta.
I irrituar nga SPAK, Rama hodhi poshtë pretendimet se Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit, duke i cilësuar si një “tymnajë të gënjeshtërt dhe të ligë”.
Sipas Ramës, kushtetuta e thotë se pushtetet janë të ndara dhe sipas tij një prokuror nuk mund të vijë edhe thotë se vendimi në fjalë i marrë si një funksionar i lartë përbën shpërdorim detyre.
“Probabiliteti që të shkosh në burg pa qenë i dënuar është më i madh se sa rasti kur dënohesh. Ai dokument i këshillit të Europës është alarm. Sensi i drejtësisë në fund të ditës është; më mirë 100 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda. Jo kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër a jeni apo jo fajtorë. Ata kalojnë në këtë llahtar të pafajshëm. S’po flasim për ata që kalojnë në llahtarin e tenxhereve, por për njerëzit e zakonshëm. Çfarë provash ke ti? Dyshime? Nuk japim asnjë të dhënë. Zero, hiç. Pastaj vijmë te graviteti i veprës. Dua t’u jap përgjigje se sa e gënjeshtër, e ligë, është kjo tymnajë sipas së cilës; Shqipëria ka arritur kulimin e korrupsionit. Po i referohem institucioneve që merren me korrupsion. Korrupsioni është vepër më vete. Është e definuar. Jo çdo kush që hetohet dhe akuzohet nga prokuroria Speciale ka bërë korrupsion! Ka dhe vepra të tjera. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE sëfundmi. Është term ku futen thes i madh, me kollajllëkun më të madh. Jeton në një kulturë ku tenxheret hidhen me kapakë përpjetë; burg, burg, burg. BE iu kthye rishikimit të nocionit pas kërkesës së Gjermanisë.
Kushtetuta thotë; janë tre pushtete të pavarur nga njëri-tjetri. Drejtësia është i pavarur nga ekzekutivi, dhe ekzekutiv është i pavarur nga drejtësia. Cila është pavarësia e një kryeministri? Pavarësia e marrjes së vendimeve. Nuk vjen dot një prokuror dhe të thotë; pse e vendose kështu! Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im ka një prapavijë të qëllimshme, për të përftuar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu nuk jam i pavarur. Këtu vjen drejtësia. Qysh nga fillimi i kapitullit të drejtësisë speciale, janë 37 raste. E dini ju se sa raste nga këto 37 që përfshin funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë apo dhe të dytë të kësaj qeverie apo mazhorance?! Janë 80%.”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të forta në konferencën e fundvitit, ku është ndalur gjerësisht te funksionimi i drejtësisë dhe çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Duke komentuar kërkesën e SPAK për pezullimin e saj nga mandati i deputetes, Rama tha se rasti ka ardhur në parlament “brutalisht” dhe në një mënyrë që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër.
“Është e pa ndodhur në historinë e botës që një prokuror dhe një gjykatë të bashkohen dhe të kërkojnë pezullimin e një ministri. Ne nuk jemi noterë; parlamenti nuk mund të pranojë 16 mijë faqe ku janë futur gjithë arkivat e një ministrie dhe të quhen prova”, deklaroi Rama.
Por sulmi më i ashpër i kryeministrit nuk ishte ndaj SPAK-ut, por ndaj sistemit gjyqësor në tërësi. Ai denoncoi numrin e lartë të të paraburgosurve në vend, duke thënë se Shqipëria renditet e fundit në Europë për këtë tregues dhe ka kaluar çdo normë të drejtësisë.
“E dini ju sa njerëz janë sot në burg pa qenë të dënuar? Janë më shumë se ata që janë të dënuar me vendim gjykate. Kemi 4.492 të burgosur, prej të cilëve vetëm 1.895 janë të dënuar. Kjo është shkelje e Kushtetutës dhe e Konventës Europiane. Jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve – vetëm Rusia ka qenë më keq, por ajo është përjashtuar”, u shpreh Rama.
Duke iu drejtuar gazetarëve, ai e quajti këtë realitet si një “traumë të përsëritur” për shoqërinë shqiptare dhe nënvizoi se drejtësia po abuzon me lirinë e individit në mënyrë të sistematike.
Kryeministri ironizoi mënyrën se si SPAK ka paraqitur në Kuvend dosjen ndaj Ballukut
Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama u pyet drejtpërdrejt për qëndrimin e tij ndaj çështjes që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj. Rama tha se Partia Socialiste nuk ka bërë avokatinë e askujt dhe theksoi se rasti ka ardhur në derën e parlamentit, ndaj Kuvendi ka detyrimin ta shqyrtojë në mënyrë të pavarur.
“As unë dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. A keni ju dëgjuar ndonjë fjalë të vetme avokatie për rastin konkret nga ana jonë?”, u shpreh Rama. Ai theksoi se Këshilli i Mandateve nuk është një “zyrë noterie”, por një strukturë që duhet të analizojë kërkesat e drejtësisë dhe të shprehet mbi to si një “kuazi-gjykatë”.
Kryeministri ironizoi mënyrën se si SPAK ka paraqitur dosjen ndaj Ballukut. “Kjo 16 mijë faqe më ka provokuar që ditën e parë. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do t’i thosha: ‘Çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin’. Nuk mund të vini këtu me 16,000 faqe që ju i quani prova. Janë futur kontrata, studime, i gjithë arkivi i ministrisë brenda. Nuk ka si të jenë produkte hetimi”, u shpreh Rama.
-Zoti kryeministër, prej këtyre viteve ju keni vendosur një standard ku keni thënë se Partia Socialiste nuk kthehet në zyrë avokatore atyre të cilëve kanë probleme me drejtësinë. Çfarë ju bëri të ndryshoni nga ky qëndrim kur vjen fjala për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, dhe tashmë që anëtarët socialistë në Këshillin e Mandateve kanë në dispozicion 16,000 faqe të cilat i ka dërguar bashkë me relacionin SPAK-u. A e keni një bindje se janë të mjaftueshme këto prova për të realizuar kërkesën që u ka vënë SPAK-u në tavolinë?
Rama: Tani, as unë dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. A keni ju dëgjuar ndonjë fjalë të vetme avokatie për rastin konkret nga ana jonë? Ky rast ndryshon nga rastet e tjera sepse ka ardhur tek ne. Kur rasti vjen në derën tonë, pushteti legjislativ, apo jo, duhet të shprehet. Këshilli i Mandateve nuk është një zyrë noterie, është një kuazi-gjykatë quhet. Dhe parlamenti nuk noterizon. Nuk është noter. Kërkesat e prokurorisë i merr, i sheh.
Kjo 16 mijë faqe më ka provokuar që ditën e parë. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do t'i thosha atyre që erdhën, 'Çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin e Shqipërisë, për deputetët'. Nuk mund të vini këtu me 16,000 faqe që ju i quani prova. E dini ju çfarë janë ato 16,000 faqe? Janë 16,000 faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, i gjithë arkivi i ministrisë futur brenda. Nuk ka si të jenë produkte hetimi.
Rasti vjen në Parlament, dhe rasti para se të shkonte në Parlament, u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht, enjë kërkesë skandaloze për pezullim. Tani mund ta them me plot gojën. E kemi kërkuar gjithandej nëse ka një të dytë. Nuk ka. Nuk ka ndodhur as në Europë e në asnjë vend të botës. Që të mblidhet një gjykatës dhe një prokuror e të thotë; kështu kemi vendosur ne. Ne mbajtëm një qëndrim.
Edhe në Parlament do të mbajmë një qëndrim. Shqipëria është vendi më skandaloz i Këshillit të Komunitetit të Europës, nuk e them unë, por shifrat. Jemi në diferencë nga të tjerët, për burgosjen e njerëzve pa gjyq. Numri i njerëzve që gjenden sot në Shqipëri pa qenë të dënuar, të cilët në kuptimin e Kushtetueses dhe të konventave europiane, është më i madh se numri i atyre që janë të dënuar. E dini se sa janë këta? Nuk e dini! Tenxheret fjalën burg, vjedhje, hajdut, e kanë si kripën, piperin, dhe salcën në çdo lloj gjelle
Kryeministri Edi Rama tha sot në konferencën e fundvitit me mediat, se vitin e ardhshëm sektori i shëndetësisë do të zërë një vend të veçantë në buxhetin e shtetit dhe në planet e qeverisë.
Ai deklaroi se do të ketë një fond shtesë me 15 mln euro për Onkologjikun dhe sëmundjet kanceroze, teksa shton se për pacientët me këtë sëmundje vrasëse do të ketë edhe rimbursim medikamentesh.
Edi Rama po tenton të krijojë imazhin e një shërbimi shëndetësor që, sipas tij, po ecën drejt standardeve të larta. Realiteti që pacientët përjetojnë çdo ditë në Onkologjik e rrëzon këtë narrativë. Ky spital vijon të mbetet simbol i dështimit shtetëror në shëndetësi, me mungesa të vazhdueshme ilaçesh, kushte degraduese dhe trajtim që cenon dinjitetin njerëzor.
“Parashikohet rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve, sikurse dhe rritje e shpërblimit të tyre sipas punës. Në tërësi parashikohet që paga për ta sipas kategorive të rritet 135 euro në muaj. Po kështu njohja e vjetërsisë së punës dhe vlerësimi i saj. Gjithashtu edhe në shërbimin e trajtimit mjekësor dhe medikamente, pasi kanceri është bërë agresiv dhe po vret më shumë. Kemi dhënë 15 mln euro më shumë për këtë kategori te Onkologjiku dhe po vijohet më tej për të rritur kapacitetet e shërbimit. Po kështu edhe projektet e tjera, si transplante për gjirin dhe për pacientet gra”, tha sot kryeministri.
Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u pyet nëse SPAK është opozita reale e qeverisë, një ide që është përforcuar gjatë vitit 2025 nga retorika politike dhe përplasjet publike. Rama e hodhi poshtë këtë pretendim, duke theksuar se SPAK është një institucion i krijuar, mbështetur dhe garantuar nga vetë shumica që ai drejton.
“SPAK-u nuk është opozita e qeverisë. Është një institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga kjo forcë qeverisëse, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse. Të tjerë janë betuar dhe stërbetuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrinë dot, sepse votat i kemi ne”, tha Rama.
Ai shtoi se pavarësisht zhurmës politike, SPAK vijon të bëjë punën e vet si çdo institucion tjetër. “Depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi dhe shigjetë politike për të goditur qeverinë”, u shpreh Rama me një ton kritik ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Pyetje: A është SPAK opozita juaj e vërtetë. Dhe kur folët disa javë më parë për një reflektim serioz mbi kufijtë mes pushteteve, a e kishit parasysh që gjatë vitit të ardhshëm kur mbushen dhe 10 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të ketë një ndërhyrje në ligjet kryesore, në arkitekturën e drejtësisë së re? Dhe duke folur për opozitën, nga janari do të fillojnë protestat e përditshme poshtë zyrës suaj. Demokratët do të kërkojnë dorëheqjen tuaj zoti kryeministër. Do t'i merrni në konsideratë këto kërkesa? Faleminderit.
Rama: Tani, bëre shumë pyetje brenda pyetjes. Dhe duke folur për vitin e Shqipërisë, tani, pyetjen e parë e keni për SPAK-un. Meqë fjalën dhe kryefjalën, do t'ju përgjigjem natyrisht, nuk i shmangim asnjë pyetje. Dhe kallëzuesin dhe kundrinorin, unë do ju them këtë: ju e keni SPAK, SPAK, SPAK. SPAK-u nuk është opozita e qeverisë. Dhe duke folur për vitin e Shqipërisë, pyetjen e parë ju e keni për SPAK-un. I krijuar... Unë... vullnetit... do t'ju përgjigjem natyrisht, nuk i shmangim asnjë pyetje. I mbështetur nga kjo forcë qeverisëse. Por dua t'ju them këtë. I garantuar... SPAK-u nuk është opozita e qeverisë. SPAK-u është një institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga kjo forcë qeverisëse, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse në sensin që të tjerë janë betuar dhe stërbetuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrinë dot, sepse votat i kemi ne. Por... në këtë sens i garantuar. Dhe është një institucion i cili bën punën e vet si të gjitha institucionet e tjera. Kështu që... nuk është opozita e qeverisë. Por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita e qeverisë, që është opozita e vërtetë, bën që puna e SPAK-ut të jetë e vetmja pikë referimi dhe e vetmja shigjetë politike për të goditur qeverinë.

Kryeministri Edi Rama po mban fjalën e tij në konferencën e fundvitit ndërsa ka folur për shkollat dhe arsimin, ku sipas tij është një sektor që ka bërë hapa të rëndësishëm.
Rama tha se nga shtatori 2026 do të mundësohet transporti për nxënësit dhe mësuesit me makina “Made in Albania”.
Rama mburret me shkollat të cilat janë të mbipopulluara nga nxënësit edhe pse jemi në fund të vitit 2025. Por, duhet t'i kujtojmë kryeministrit se në shumë shkolla në Tiranë mësimi zhvillohet me dy turne.
Rama harron se pikë së pari në shkolla duhet siguria e jetës se të miturit po rrihen dhe po vriten me thika, më pas vjen transporti.
“Në arsim, kemi bërë hapa të rëndësishëm, duke filluar nga sistemi i teknologjisë për nxënësit. 350 shkolla numri i pikave të laboratorëve inteligjentë dhe do të punohet për të arritur objektivin e shpallur të bazuar edhe në financimin e vënë në dispozicion për të pasur 1 mijë laboratorë inteligjentë brenda 2027. Do të sjellë një bazë shumë ndihmëse dhe domethënëse për të gjithë fëmijët dhe nxënësit që të përfshihen sa më shpejt në botën e re të teknologjisë. Ka vazhduar ndërtimi i infrastrukturës arismore, ka nisur projekti i transportit me mjete të prodhuara këtu në vend. Dhe besojmë që nga sezoni i ardhshëm arsimor në vitin 2026, do të fusim në përdorim mjetet e para që do të shtrihen më pas në të gjithë territorin për transportin e mësuesve dhe nxënësve.
Ka vazhuar programi kombëtar i zhvillimit profesional për mësuesit, psikologët dhe oficerët e sigurisë. Është nënshkruar marrëveshja për Smart City, një komponent i së cilës është rritja domethënëse e sigurisë në shkolla. Projekti i rilindjes së liceut francez në Korçë, ka avancuar pozitivisht, është bërë gati struktura kurrikulare, është përgatitur projektligji dhe është përfunduar projekti i zbatimit të ndërtesës. Puna për ndërtim do të fillojë në 2026. Është dyfishuar numri i oficerëve të sigurisë në shkolla, është ulur numri i nxënësve për një psikolog dhe punonjës social, është ndërtuar mekanizëm i ri informimi në kohë reale mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve, miratuar dhe ka filluar të jetësohet kodi i etikës për mësuesit, rishikimi i kurrikulave në të gjitha klasat. Në 2026, do të fillojë aplikimi i kurrikulave të reja të klasave 1, 6 dhe 10, që imponohet nga koha me shkencat. Edhe në arsimin e lartë, janë bërë investime që vazhdojnë. Projekte rindërtimi të godinës së fakultetit të inxhinerisë së ndërtimit, gjeologji miniera, fakultetit të Durrësit, të Elbasanit, ndërkohë që ka përfunduar faza e parë për studiot që do të marrin pjesë në konkursin e projektit të kampusit të ri të universitetit të Durrësit. Procesi i ndërkombëtarizimit ka filluar të thellohet. Vijon transportimi i UBT në bashkëpunim me BOKU të Vjenës, që të kemi diplomë të njësuar”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët ka njoftuar se paga e mjekëve do të rritet me 135 euro të tjera, ndërsa do të njihet edhe vjetërsia në punë për personelin shëndetësor. Sipas tij, ky është një tjetër hap në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës për mjekët dhe infermierët, si pjesë e reformës në shëndetësi.
“Paga për mjekët do të rritet 135 euro të tjera. Po kolaudohet godina tjetër e Mbretëresha Geraldinë. Është ndërtuar spitali i Kardiologjisë në QSUT. Është rindërtuar spitali i Peqinit”, deklaroi Rama, duke përmendur disa prej investimeve të realizuara dhe në proces.
Ai shtoi gjithashtu se brenda territorit të QSUT-së nuk do të lejohen më automjetet private. Sipas tij do të ketë një parkim të posaçëm “Të gjitha makinat nga territori i QSUT do të hiqen, do të bëhet park. Të gjitha automjetet, përveç atyre të punës, do të kenë vendin e tyre në këtë parkim të madh multifunksional të qendrës”, theksoi kryeministri.
Në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një kapitulli të ri për ekonominë shqiptare; reduktimin drastik të përdorimit të cash-it. Qeveria do të imponojë detyrimin që të gjitha bizneset, pa përjashtim, të ofrojnë mundësi për pagesa elektronike, duke nisur nga viti 2026.
“Deri në qershor çdo biznes në sektorin e turizmit dhe transportit do duhet të garantojë forma alternative pagesash për qytetarët; jo vetëm cash, por edhe mjete digjitale”, deklaroi Rama. Ai shtoi se brenda vitit të ardhshëm, ky detyrim do të zgjerohet për të gjithë bizneset në vend, duke i dhënë qytetarëve dhe vizitorëve mundësinë për të paguar me kartë apo platforma të tjera moderne.
“Ajo që dua të theksoj është që deri në qershor çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit do duhet të garantojë format alternativat të pagesave për qytetarët, jo vetëm cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike. Brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës. Që vendas apo vizitorë të paguajnë me kartë apo forma të tjera të pagesë elektronike”, tha Rama.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të theksojë vlerësimet pozitive që i atribuohen Shqipërisë në një indeks të publikuar nga Instituti amerikan Cato, duke deklaruar se vendi ynë është renditur i 39-ti në botë dhe i 9-ti në Europën Lindore për liritë ekonomike dhe njerëzore.
“Instituti amerikan Cato që është institut i mirënjohur dhe publikon edhe Indeksin lidhur me lirinë njerëzore dhe ekonomike dhe më vjen mirë të ndaj me ju që Shqipëria ka një pozicion shumë inkurajues dhe është renditur e 39 në klasifikimin e përgjithshëm dhe vetëm e 9 në të gjithë pjesën e Europës lindore, ku sa i përket lirisë ekonomike rendit para vendeve si Polonia, Bullgaria, Kroacia e kështu me radhë dhe për lirinë njerëzore”, deklaroi Rama.
Por në të njëjtën kohë, kryeministri nuk përmendi asnjë fjalë për raportin zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, i publikuar pak javë më parë, i cili e rendit Shqipërinë si një vend problematik për klimën e investimeve, për shkak të korrupsionit të përhapur, ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe mungesës së zbatimit të kontratave.
Kryeministri Edi Rama po mban konferencën tradicionale të fundvitit, ku ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve kryesore gjatë vitit 2025 dhe ka shpalosur prioritetet e qeverisë për vitin e ardhshëm. Ai ka theksuar disa prej fushave ku, sipas tij, është bërë përparim, si në infrastrukturë, turizëm dhe investime të huaja.
Gjatë konferencës, Rama pritet të ndalet edhe te çështja që lidhet me zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila ka qenë në qendër të debateve politike pas akuzave dhe diskutimeve për transparencë në disa projekte publike. Deri tani, nuk ka pasur deklarata të drejtpërdrejta, por tema është paralajmëruar si pjesë e konferencës.
Ndryshe nga vitet e tjera, këtë herë pjesë e konferencës janë edhe pyetjet e qytetarëve të mbledhura përmes rrjeteve sociale. Kryeministri ka premtuar se do t’u japë përgjigje disa prej tyre, që prekin çështje të jetës së përditshme si rritja e çmimeve, shëndetësia dhe energjia. Konferenca pritet të zgjasë edhe disa orë.
Lini një Përgjigje