
Dy persona janë dënuar me nga 20 vite burg secili për tentativën e vrasjes së Agron Hoxhës, një ngjarje e ndodhur për motive hakmarrjeje. Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, ata u shpallën fajtorë për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Sipas hetimeve, në dhjetor të vitit 2019, në zonën Dukas-Breg të Patosit, V.D. (alias L) në bashkëpunim me A.G. organizuan sulmin ndaj Hoxhës, me qëllim hakmarrjen për vrasjen e vëllait të V.D. Në atë periudhë, Agron Hoxha sapo ishte liruar nga burgu.
Dy autorët qëlluan me armë zjarri në drejtim të tij, por si pasojë e sulmit Hoxha mbeti i plagosur në krahun e majtë.
Njoftimi i plotë:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier u shpallën fajtorë dhe dënuan me 20 vjet burg secili të pandehurit V.D alias L dhe A.G. për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbiprocedimin penal nr. 1795 viti 2019,u arrit të provohet se, i pandehuri V.D alias L., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij G.L., ka bashkëpunuar me të pandehurin A.G për të kryer vrasjene shtetasit A.H. Për këtë qëllim, në datë 30.12.2019, rreth orës 17:50 min, në vendin e quajtur “Dukas-Breg”, Patos, i pandehuri A.G., pasi është siguruar për identitetin e shënjestrës, është afruar dhe ka shtënë tre herë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e sulmit ka mbetur i plagosur shtetasi A.H. duke u dëmtuar me armë në krahun e majtë.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.
Lini një Përgjigje