TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Mars 2026, 09:37

Trafik armësh nga Mali i Zi drejt Tiranës, në pranga 2 të rinj; sekuestrohen 6 pistoleta

Shkruar nga Pamfleti
Trafik armësh nga Mali i Zi drejt Tiranës, në pranga 2 të
Pamje nga aksioni i policisë

Dy persona janë arrestuar në kryeqytet, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun e armëve të zjarrit. Gjatë operacionit policor u sekuestruan 6 pistoleta të llojit Sig Sauer.

Në pranga ranë Donati Jaku, 31 vjeç, dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, të cilët u ndaluan në zonën e njohur si “Rrethi i Freskut” në Tiranë. Sipas policisë, është shpallur në kërkim edhe një person tjetër i dyshuar si bashkëpunëtor i tyre.

Nga hetimet paraprake dyshohet se armët e zjarrit janë trafikuar nga Mali i Zi dhe synohej të shiteshin në zonën e Freskut.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Florian Gjeta drejtonte një automjet tip “Volkswagen”, ndërsa Donati Jaku udhëtonte si pasagjer. Policia ka publikuar gjithashtu pamje nga ndjekja e automjetit dhe momenti i arrestimit të dy të rinjve nga efektivët e Komisariatit nr. 4 në bashkëpunim me Forcat Operacionale.

“Tiranë/Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, operacioni i koduar “Rotondo”. Goditet një tjetër grup kriminal i përfshirë në trafikim dhe shitje të armëve të zjarrit.

Sekuestrohen 6 pistoleta të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”. Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin me automjet, armët e zjarrit. Identifikohet dhe shpallet në kërkim një bashkëpunëtor i tyre.

Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.

Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.

Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë. Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volksëagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.

Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Trafik armësh nga Mali i Zi drejt Tiranës, në pranga 2 të

mali i zi trafik armesh tirane 6 pistoleta

Lini një Përgjigje