Detaje të reja janë zbardhur nga plagosja me armë zjarri e një shtetasi turk, e ndodhur ditën e djeshme në zonën e Saukut, në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se konflikti mes palëve ka nisur më herët në Turqi dhe më pas ka vijuar edhe në Shqipëri.
I plagosur ka mbetur shtetasi turk Halil Uçar, i cili pritet të merret në pyetje paraditen e sotme nga grupi hetimor për të sqaruar rrethanat e konfliktit që dyshohet se kishte me autorin e ngjarjes ose me persona të tjerë.
Dyshohet se mes palëve ka pasur edhe një përplasje disa ditë më parë. Mbrëmjen e së hënës ata janë takuar në një lokal për t’u sqaruar, por situata ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit.
Gjatë incidentit, Uçar është qëlluar me një plumb në shpatull dhe ka mbetur i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime bëjnë me dije se autori, gjithashtu shtetas turk, ka tentuar disa herë të qëllojë në drejtim të tij, por arma e zjarrit i është bllokuar dhe vetëm një plumb është shkrepur. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të ngjarjes.
Lini një Përgjigje