TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Qershor 2026, 12:05

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Revolta ndaj Ramës/ Si u ndalën protestuesit nga policia në Rinas

Policia arriti të ndalë marshimin e protestuesve paqësorë në ditën e 15-të të protestës, disa orë pas nisjes së marshimit të tyre në drejtim të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Ende nuk dihet se kush e drejtoi turmën e mijëra protestuesve në drejtim të Rinasit, teksa kjo ishte hera e parë që ata në mënyrë të organizuar iu drejtuan autostradës Tiranë-Durrës, pasi më parë ecën në disa nga akset rrugore kryesore brenda kryeqytetit.

Nën thirrjet “Rama jepe dorëheqjen” protestuesit u ndalën rreth orës 02:40 të mëngjesit të së hënës teksa i afroheshin të vetmit aeroport ndërkombëtar që ka Shqipëria.

Protesta si zakonisht nisi me mbledhjen e protestuesve në sheshin Skënderbej dhe më pas me marshimin e tyre përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit deri te godina e Kryeministrisë.

Më pas, mijëra protestues nisën marshimin në këmbë duke kaluar përmes sheshit “Skënderbej”, Rrugës së Durrësit, zonës së ish-sheshit “Shqiponja” dhe Kthesës së Kamzës.

Pas kalimit në këto segmente, protestuesit u drejtuan drejt autostradës Tiranë-Durrës, një lëvizje që ndryshoi itinerarin e deriatëhershëm të protestës. Marshimi vijoi për disa orë përgjatë aksit rrugor, ndërsa pjesëmarrësit u zhvendosën në drejtim të Rinasit.

Rreth orës 00:26, turma mbërriti në zonën e mbikalimit të Rinasit dhe vazhdoi më tej drejt aeroportit. Në orët pas mesnate, forcat e policisë u pozicionuan në afërsi të aeroportit për të ndaluar avancimin e protestës.

Rama sulmon protestuesit/ Mendje të liga, të vetmit përfitues nga situata janë Qeveria dhe Partia Socialiste

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër përmes rrjetit social X ndaj protestës të ditës së djeshme që u zhvendos drejt aeroportit të Rinasit, duke deklaruar se ajo ka humbur prej kohësh qëllimin fillestar dhe është kthyer në një lëvizje që po godet interesat e Shqipërisë.

Në një mesazh të gjatë në X, kreu i qeverisë thekson se “kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin apo Zvërnecin”, duke argumentuar se dokumentacioni i procesit dhe qasja e qeverisë janë në përputhje me interesin publik dhe standardet më të mira ndërkombëtare.

“Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik”, shkruan Rama, ndërsa paralajmëron se anulimet e rezervimeve dhe bllokimet e rrugëve mund të kenë pasoja ekonomike për mijëra familje që jetojnë nga turizmi.

Kryeministri rezervon kritikat më të forta për organizatorët e protestës, të cilët i cilëson si “mendje të liga dhe duar të këqija”, duke i akuzuar se kanë devijuar protestën drejt akteve ekstremiste dhe bllokimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Një pjesë të veçantë të reagimit, kreu i qeverisë ia kushton të rinjve pjesëmarrës në protestë. Ai shpreh keqardhje për ata që, sipas tij, janë mashtruar nga ideja e një “revolucioni imagjinar”.

“Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen nga mendjet e liga dhe duart e këqija që e kanë marrë në kontroll protestën”, deklaron Rama.

Në fund, kryeministri sulmon edhe figurat publike që kanë mbështetur protestën, duke i cilësuar si njerëz që besojnë se “deti u bë kos” dhe se qeveria po rrëzohet.

Pacolli shpërthen ne akuza/ Grupe të errëta po kontrollojnë Aeroportin e Vlorës!

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka bërë një tjetër reagim me situatën në Aeroportin e Vlorës, ku hedh akuza të forta, se sipas tij e kanë marrë në dorë ‘grupe të errëta të ndihmuara nga dikush’.
Pacolli shprehet në Facebook se që prej 18 majit, kompania dhe nënkontraktorët e saj nuk janë lejuar më të hyjnë në ambientet e aeroportit, ndonëse punimet ndodheshin në fazën përfundimtare të pastrimit dhe sistemimit të hapësirave të jashtme.

Sipas tij, terminali, infrastruktura dhe sistemet teknike ishin pothuajse gati për t’u vënë në funksion, ndërsa projekti ishte realizuar me një investim prej mbi 310 milionë eurosh.
Pacolli pretendon se kompania ka fituar edhe në Gjykatën e Lartë për çështjet kryesore që lidhen me projektin, por pavarësisht kësaj, vijon të mos ketë akses në aeroport.

Në reagimin e tij, ai ngre shqetësime edhe për atë që e cilëson si hyrje të personave të paautorizuar në ambientet e terminalit. Sipas Pacollit, ka informacione për dëmtime të inventarit, lëvizje materialesh dhe tentativa për përvetësimin e aseteve të aeroportit.

Ai kritikon gjithashtu mungesën e reagimit nga institucionet e drejtësisë, duke deklaruar se Prokuroria e Tiranës nuk ka dhënë ende një përgjigje për kallëzimet dhe provat e paraqitura nga kompania.

Pacolli apelon ndaj organeve kompetente që të hetojnë situatën dhe të garantojnë zbatimin e ligjit, duke e konsideruar çështjen si një test për sigurinë juridike dhe klimën e investimeve në Shqipëri.

Neomalsorja njoftoi se do jetë deputete e pavarur/ Reagimet e para nga PS: Dorëzo mandatin

Largimi i Marjana Koçekut nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe vendimi i saj për të mbajtur mandatin si deputete e pavarur ka hapur debat në radhët e socialistëve, ku reagimet e para kanë ardhur nga përfaqësues të brezit të ri të kësaj force politike.

Një prej tyre është Helena Kaçe, studentja që mori vëmendje publike pas hapjes së Kongresit të Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama e prezantoi si një nga emrat që përfaqësojnë gjeneratën e re në PS.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kaçe e cilësoi vendimin e Koçekut të papajtueshëm me mandatin që ajo mori nën siglën e Partisë Socialiste. Sipas saj, largimi nga një forcë politike duhet të shoqërohet edhe me dorëzimin e mandatit parlamentar, nëse deputeti nuk ndan më të njëjtat qëndrime me subjektin që e kandidoi.

Kaçe argumentoi se pavarësia politike nuk mund të nisë vetëm me dorëzimin e teserës së partisë, ndërkohë që mandati parlamentar mbahet. Ajo theksoi se, nëse idealet e një deputeti nuk përputhen më me forcën politike ku është zgjedhur, hapi më korrekt është kthimi i mandatit tek ata që i dhanë besimin elektoral. Në fund të reagimit, ajo i uroi Koçekut suksese në rrugëtimin e saj politik si e pavarur.

Qëndrim të ngjashëm mbajti edhe Alfred Muharremi, një tjetër përfaqësues i brezit të ri të socialistëve. Ai pranoi të drejtën e Koçekut për të ndjekur një kauzë tjetër politike, por vuri në diskutim momentin kur ajo zgjodhi të largohej nga grupi parlamentar i PS-së.

Për më shumë klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje