TAGS-AT E JAVËS

Kronike 9 Mars 2026, 16:58

Policia operacion në zonat e thella të Librazhdit, kapet i dënuari për trafik droge dhe grup kriminal

Shkruar nga Pamfleti
Policia operacion në zonat e thella të Librazhdit, kapet i
Momente nga arrestimi

Një person i dënuar për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup kriminal është arrestuar nga Policia e Elbasanit gjatë një operacioni të koduar “Targeti”.

Sipas policisë, në pranga ka rënë Valmir Polisi, 37 vjeç, i cili ishte në kërkim për të vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Arrestimi u realizua pas një operacioni të organizuar nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me efektivët e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Policia kishte siguruar informacion për vendndodhjen e tij dhe ndërhyri për kapjen e 37-vjeçarit, i cili fshihej në një zonë të thellë në fshatin Pishkash.

Sipas burimeve policore, i kërkuari ka tentuar të largohet sapo ka konstatuar praninë e efektivëve, por është neutralizuar dhe arrestuar pas ndërhyrjes së forcave të policisë.

Gjykata e Posaçme e ka dënuar atë me 9 vjet e 4 muaj burgim për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 4 vjet, 7 muaj e 18 ditë burgim.

Pas arrestimit, 37-vjeçari do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vijimin e procedurave dhe ekzekutimin e pjesës së mbetur të dënimit.

Lini një Përgjigje