
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Flodian Plakun dhe ish-shefin e krimeve në Vlorë, Rezart Kuçi.
Vendimi vjen pas operacionit të ndërmarrë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, e mbështetur nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit, për zbardhjen e dy atentateve të ndodhura në vitin 2021 në qytetin e Vlorës.
Hetimet lidhen me vrasjen e Gentjan Qarrit më 6 shkurt dhe ekzekutimin e Bledar Birçajt më 10 mars të po atij viti. Sipas SPAK, pas këtyre ngjarjeve dyshohet të qëndrojë një grup kriminal i lidhur me Inez Hajrullën, një emër i njohur për autoritetet në qytetin bregdetar dhe i konsideruar nga hetuesit si figurë me ndikim në botën e krimit në Vlorë. Hajrulla ka qenë edhe vetë objektiv i disa atentateve në të kaluarën, nga të cilat ka arritur të mbijetojë.
Operacioni dhe akuzat
SPAK dhe BKH, të mbështetura nga Policia e Shtetit dhe Policia e Vlorës, zhvilluan kontrolle në zonën e Ujit të Ftohtë, ku u ekzekutuan disa prej urdhër-arresteve të lëshuara nga gjykata për anëtarët e dyshuar të grupit kriminal.
Mes tetë urdhër-arresteve ishte edhe ai për Rezart Kuçin, i cili më herët ka shërbyer si shef i sektorit të krimeve në Vlorë. Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Trafik i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Kuçi, në cilësinë e oficerit të policisë, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal. Prokuroria pretendon se ai ka siguruar mbështetje logjistike për transportin e lëndëve narkotike, ka nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, ka ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin dhe ka përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, ai dyshohet gjithashtu se ka përdorur komunikim të koduar përmes aplikacionit SKYECC.
Vetëm një vit më parë, Kuçi ishte vlerësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit me një certifikatë për “Shërbime të Dalluara”, ndërsa tashmë pritet të përballet me akuzat në drejtësi.
Personat për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste:
Inez Hajrulla – në kërkim
Ervis Matodashaj – në kërkim
Flodian Plaku – masa e ekzekutuar në burg
Rezart Kuçi – masa e ekzekutuar
Hamëz Demushi – masa e ekzekutuar në Zvicër
Mendu Duka – në kërkim
Arben Memishaj – në kërkim
Argest Xhezani – në kërkim
Lini një Përgjigje