TAGS-AT E JAVËS

Kronike10 Mars 2026, 10:42

Nga Mali i Zi drejt Tiranës, si u kap grupi që trafikon armë; përgjimet dymujore zbuluan skemën

Shkruar nga Pamfleti
Nga Mali i Zi drejt Tiranës, si u kap grupi që trafikon armë;
Donati Jaku dhe Florian Gjeta

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me operacionin që çoi në arrestimin e dy personave të dyshuar për trafik armësh nga Mali i Zi drejt Tiranës.

Hetuesit e Komisariatit nr. 4 arrestuan Donati Jakun dhe Florian Gjetën pasi i kapën me gjashtë pistoleta. Sipas hetimit, ata synonin t’i shisnin armët në zonën e Freskut tek një grup kriminal që vepron në atë zonë.

Të dy personat kishin dalë më herët në përgjime të zhvilluara gjatë një hetimi tjetër. Analiza e materialeve hetimore ndihmoi policinë të rindërtojë mënyrën se si zhvillohej trafiku i armëve.

Hetimi identifikon Florian Gjetën, banues në Domje, si person që dyshohet se merret prej vitesh me këtë aktivitet. Ai ka jetuar për një periudhë edhe në Angli. Hetuesit dyshojnë se edhe atje mund të ketë ushtruar të njëjtin aktivitet të paligjshëm.

Sipas të dhënave të mbledhura gjatë hetimit, Gjeta shfaqte në rrjetet sociale fotografi ku shfaqej me armë në brez.

Policia dyshon se në këtë aktivitet mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë. Hetuesit vijojnë verifikimet për të identifikuar të gjithë të përfshirët në këtë rrjet të dyshuar të trafikut të armëve.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Florian Gjeta drejtonte një automjet tip “Volksëagen”, ndërsa Donati Jaku udhëtonte si pasagjer. 

“Tiranë/Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, operacioni i koduar “Rotondo”. Goditet një tjetër grup kriminal i përfshirë në trafikim dhe shitje të armëve të zjarrit.

Sekuestrohen 6 pistoleta të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”. Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin me automjet, armët e zjarrit. Identifikohet dhe shpallet në kërkim një bashkëpunëtor i tyre.

Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.

Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.

Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë. Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volksëagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.

Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhej në njoftimin e policisë.

donati jaku dhe florian gjeta trafik armesh nga mali i zi ne tirane

Lini një Përgjigje