Dokumenti i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm Skënder Hita urdhëron shtim kontrollesh, angazhim të policisë kriminale dhe raportime javore për sigurinë në institucionet arsimore...
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëron strukturat vendore të policisë të intensifikojnë masat për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë dhe brenda perimetrit të sigurisë së shkollave.
Dokumenti, i firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mban u drejtohet drejtorive vendore të policisë në vend, që të marrin masat.
Sipas përmbajtjes së telegramit, shkak për ndërmarrjen e këtyre masave janë bërë disa ngjarje të ndodhura gjatë vitit shkollor 2024-2025 në ambientet shkollore dhe përreth tyre, ku përfshihen raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.
Në dokument thuhet se këto incidente kanë ardhur si pasojë e “punës së dobët të strukturave të policisë”, të cilat sipas drejtuesve nuk kanë përmbushur detyrat funksionale për parandalimin dhe goditjen e fenomenit.
Dokumenti në formatin e një Telegrami evidenton disa problematika kryesore:
mungesë informacioni mbi situatën kriminale të shpërndarjes së drogës pranë shkollave;
mungesë planifikimi të shërbimeve të policisë kriminale dhe forcave operacionale;
bashkëpunim të dobët me oficerët e sigurisë dhe drejtuesit e shkollave.
Në kuadër të masave të reja, drejtuesit vendorë të policisë urdhërohen të organizojnë shërbime të posaçme në çdo institucion arsimor, duke angazhuar agjentë të policisë kriminale për identifikimin dhe goditjen e shpërndarësve të drogës.
Dokumenti parashikon gjithashtu:
kontrolle të befasishme nga strukturat antidrogë dhe forcat operacionale;
përdorimin e metodave speciale të hetimit kur plotësohen kushtet ligjore;
monitorim të shitjes së produkteve të ndaluara për të miturit nën 18 vjeç;
kontrolle të brendshme ndaj strukturave policore për zbatimin e detyrave.
Sipas urdhrit, në rast të konstatimit të shkeljeve apo mosveprimeve nga efektivët, do të nisë hetim disiplinor sipas rregullores së Policisë së Shtetit.
Telegrami kërkon gjithashtu që drejtoritë vendore të raportojnë çdo javë pranë strukturës qendrore mbi masat e marra, rezultatet dhe problematikat e konstatuara.
Lini një Përgjigje